Fran Gjoka: Mbi librin me tregime të Viron Konës
Një libër i ri me tregime për shkollën i shkrimtarit të njohur Viron Kona.
Kësaj here Viron Kona, ky mik i dashur i fëmijëve dhe i nxënësve, ka dalë para lexuesve me librin: “Mësues, pse e ke hequr kollaren?”. Janë një seri tregimesh bazuar në kujtime dhe emocione nga jeta si nxënës, student, mësues dhe më vonë si drejtues i disa shkollave 9-vjeçare apo të mesme të kryeqytetit, deri dhe specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ku ai ka shërbyer me devotshmëri e përkushtim. Titulli intrigues i vëllimit, tërheq dhe ngacmon përfytyrimin e lexuesit duke e futur atë në botën e gjerë dhe plot emocione të shkollës. Në mjedise përreth shkollës merr rrugë dhe tregimi që mban titullin libri: “Mësues, pse e ke hequr kollaren?” e ku tregohet për një mësues që filloi punën e vetë në një shkollë fshati larg vendbanimit, e që në veshjen e tij ai preferonte të mbante edhe kollare. Ndërkaq, në fshatin ku ndodhej shkolla, pati individë, banorë apo dhe zyrtarë të ndryshëm, të cilët e ironizonin mësuesin për kollaren, derisa me shprehjet dhe sjelljet e tyre ia bënë të padurueshme mbajtjen e saj.
-Këtë, – i tha Kuazimondoja, duke i kapur lehtë me dorë kollaren, – këtë, kapistër, hiqe! Këtu je në fshat dhe, nuk të shkon. Apo do të na shesësh mend sikur kushedi se cili je!
-Jam mësues.
-Mësues! Hi, hi, hi, – zuri të qeshte Kuazimodoja, duke u zgërdhirë dhe duke zbuluar disa radhë dhëmbësh të nxirë nga të palarët…
Por ajo që e shqetësoi akoma më shumë ishin fjalët e zyrtarit të komunës që mbulonte arsimin: “More ç`e keni atë mësuesin e ri që na kapardiset poshtë e lart nëpër katund duke mbajtur atë kollare si gjuha e lopës së Demos! Këtu nuk mbajmë kollare as ne të komunës, as vet kryetari, kurse, guxon dhe na mban kollare një copë mësues!”
Kështu që nën këtë trysni, një ditë i këshilluar edhe me bashkëshorten, ai e hoqi kollaren.
Por, atë ditë që u paraqit në shkollë pa kollare, vuri re se nxënësit po e shikonin ndryshe, dhe kur do të niste të shpjegonte mësimin, njëra nga nxënëset e klasës së pestë, me çiltërsinë e moshës, kërkoi leje t`i thoshte diçka.
Shprehu! – e nxiti mësuesi.
Vajza hodhi një çast vështrimin nëpër klasë dhe këmbeu vështrime me dy – tri shoqe, pastaj, duke e parë mësuesin në sy, i tha:
-Mësues, pse e ke hequr kollaren?
-Ja, ashtu, kot, e hoqa, – më shumë belbëzoi ai dhe, kushedi pse u ndje keq.
-Mësues, të lutem vëre prapë kollaren, ngjaje bukur me të. Ne, duam që ti ta vësh përsëri kollaren.
Ata vogëlushë, e donin mësuesin e tyre të veshur sa më bukur, me kostum dhe me kollare…”
Tek tregimi “Karl Linne dhe mësuese Ollga e botanikës”, autori shpalos pasionin dhe kujdesin e njeriut për lulet, përmend me nderim emrin e botanistit të madh suedez Karl Vonn Linne, kurse në vazhdim dhe gjatë gjithë tregimit shpreh mall dhe respekt për mësuese Ollgën e botanikës, e cila e zhvillonte mësimin në mënyrë mjeshtërore dhe mjaft tërheqëse:
“- I shikoni? Lulet kanë jetën e tyre të brishtë, të ngjashme me jetën e njerëzve. Janë të buta, delikate dhe luten e kërkojnë ndihmën tonë, që t`i lejojmë të rriten dhe të lulëzojnë të qeta dhe jo të veprojmë si disa fëmijë, që, kur luajnë, i shkulin, i shkelin me këmbë, e i dëmtojnë.
Pastaj papritmas kthehej nga klasa dhe pyeste:
-Pa më thoni disa emra lulesh?
-Me leje, mësuese! Me leje, mësuese ! – thërrisnim ne me duart ngritur dhe, zinim e i përmendnim emrat e luleve, herë njëri nxënës dhe herë tjetri: trëndafila, karafila, luleverdha, narcis, tulipanë, mëllaga, gladiola, gjeorgjina, pikaloti, borzilok, menekshe, lule nate, lule fluture..
-Mësuese ! Lulet janë edhe për t`i bërë dhuratë për festa dhe ditëlindje, – thoshte ndonjëri nga nxënësit.
-Edhe atëherë, ato kanë nevojë për ndihmën dhe kujdesin tonë. Për shembull, kur këputen, ato vyshken brenda disa ditëve. Kështu që, për t`i ruajtur të freskëta sa më gjatë, ne duhet t`u japim edhe aspirinë.
-Çfarë mësuese? Aspirinë ! – pyesnim ne të habitur.
-Po, mos i habisni. Lulet, si edhe njerëzit, kur sëmuren kanë nevojë për aspirinë…
Dhe tregimi përfundon:
-Tani, kush nga ju do të më thotë: Cili është ai shkencëtar që ia ka kushtuar jetën studimit të bimëve dhe luleve?
-Shkencëtari i madh suedez Karl Linne, – përgjigjeshim ne si në kor, teksa shihnim se si kënaqësia dhe gëzimi, shfaqeshin vezullues në sytë e butë dhe të ëmbël të mësuese Ollgës.”
Kujtime të bukura, plot emocion vijnë tek lexuesi edhe përmes tregimit “Antigona”, vepër e njohur e Sofokliut, e cila është në qendër të zhvillimit të ngjarjes artistike. Kurse tek tregimi “Kishim vepruar drejt”, autori ngre problemin se vetëm nëse krijon atmosferë të ngrohtë dhe harmoni në kolektiv, marrëdhënie të sinqerta me kolegët dhe me nxënësit, atëherë mund të kesh sukses në zgjidhjen e problemeve të shumta që ka shkolla. Edmondi, një djalosh “problematik” ishte grindur me një shok të klasës. Mësuesja kujdestare kishte ngulur këmbë që “ky djalë përsëritës në gabime” të përjashtohej, ndërsa drejtori kishte kërkuar qetësi dhe maturi në zgjidhjen e problemit. Djali nuk ishte përjashtuar dhe drejtori ishte ndjerë i qetë, por lumturia e tij nuk kishte kufij, kur vite më vonë e kishte takuar këtë djalë në Aeroportin “Nënë Tereza”, tek po udhëtonte për në SHBA, ku studionte për elektronikë, dega e tij e preferuar:
“Çdo të ishte bërë me Edmondin po ta kishim përjashtuar? – pyesja veten. Mund të ishte nisur në Itali me gomone dhe, fati i tij do të vendosej nga dallgët dhe skafistët piratë… Por mund të ishte përfshirë edhe në tentakulat e oktapodit të rrugës, mund t`i futej drogës, mund t`u ishte dorëzuar veseve të këqija dhe jeta e tij do të kishte marrë tatëpjetën…Mbase unë isha tolerant, mase gaboja, mbase gjykoja me zemërgjerësi të tepruar. Kështu dhe më kishin thënë, por atë mëngjes, pikërisht për shkak të atij vendimi të dikurshëm jo të nxituar, po ndihesha mirë. Ndjeja kënaqësi që unë dhe kolegët e mi i kishim dhënë edhe një mundësi tjetër Edmondit dhe nuk e kishim përjashtuar nga shkolla. Tek e fundit, – thashë me vete, – mua nuk më kishin vënë drejtor që t`i përjashtoja fëmijët nga shkolla dhe t`i hidhja në rrugë, por, së bashku me kolegët e mi mësues, kishim detyrë t`i mësonim, të ndihmonim në edukimin tyre… Kjo ishte detyra jonë..”.
Në tregimin: “Lirika e një lëndë e të vështirë”, autori, nëpërmjet një rrëfimi të sinqertë, përmes fakteve dhe argumenteve, bind artistikisht lexuesin se, sado e vështirë të jetë një lëndë shkollore, po punove me kujdes dhe përkushtim, kapërcehen pengesat dhe vështirësitë që ajo paraqet. Duke qenë njohës i thellë i psikologjisë, i metodave dhe formave të suksesshme në përvetësimin e dijeve, shkrimtari Kona, përmes episodeve të tregimit, situatave mjeshtërore që krijon, dialogëve, batutave dhe stilit tërheqës, na entuziazmon me ecurinë e personazhi… Me bukuri artistike vijojnë tregimet: “Hakmarrja e mizës”, “Detyra më e bukur e Kreshnikut”, “E qeshura”, “Është edhe e bukur”, “Mësuesit”. Me stil tërheqës e mjeshtëror, autori pasqyron edhe mesazhin e marrëdhënieve të prindërve me fëmijët, duke nënvizuar nevojën e përmirësimit të këtyre marrëdhënieve në dobi të edukimit të fëmijëve, që janë dhe më të shtrenjtit tanë. E shpenzojmë kohën për shumë e shumë gjëra, por pak merremi me fëmijët, ndërkohë që marrja me edukimin e tyre nuk mund të bëhet dosido dhe pa kulturën e duhur, pasi fëmijët sot, rriten në kushte të tjera ndryshe nga koha kur jemi rritur ne, kështu që ky komunikim dhe marrëdhënie kërkon edhe një nivel më të lartë kulturor. Përndryshe bëhemi nervoz dhe deri edhe qesharak, siç ndodh tek tregimet e këtij vëllimi: “Bubulinoja është kureshtar apo llafazan?” apo “Më qartë se kaq s`kam se si t`i shpjegojë gjërat!” Është një fushë kjo që Viron Kona e ka parapëlqimin e tij, ndaj dhe tregimet shkaktojnë gaz të sinqertë dhe të qeshura, duke dhënë njëherazi mesazhe të mëdha për kujdesin dhe vëmendjen që duhet të tregojnë prindërit për fëmijët e tyre, por edhe duke përdorur me ta një gjuhë të pastër shqipe, pa zhargone dhe shprehje të panevojshme, sepse, ja se çfarë ndodh në bisedën e babait me të birin te skica humoristike “Më qartë se kaq s`kam se si t`i shpjegojë gjërat!”:
“-Nik, fillo mësimet dhe bëj detyrat se, kështu siç e ke nisur, mësuesi ka për të t`i futur “të dyja këmbët në një këpucë”, – i tha i ati.
-Në këpucën e majtë apo në të djathtën, o ba?
-Nik! – i thirri me zë qortues babai dhe shtoi: – Kam thënë unë, “budallai s`ka brirë”.
-Pse, të mençurit kanë brirë, o ba?
-Nik, mos m`u hiq sikur nuk më kupton se ç`po të them, se këto “i di edhe bufi”.
-Kush ia ka mësuar bufit, o ba?
-Dëgjo këtu ti, mistrec. Mos më bëj numra mua, se t`i jap veshët në dorë! – Dhe, duke iu kthyer së shoqes, ai i tha: – Kam kaq ditë që po i kërkoj ata të zyrës së kthimit të pronave, “derr jam bërë”…
-I egër, o ba?”
Duke shkruar këtë artikull, më ngacmonte pareshtur dëshira për të paraqitur pjesë apo paragrafë të shumtë të këtij libri të vyer për shkollën, fëmijët dhe mësuesit, ndërkaq, përmend me respekt edhe punën mjeshtërore të piktorit Ymer Metaliaj dhe piktores së re Eni Jakupi, që, me vizatimet e tyre artistike, i kanë dhënë librit më shumë gjallëri dhe bukuri.