Albspirit

Media/News/Publishing

Tonin Çobani: Gjergj Fishta në kujtimet e piktorit Simon Rrota

(Simon Rrota, “Po shkruaj për vedi e Shkodër” – kujtime)

Kujtimet e piktorit Simon Rrota janë shkruar me vëmendjen e një piktori që befasohet edhe vetë me nuancat kromatike që kishte jeta e një qyteti, si Shkodra, sado gri që të na duken sot  historitë e tij për shkak të përpjekjeve për ta mënjanuar atë qytet nga historia kombëtare.

1.

Dua ta veçoj që në krye një fakt historik, ku është i pëfshirë edhe Gjergj Fishta, i cili dëshmohet në kujtimet e Simon Rrotës: Lufta me armë zjarri midis të ngujuarve të “Popullores” në Prefekturën e Shkodres dhe “Opozitës”:

“Kështu në muejin qershuer 1924,- shkruan Rrota në kujtime e veta,-  nji pjesë e zogistave, bashkë me to edhe Musa Juka, u mbyllën për qindresë në Prefekturën e Shkodrës. Në këtë menyrë, ndermjet dy partive, nisi nji luftë e rreptë nga ana e Opozitës qi me pushkë e mitraloza qitshin kundër atyne qi ishin të mbyllun mbrendë e qi u përgjegjëshin po me pushkë, atyne të jashtëmve. Luftimi filloi me 29 qershuer e mbaroi me 1 korrik. Partija “Popullore” tue pa se kurrnji dobi nuk i solli ajo qëndresë e tyne , kërkuan kondita me iu dorëzue “Opozitës”. Mbasi u mblodh komisioni, në të cilin bante pjesë edhe Pater Gjergj Fishta, i cili shtroi kondita me Musa Jukën e tjerë, qi me i lanë të lirë me dalë prej Shqypnijet pa u dhanë pengesë. Kjo pikë u pranue e ata u larguen prej vendit tonë.

Fjala e fitores u hap nëpër qytet– vazhdon piktori Simon Rrota. –  Ushtrija kishte marrë në dorë fuqinë, mori nën drejtimin e saj administratën, doganat, etj. Ndërkaq populli kishte dalë me pa nëpër qytet tue shetitë, efektet e luftës e dame qi ishin ba: xhama e dyer te thyeme e njikohësisht panë edhe kapidan Feridin të xhandarmërisë, të cilin e vranë në dritare të Prefekturës njatëherë kur palët luftofshin.” (f.195-196)

 

E nisa me këtë episod, sepse historia e ideologjizuar e derisotme, jo vetëm që ka mënjanuar qytetin verior nga opozitarizmi për aq sa i takon, por, duke mbajtur ende të mënjanuar edhe sot e kësaj dite figura të tilla si Gjergj Fishta (dhe veprën e tij) , vazhdon të mbetet një histori, e cila nuk mund të funksionojë më pa u rishkruar. Përveç Fishtës e sa e sa të tjerëve mua më duket i mënjanuar edhe Luigj Gurakuqi për deri sa shtëpia e tij muze nuk është më  as si objekt i vizitueshëm as në planet e Ministrisë së kulturë për rikonstruksion.

Nga ana tjetër, paragrafi i mësipërm na dëshmon sa aktiv ka qenë aso kohe Fishta. Ai vetë, që na ka lënë një analizë të zgjeruar për “Trazirat e qershorit” (Hylli i Dritës), shkruan afërsisht për të njëjtin episod që dëshmon Simon Rrota:

“S’ngjati, edhe krisi pushka. Ushtria Kombëtare, ndihmue prej vullnetarëve të Gegënisë  të Toskënisë, jo ma tepër se me dhjetë ditë kohë, shtypi rebelët e Shkodrës, ndrydhi kaçakët e Lezhës, dërmoi komitaxhitë e Beratit e në Kala të Dodës zdrypi (zbriti) për veshi bashibozukët e Matit e të Dibrës, edhe mësyni e mori Tiranën. Ahmet Zogolli iku, e me të ikën edhe ata, që ndërgjegjen kombëtare e kishin pasë të përlyeme. E kështu u vërtetue fjala e Mehdi Frashërit, i cili me 23 prill 1923 i pati gërthitë Ahmet Zogollit: “Me gjak e ke marrë; me gjak je tue e mbajtë, e pa gjak s’ke me e lëshue”. ”(Hylli i dritës,1924/5-6).

2.

Duke pasur të bëjmë me kujtimet e një piktori,  është e pritshme që të informohemi me zhvillimin e pikturës në atë qytet, si dhe me piktorët dhe autorët e tjerë figurativë. Njëri prej tyre është Gjergj Fishta, i cili portretizohet prej Simon Rrotës si poet me autoritet në qytetin e Shkodrës për vargjet e tij patriotike :

“Ai (at Gjergj Fishta) me vjershat e tija  patriotike, e veçanërisht me atë të famshmen “Lahuta e Malcis” i dha nji shkas të madh popullit tonë për me njoftë sejcili prej nesh se kush kjeme përpara e si jena sot.” (f.20)

Ja si e përshkruan ai takimin e parë me Fishtën, më parë se të ftohet për të punuar disa skenat të komedisë së Molierit, “Mjek përdhuni”:

“Por me u paraqitë te Padër Gjergji më vinte turp mbasi qi ishte e para herë që do të flitshe me të… Rasa kje e mirë për mua me u takue së bashku, pse, njatë herë ai kishte ndejë në kopësht të Kuvendit , ku sot asht nji bli i madh, ndërsa po vërente  punëtorët qi po ndërtojshin Kishën e Françeskanëve…” (f.26)

Dhe më tej, kur fillon punën si skenograf (duke punuar përkrah poetit), shprehet:

“Kjo do të ishte rasa ma e mirë për mue me pasë përpjekje ma të ngushta me poetin tonë”

“Edhe ai vetë, mori pjesë me mue, në punimin e atyne skenave mbasi vizatimi i vinte shumë për dorësh, e kështu punojshim bashkë. Ndërsa unë, pa pushim me brushat e mija ngjyrojshe në ata skena të bukura, poeti recitonte vjersha e leshonte disa batuta satirike qi mue me bajshin me qesh aq shumë sa mu donte me lanë edhe punën, tue i thanë se nuk mujshe me vazhdue ma, pse dhimbje të medha me kishin kape dejt e qafës prej të qeshunit të fortë. E kështu, tue e pa edhe ai vetë, menjiherë u largue, por ne nesre e shof se po vinte, e me vehte kishte pru do vjerrsha të pregadituna prej tij. Unë i mbylla deren e teatrit (Teatri i Franceskanëve, ndodhej djathas në oborrin e Shkollës Vasil Shanto) e nuk e lashë me hy mbrendë, por mbas pak kohët qi ai qindroi jashtë deret, me premtoi se nuk do të me trazontë ma e , me këtë konditë, i çila deren. Por premtimet e tija kjenë të shkurta e tue pa se skena po delte e bukur, ndërsa po pinte cigare e kafe së bashku me mue afër tangarit (mangallit), në njatë kohë ia mbrrijti Mati Logoreci qi atëherë ishte mesues në Shkollën Franceskane. Prandej rasa kje e mirë për poetin me na lexue vjerrshat e pregadituna aq bukur ku ndër to kishte përmende vedin edhe mue, si edhe disa tjerë qi vijshin aty me na pa. Por në këtë menyrë, puna nuk ecte përpara, koha ishte e shkurtë, skenat do t´u mbarojshin sa ma  parë. Për këtë arsye, lidhem konditë me poetin qi mos me m´trazue ma me vjerrsha të tjera. E me të vërtetë e mbajti fjalën e kështu gjithshka kje plotësue mbrenda nji kohë të shkurtë.” (f.26-27)

3.

Por aksioni më i rëndësishëm i Poetit tonë është futja e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat françeskane (1902). Edhe si gjuhë në veprimtaritë edukative-argëtuese. Kam para sysh këtu teatrin fishtjan, teatër i cili ka lidhur Simon Rrotën, si skenograf me Gjergj Fishtën si dramaturg e regjisor. Ne sot nuk e njohim mjaftueshëm punën e skenografit Simon Rrota, por kemi pohimin e tij se ishte skenograf i Kolegjit të Françekanëve dhe i Kolegjit të Vajzave Stigmatine (“unë ishe skenografi i Teatrit Franceskan dhe i atij të Motrave  (murgeshave) Stigmatine”).

Komedia e Molierit “Mjek përdhuni” është shfaqja e parë teatrore në Shkodër (por edhe në Shqipëri), sepse “më  përpara nuk ishin shfaqur shfaqje në gjuhën shqipe”, shkruan piktori Simon Rrota. Dhe “drama pati sukses të madh…, – vazhdon ai në kujtimet e veta, – veçanërisht pse ishte në gjuhën shqipe…, prandaj bani një përshtypje të madhe në popull, ( i cili) e priti me duartrokitje të vazhdueshme, në drejtim të poetit tonë”

4.

Gjergj Fishta e trajtoi si koleg piktorin e ardhshëm me gjithë diferencën në moshë (Fishta i kishte 16 vjet para Simonit). E ndihmon me materiale për vizatim, i siguron vend pune në bibliotekën e kuvendit, ku gjente qetësi dhe shfrytëzonte librat e artit që Fishta i blinte për të pasuruar Bibliotekën  Kuvendit sa herë udhëtonte nëpër Europë:

“Ngushllimi ma i madhi qi muejshe me pasë unë, ishte vetëm Kuvendi i Franceskanëve,- shkruan Simon Rrota,- pse aty, në biblioteken e tyne, gjeshe atë çka unë dishrojshe, tue pa prodhime veprash hartistike qi me inspirojshin shumë e me nepshin zemer me punue e me harrue njiherit edhe disprimin tem. Veçanërisht njatë herë kur  Patër Gjergji ishte kthye prej Italijet e më fali do materiale për pikturë: bojna, penela etj. e më tregonte shume vepra artistike qi kishte pa atje. Për mue kjenë momentet ma të gëzueshme…” (f.35)

 

Simon Rrotam, krahas Patër Gjergj Fishtës rreshton edhe Patër Vincenc Prendushit e Patër Ambroz Marlaskajn, të cilët e kishin  ndihmuar artistikisht (“për nevoja artistike”), për kompozicionin e veprave fetare që realizonte për kisha etj, duke e krahasur veten, në një farë mënyre, me “Rafaelin (Raffaello Sanzio), (i cili) kur donte me paraqitë vepra fetare klasike, shkonte gjithëherë te Kardinal Bibiena, për me marrë udhëzime të sigurta për figurat qi do të bante ndër veprat e veta”. (f.34)

5.

Për të përfunduar do të ndalem në dy korrigjime që na duhet të bëjmë tani që kemi në dorë kujtimet e piktorit Simon Rrota. Të dy janë të lidhura me teatrin. Korrigjimi i parë ka të bëjë me shfaqjen e parë të shkruar dhe të vënë në skemë nga Fishta, më1905 (ose me titullin e saj): deri tani dihej se kjo shfaqje ka qenë një komedia e Molierit, përshtatur nga Fishta (ose, siç shprehej Fishta, “simbas Molierit”), por titulli i saj nuk është “I ligu për mend”(Skanjeti, f.18), por “Mjek përdhuni” (Rrota e shkruan “Mjek i përdhunë”).

Korrigjimi i dytë lidhet me Teatrin e Françeskanëve (Teatri i Franceskanëve, ndodhej djathas në oborrin e Shkollës Vasil Shanto), i cili, sipas Rrotës, “kje ndërtue pak vjet ma parë se ndërtesa e shkollës (1899). Ndërsa sipas Donart Kurtit “salloni i theatrit kje ndreqë më 1899”. Të dy korrigjimet kanë rëndësi të dorës së parë, sepse lidhen jo vetëm me një titull komedie, por me veprën e parë teatrore në gjuhën shqipe, që është një përkthim/përshtatje e komedisë së Molierit (Mjek përdhuni) dhe është jo vetëm pjesa e parë teatrore e shkruar dhe e vënë në skenë në qytetin e Shkodrës, por edhe në gjithë Shqipërinë (ose në trojet shqiptare se aso kohe nuk kishte Shqipëri me kufij  të shkruar në harta a defterë të çfarëdoshëm).

Është, gjithashtu, shfaqja e parë në gjuhën shqipe luajtur në një teatër (salon teatri), për ndërtimin e të cilit, siç na dëshmon Simon Rrota, fretnit e Shkodrës së bashku me punëtorët rrezikuan shumë, për shkak të atyre “qi nuk dojshin ndërtesa, e, teatër, pa lejen e Stamollës (kryeqyteti i Perandorisë Otomane) nuk mund t´u ndërtonte. Prandej puntorët u veshnin me zhguna (veshja e fretënve) si fretnit, për mos me ra në sy të qeverisë turke.”

Ndërsa një korrigjim tjetër duhet të bëjmë duke vlerësuar teatrin e traditës, ashtu si na vjen nga piktori shkodran Simon Rrota:

“Çfaqjet teatrale qi u bajshin për të paren herë, në gjuhen shqip, për meritë të letrarit të famshëm Atë Gjergj Fishta, nisën të baheshin shumë tërheqesë për vendin tonë e sidomos për gratë pse ato nuk kuptojshin italishten, ndersa djemt e burrat e zotnojshin mirë atë gjuhë e të thuejsh, as nder mend nuk i shkonte gjuha amtare…”(f.34)

 

Please follow and like us: