Mogherini në Shkup: Dyert tona janë të hapura, ju keni çelësin
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, shkoi në Shkup, për të mbështetur referndumin e 30 shtatorit. Ajo tha se qytetarët e Maqedonisë kanë një rast historik që nuk duhet humbur.
Zonja Mogherini përcolli mesazhin e Bashkimit Evropian që thotë se: “dyert e BE-së janë të hapura për ju, sepse e dimë se së bashku mund të arrijmë shumë”.
“Dyert tona janë të hapura. Ju e mbani çelësin. Ana jonë është e përcaktuar dhe le të bëjmë që ky zotim të funksionojë”, tha zonja Mogherini, duke shtuar se “ju keni një rast historik në duart tuaja”.
“Këto – vazhdoi ajo – nuk janë zgjedhje dhe nuk bëhet fjalë për politikë. Duhet të siguroheni se kur të zgjoheni më 1 tetor do të bëheni krenarë për zgjedhjen që keni bërë për shtetin tuaj, për veten tuaj dhe për fmijët tuaj. Nuk do të ketë pendim”, – tha shefja e BE-së Mogherini, duke theksuar se votuesit e mbajnë në duart e tyre çelësin e të ardhmes së vendit të tyre .
“Çelësi është në duart tuaja dhe askush tjetër nuk mund ta bëjë atë për ju. Dhe nuk do të mund të rrini të heshtur dhe ta humbisni shansin për të shprehur vullnetin tuaj se çfarë ardhmërie dëshironi për vendin tuaj” – u shpreh Mogherini gjatë një vizite që i bëri çarshisë së Shkupit së bashku me kryeministrin Zoran Zaev.