Zgjohu, nesër do të jetë vonë. Kujtojmë Azem Hajdarin, mbrojmë lirinë dhe demokracinë, mbrojmë jetën
Bislim Ahmetaj
12 Shtatori, dita që shënon përvjetorin e 20-të të pushkatimit pa gjyq nga Policia e Shtetit të Princit të Mendjeve të Lira, liderit të Lëvizjes Studentore, kryetarit të parë të Partisë Demokratike Shqiptare, të fenomenit të papërsëritshëm Azem HAJDARI është një ditë që na therret të reflektojme thellë në ndërgjegjen tonë në emër te jetës, në emër të lirisë, demokracisë dhe të vlerave të saj të vëna në pranga.
Azem Hajdari u pushkatua se nuk u përkul, nuk u shit, nuk bëri kompromis në kurriz te lirisë dhe demokracisë së qytetarëve për interesat e tij personale.
Azem Hajdari u pushkatua, pasi nuk e mbylli gojën për asnjë moment duke denoncuar kriminelët, kondrabandistët e zullumqarët e pushtetit që erdhën në pushtet me grykën e pushkës pas revolucionit punisto-mafioz të mars-qershorit 1997.
Azem Hajdari u pushkatua se denoncoi skenarët e lidhjeve të Tiranës zyrtare me Beogradin dhe veglat e tyre në Kosovë. Kjo ditë është dhe duhet të jetë një apel i fortë jo vetëm për ne bashkëidealistët e tij të Lëvizjes Studentore, jo vetëm për demokratët dhe të djathtën shqiptare, por për çdo qytetare të ndershëm të këtij vendi qe i është dhunuar liria, shpresa, i është cenuar jeta.
Po jetojme në vendin ku alternativa që i afrohet shumicës se qytetarëve nga qeveritaret është një derë e hapur burgu, uria dhe skamje ose braktisja e Atdheut. Po jetojmë në një kohë kur ligjet bëhen për mafiozët, mafiozët janë shtetarë, kohë kur kufiri midis mafies dhe shtetit është shuar.
Po jetojmë një kohë të ligë ku qeveria ka dhunuar çdo grup interesi dhe opozita është shndërruar në zgjatim të saj. Veprimi më i “guximshëm” i kryetarit të opozitës deri sot ka rezultuar të jetë dalja para kamerave brenda gardhit të partisë së tij si edhe denigrimi e ndjekja kundërshtarëve brenda partisë që sa vinë dhe shtohen.
Ndaj në emër të Grupimit “Dhjetor ‘90” ju ftoj që përkujtimoren dhe homazhet në nderim të kujtimit të Azem HAJDARIT që u flijua për Liri dhe Demokraci ta shndërrojmë jo thjesht në ditë kuotash dhe qirinjsh, por në një ditë zgjimi të revoltës dhe protestës qytetare ndaj çdo dhunimi dhe cenimi që po i bëhet jetës së qytetarëve të këtij vendi. Motoja e Grupimit “Dhjetor ’90” do të jetë sot e deri më 8 Dhjetor: “Zgjohu, nesër do të jetë vonë. Kujtojmë Azem Hajdarin, mbrojmë lirinë dhe demokracinë, mbrojmë jetën”.
Bislim Ahmetaj, Kryetar i Grupimit “Dhjetor ‘90”