Jorida Tabaku: Mbi lojërat e fatit dhe kasaphanen e këtyre 5 viteve!
Megjithëse kane pasur pesë vite kohë që të zhbëjnë gjithë moskorrektësitë e tyre për politikën fiskale të qeverisë Berisha ndaj lojërave të fatit, e vërteta rezulton ndryshe. Nga gjoja aksioni “Fund i Marrëzisë” e deri më sot pikat e lojërave të fatit dhe basteve sportive janë më shumë se shumëfishuar. Në kohën e qeverisë së ‘keqe’ Berisha ishin 928 ndërsa në kohën e qeverisë së ‘mire’ Rama janë 4230, jo vetëm kaq por pikat pranë institucioneve shkollore, fetare dhe shtetërore janë shtuar si kërpudha pas shiut.
E mbaj mend ministrin Ahmetaj që sot ka veshur pelerinën e luftëtarit të paepur kundër kazinove dhe basteve sportive se si argumentonte se ishte pro nismës së deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës për shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit. Siç e mbaj mend zotimin e tij për aktet nënligjore që do të vinin brenda viti 2017 por që nuk erdhën kurrë.
Por sa më sipër për ministrin e aktrimit profesional nuk është vetëm se një ditë tjetër në profesionin që ka marrë përsipër, aktorin në shërbim të interesave klienteliste të kompanive të basteve dhe jo vetëm. Ndaj si një aktor i përkorë dhe shumë i arrirë zotohet me deadline të radhës, duke harruar që ka qenë gjithashtu ai një prej atyre që ishin dakord për të shtyrë ligjin e lojërave të fatit.
Së fundi, por jo për nga rëndësia, qeveria aktuale jo vetëm ka ndryshuar taksimin e pikave të bastit dhe lojërave të fatit duke e ulur nga 23% në 15% por njëkohësisht edhe ka ndryshuar vlerën që tatohet. Nëse në qeverinë Berisha tatohej xhiroja totale e kompanisë sot qeveria Rama ka propozuar që të tatohet fitimi i kompanisë (pra shumë herë më pak se sa tatohej në qeverinë Berisha) . Pse? E thjeshtë! Qeveria Rama siç shumë e kanë të qartë është skllave e krimit të organizuar dhe pastruesve të parave.
E meqënëse djalli qëndron në detaje, shembulli më i qartë se pse sot qeveria, krimi, pronarët e lojërave te fatit janë një është pastrimi parave që shpjegon rritjen e numrit të pikave të basteve. Kjo nuk mund te kish ndodhur pa mbështetje, bashkëpunim e inkurajim nga niveli më i larte, pra kryeministri Rama tek ai më i ulëti.