Dritan Laçi: Duçja dhe shakatë pa kripë të Ramës me Teatrin
Sezoni vjeshtor i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar nuk ka nisur ende, por kjo jo përsa i përket teatrit të bajatshëm që po luhet me Teatrin nga maxhoranca në fuqi që ka nisur një tjetër shfaqje farsë me qëllim finalizimin e shembjes së Teatrit Kombëtar.
Tashmë as shosha nuk e mbulon dot më këtë qeveri në aktin e saj për ti vënë kazmën Teatrit, po kështu as shakatë me kripë të Duçes me të cilat kemi qeshur gjithë këto kohë sa herë Qeveria kërkon ti gjejë ndonjë nuskë Teatrit.
Kjo qeveri ka vendosur që ta shembë Teatrin Kombëtar me çdo çmim pavarësisht reagimit qytetar dhe ndjeshmërisë publike për një nga godinat që ka bërë hustorinë e arkitekturës së qendrës së Tiranës.
Kjo qeveri është shumë e qartë në lojën e saj.
Edhe këtë herë ka gjetur një kleçkë dhe kapet pas saj si i mbyturi që ka gjetur të vetmen mundësi për të shpëtuar.
Kleçka e fundit që po përdor është një letërpërgjigje nga Komisioni Europian që krahas faktit që thotë që Ligji për Teatrin nuk shkel MSA-në, ndër të tjera shton se duhet transparencë dhe garë e hapur për ndërtimin e një Teatri.
Në fakt qeveria Rama nuk ka bërë asnjë garë të hapur kur ka dhënë konceisionet.
Dhe nuk kishte se si të bënte një gjë të tillë me Teatrin, kur që në krye të herës pa garë ia kishte taksuar ndërtimin e Teatri, Firmës “Fusha sh,p.k”.
Në fakt në deklaratat e fundit që vijnë nga maxhoranca, vihet re për një zbythje, por a mund ti zihet besë një maxhorance të tillë që përdor manovra nga më të ndryshme për të arritur qëllimin e saj.
A po përdor kjo maxhorancë një lojë ku do të fusë në garë investues të ndryshëm dhe në fund për ti dhënë fytyrën e një gare të ndershme do fitojë investitori i saj i parapëlqyer “Fusha Sh. P. K”.
Le ta marrim edhe të mirëqenë faktin që qeveria nuk ka para për Teatër të ri, kush do ishte ai biznesmen apo grup biznesmenësh që do nxirrnin nga xhepi 6 milion euro për tia dhuruar batihava një qyteti.
Imperativi i kohës kërkon për të gjithë ata që qëndruan dhe rezistuan, që Teatri të mos lëvizë, pavarësisht çdo lloj manovre që Rama dhe maxhoranca e tij mund të përdorë.
Mos prisni nga parlamentarë të intoksikuar dhe pamoral, që të kenë ndjeshmërinë publike për ti thënë Jo veprimeve arbitrare të Njëshit të tyre.
Shakatë me kripë me Duçen që përdor maxhoranca kanë përfunduar.
Tirana edhe për pozitën gjeografike, si një qytet I ndërtuar mbi hapësira fushore dhe kodrinore ka akoma mundësi për të ndërtuar një qytet të ri, me mundësi shumë të mëdha zhvillimi ekonomik, kulturor dhe administrativ.
Rezistenca ndaj shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, është mundësia e fundit për të ruajtur edhe atë pak trashgimi urbane dhe arkitekturore që I ka mbetur kryeqytetit.
Nëse doni një shembull se si po përçudnohet qendra e Tiranës mjafton të shikoni sot Kullën 20 e ca kate në stadiumin e ri që po ndërtohet apo Kullat binjake me xham në Bulevard./opinion.al/