Bolton paralajmëron Hagën: Jo ndjekje penale të amerikanëve
Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton paralajmëroi Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë kundër ndjekjes penale të shtetasve amerikanë, lidhur me veprimet e tyre në Afganistan. Të hënën zoti Bolton i tha Shoqatës Federaliste në Uashington se gjykata është “krejtësisht e paligjshme” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të bashkëpunojnë në asnjë mënyrë me të. Por një analist thotë për Zërin e Amerikës se fjalimi i John Boltonit nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara. Ndërkaq, në një deklaratë të bërë sot, gjykata e Hagës thoshte se “do të vazhdojë të bëjë punën e saj e saj si edhe më parë në përputhje me idenë gjithëpërfshirëse të sundimit të ligjit”.
John Bolton tha se Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve nuk mund të ketë juridiksion mbi amerikanët, sepse Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e traktatit që krijoi këtë gjykatë, me bazë në Hagë. Ai tha se një hetim mbi abuzimet e dyshuara ndaj të ndaluarve, nga ana e ushtarakëve amerikanë në Afganistan, do të ishte një shkelje flagrante e sovranitetit të SHBA.
“Shtetet e Bashkuara do të përdorin çdo mjet të nevojshëm për të mbrojtur qytetarët e tyre si dhe ata të aleatëve tanë, nga ndjekja e padrejtë nga kjo gjykatë e paligjshme”, tha John Bolton këshilltar për Sigurinë Kombëtare.
Zoti Bolton tha se gjykata nuk ka mekanizëm për të siguruar paanshmërinë e saj dhe ka si antarë shtete jodemokratike si Venezuela dhe Republika Demokratike e Kongos si dhe entitete që nuk janë as shtete, si Autoriteti Palestinez.
“Ne nuk kemi nevojë që Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të na tregojë çfarë duhet të bëjmë ose të kritikojë vendimet tona”, tha ai.
Disa analistë pyesin se pse zoti Bolton vendosi të ndërmarrë një betejë me këtë gjykatë, në këtë kohë, pasi shanset që një ushtarak amerikan të vendoset përpara gjyqtarëve ndërkombëtarë kanë shumë pak gjasa të ndodhë.
“Skenari më i keq do të ishte që vite më vonë një prokuror të siguronte prova të mjaftueshme për të ngritur akuza dhe për të lëshuar një urdhër kundër një shtetasi amerikan. Në atë rast, ai person do ta kishte shumë të vështirë të udhëtonte në vendet që janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, sepse nëse do ta bënte, ai vend do të kishte detyrimin ta arrestonte”, thotë Stephen Pomper i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Analisti nga Uashingtoni Stephen Pomper thotë për Zërin e Amerikës se do të ishte shumë e vështirë të ngrihej një çështje gjyqësore kundër një qytetari të një vendi që nuk bashkëpunon me gjykatën. Ai thotë se zoti Bolton po vazhdon një betejë kundër gjykatës së Hagës, të cilën e pati nisur gjatë administratës së George W. Bush-it.
“Është vërtet fatkeqësi, sepse një fjalim i tillë shkakton mosmarrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, aleatëve të NATO-s që janë anëtarë të gjykatës, që kanë detyrime ndërkombëtare ndaj saj”.
Zoti Pomper kritikoi veçanërisht zotin Bolton për kërcënimin e aleatëve me sanksione, nëse ata bashkëpunojnë me gjykatën. Sipas tij, braktisja apo kritikat ndaj organizatave ndërkombëtare nuk u shërbejnë interesave amerikanë në planin afatgjatë, sepse minojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të përhapur interesat dhe vlerat e saj në botë./voa/