Albspirit

Media/News/Publishing

Trump kritikon ashpër librin për presidencën e tij

Presidenti i SHBA, Donald Trump kritikoi përsëri ashpër librin e ri të autorit Bob Woodward që bën fjalë për presidencën e tij, duke e quajtur një tjetër sulm të zakonshëm, në morinë e sulmeve të tjera kundër tij.

“Libri i Woodward-it është një shaka”, tha zoti Trump, duke iu përgjigjur përshkrimeve tepër kritike të gazetarit hulumtues për presidencën e tij kaotike. Libri, i titulluar “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë”, del në qarkullim të martën dhe është qysh tani ndër titujt më të shitur në rrjetin Amazon.

Presidenti Trump shkruante në Twitter se Woodward ka përdorur në libër “burime anonime, të provuara si të pavërteta.” Shumë njerëz, shkruan ai, tashmë kanë deklaruar se citimet e tyre, ashtu si edhe vetë libri, janë të sajuara. “Demokratët, – vazhdon Presidenti, – nuk mund ta durojnë dot humbjen; unë do të shkruaj librin e vërtetë.”

Bob Woodward fitoi famë si gazetar rreth pesë dekada më parë si njëri nga reporterët e gazetës Washington Post, raportimet e të cilëve rreth korrupsionit në Shtëpinë e Bardhë çuan në dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon. Ai ka shkruar libra rreth tetë presidentëve amerikanë.

Woodward i tha televizionit NBC se para zotit Trump ai nuk kishte parë ndonjëherë një president kaq të shkëputur nga realiteti i asaj që po ndodh.

Please follow and like us: