Përgjigja e plotë ndaj reagimit publik të ambasadës ruse në Tiranë
Nikoll Lesi/
Ambasada ruse në Tiranë ka nisur një përgjigje fyese gazetës “Koha Jone” në lidhje me shkrimin kryesor të botuar në “Koha Jonë” me titullin e madh:”I dërguari i Presidentit Trump: Rusia fshihet pas ndryshimit të kufijve”.
Që të jemi korrektë me lexuesin na duhet të sqarojmë se ambasada ruse në Tiranë ka ambasador dhe çdo gjë bëhet me lejen apo miratimin e ambasadorit. Ambasadori e ka emrin Aleksandër Karpushin. Ndaj po i drejtohemi zotit Karpushin!
Së pari më duhet t’ju them se Senatorit Amerikan, Ron Johnson, duhej t’i përgjigjej zyrtarisht ministria e jashtme ruse në Moskë dhe nuk kishit pse ta kaloni rrugën “nga Kina” për të hedhur poshtë çfarë Senatori tha për “Zëri Amerikës”, të cilën e ribotoi gazeta. Senatori nuk ishte në tur shëtitës, në formë turizmi, porse ishin takime krejtësisht zyrtare dhe natyrisht, siç ai thotë në “VOA”, si i deleguar i Senatit dhe Shtëpisë së Bardhë. Ndaj me habit frika ruse për t’i dhënë përgjigje nga Moska, por gjuajtët me “top” gazetën “Koha Jonë” që ta marrë vesh Senatori Johnson se ç’mendon Rusia për deklaratat e tij në lidhje me bisedimet (për mua pazar) mes presidentit serb dhe presidentit kosovar. Një shtet serioz, siç jeni realisht, duhet t’i jepte përgjigje direkte Senatorit, nëse ai ju akuzoi për “dorën ruse” në Ballkan.
Së dyti, juve ju ka djegur interpretimi i “Koha Jonë”, pasi shkruani në përgjigje tekstualisht se “Intervista e Ron Johnson-it, padyshim është e mbushur plot me sulme antiruse, çfarë edhe nuk përbën habi. Megjithatë, zoti S.P. e interpreton atë në mënyrë origjinale për të paraqitur tashmë akuzat të tij të rënda kundër Rusisë duke arritur deri aty sa të pretendojë se Moska gjoja dëshiron të përdorë “precedentin ballkanik” për rishikimin e kufijve të republikave ish-sovjetike”.
Në këtë fragment jeni keqkuptuar në interpretimin e shkrimit tonë, ose nuk jua kanë përkthyer mirë zoti ambasador, sepse padashje nga nënvozizmi juaj në përgjigjen drejtuar “Koha Jonë”, juve u ka shkuar gjuha tamam atje ju dhemb dhëmbi!
Së treti, zoti Ambasador! Ju ironizoni gazetën, duke mos ruajtur aspak sensin e etikës diplomatike. Unë e di se inatin e keni me Senatorin Amerikan për çfarë tha për Rusinë, por nuk mundet kurrsesi një ambasador të lejojë një përgjigje të tillë, sepse nuk besoj se Andrei, zëdhënësi juaj rus që flet shumë bukur shqipen, të ketë gabuar në përkthim. Ju duhet të dini se ne jemi gazetë e themeluar në kushtet kur akoma komunizmi shqiptar (jo ai rus) nuk kishte dhënë shpirt dhe bëmë të parën media të lirë në Shqipëri. Nëse nuk e dini, duhet të mësoni më shumë për shtetin ku shkoni si ambasador, zoti Karpushin!
Më lejoni t’ju them se kur ambasada juaj niste apo nis lajme në anglisht për t’i botuar gazeta “Koha Jonë” i ka botuar edhe kur mediat e tjera nuk t’i botonin. Ne e kemi bërë dhe e bëjmë për hir të profesionalizmit tonë, pavarësisht se nuk jemi dakord me shumë prej atyre lajmëve, por lajmi është lajm. Dhe i jepet publikut. Ky është profesionalizëm apo jo zoti ambasador?
Së katërti, kam bindjen se bota është më e sigurtë kur dy superfuqitë, SHBA dhe Rusia, merren vesh me njëra-tjetrën, kështu që edhe në Ballkan rezultati do të jetë si bien dakord prapë të dyja palët, ndonëse në këtë rast besoj SHBA-në.
Së pesti, zoti ambasador, nuk duhej kurrsesi të përdornit këto fjalë drejtuar “Koha Jonë”, siç shkruani se “Gazeta “Koha Jonë” demonstroi sot një shembull të qartë të një propagande naive dhe dukshëm qesharake. Duke përdorur një mënyrë kaq fëminore si atribuimi i fjalëve “të duhura” një personi tjetër, gazeta “ka demaskuar” planet që gjoja ka Rusia për rishikimin e kufijve në rajonin e Ballkanit”.
Është shprehje e nervozizmit tuaj si ambasadë dhe jo e qetësisë që karaktarizon rusët. Unë jam shumë i lirë në mendimet e mia, sikurse edhe gazeta që drejtoj, aq sa duke qenë edhe i pavarur, edhe privat, nuk mund të më pengojë njeri të shkruaj për gjërat pozitive ruse, sikurse kritikat për qëndrimet e Moskës në Ballkan dhe linjën e saj pro serbe.
Së gjashti, zoti ambasador ju nuk e njihni kurajon dhe lirinë e medias shqiptare në këto 28 vite, ndaj nxitoni të etiketoni gazetën “Koha Jonë” me atë fjalor aspak të denjë për ambasadën tuaj. Ne, shqiptarët, jemi aq të lirë sa nesër, nëse ka ndonjë biznesmen rus (korrekt ama) që do të investojë në Shqipëri, i ka dyert e hapura. Edhe në media, nëse doni. Ne kemi interes për turizmin rus, por edhe ju nuk keni asnjë pakënaqësi nga mikpritja shqiptare, si dhe nga bukuritë mahnitëse të vendin tim. Bile kam shkruar se Shqipëria ka interes për turizmin rus, sepse mbush ekonominë tonë dhe se do të ishte e nevojshme vendosja e linjës direkte Moskë-Tiranë në pikun e turizmit. E kam bindje këtë zoti ambasador. Siç kam prapë bindjen se duhen më shumë investime ruse në turizmin shqiptar, pasi keni mbetur duke investuar vetëm në Malin e Zi. E kjo edhe për fajin e qeverisë shqiptare.
Së shtati, ju citoni se “Ju kujtojmë se në fund të gushtit të këtij viti këshilltari i Presidentit të SHBA-së për sigurinë kombëtare John Bolton ka shpjeguar qëndrimin e Uashingtonit për dialogun aktual midis Beogradit dhe Prishtinës: “Politika e SHBA-së është e tillë që, nëse të dyja palët gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre dhe arrijnë një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë edhe korrigjimet territoriale”. Shtrohet sërish një pyetje: përse pas deklaratës së John Bolton-it zoti S.P. nuk e pa të udhës të shkruante një editorial për faktin se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe duan t’i heqin Kosovës “Trepçën” dhe Ujmanin?”
Pra ju keni dijeni se pazari Thaçi-Vuçiç ka në mes dhënien e minierës së Trepçës dhe liqenin e Ujmanit, Serbisë?! Apo edhe veriun e Mitrovicës ta marrë Vuçiç?
Së teti, zoti Ambasador. Ju keni lenë të kuptohet, mes rrjeshtave, se gjoja SHBA me anë të këshilltarit të Presidentit të SHBA-së për sigurinë kombëtare John Bolton do t’i lerë Serbisë, me ndërhyrjen ruse, zonën e minierave të Trepçës dhe veriun e Mitrovicës, siç ua citova më sipër. Nuk besoj se është kështu, por inistimi rus duket se mbetet krejtësisht në favor të miqve tuaj serbë. Dhe është e pranueshme se Rusia ka aleat strategjikë Serbinë dhe jo Shqipërinë e Kosovën. Në këtë rast me habit insistimi i presidentit kosovar Hashim Thaçi që luan, me dashje apo pa dashje, lojën serbe. Por kur të keqen e ke brenda shtëpisë nuk mund ta kërkosh te komshija! E dyta që më bën të jem dyshues dhe të besoj Senatorin amerikan Ron Johnson është dhe një deklaratë e ambasadorit rus në Serbi, Aleksandër Chepurin i cili, siç transmeton “Apostrophe” që i referohet kanalit televiziv serb RTS, ka thënë se “në veri të Kosovës, serbët jetojnë të bashkuar në Mitrovicë, Leposavic dhe Zvecan, ku qeveria e Kosovës nuk ka asnjë autoritet”. Dhe lë të kuptohet se kjo zonë veriore duhet të kalojë nën Serbi.
Së nënti, më duhet t’ju tregoj një shembull, kur hamëndësoni se gazeta nuk ka kurajo të thotë të vertetat, kur amerikanët gabojnë; gjithnjë duke iu referuar këshilltarit të sigurisë së zotit Donald Trump. Me lejoni t’ju kujtoj se pas referendumit, gadishulli i Krimesë ka shpallur pavarësinë dhe aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Federatën Ruse. Me shumicën dërmuese të votave, parlamenti në Krime ka votuar. Votimi në parlament erdhi pasi autoritetet njoftuan se 96.8 për qind e votuesve i thanë “po” bashkimit me Rusinë dhe shkëputjes së gadishullit nga Ukraina. Qeveritë perëndimore e kanë vlerësuar si të paligjshëm mbajtjen e këtij referendumi, ndërsa Rusia thotë se referendumi është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në vitin 1954, Bashkimi Sovjetik, në atë kohë nën udhëheqjen e Nikita Hrushovit, e transferoi Krimenë nga Republika Federative Socialiste e Rusisë, si pjesë të Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Krimea u bë pjesë e Ukrainës dhe Moska me Kievin ranë dakord ta ndajnë bashkarisht Flotën e Detit të Zi, të ish-Bashkimit Sovjetik. Në një anketë të kohëve të fundit të rusëve nga Qendra Shtetërore për Studimin e Opinionit Publik “All-Russia”, 56 për qind e të anketuarve e konsiderojnë Krimenë si pjesë të Rusisë.
Këtë citim e mora nga arkiva e “Zëri të Amerikës, zoti Ambasador.
Por që të vazhdoj më tej, për mendimin tim Krimeja duhet të jetë pjesë e Rusisë, pasi shumica e popullsisë është rusishtfolëse. Reagimi europian është i pavend në këtë rast, derisa ka një referendum popullor. Tani që e thashë mendimin tim si botues, ju mendoni se duhet të reagojë ambasada amerikane në të njëjtën mënyrë fyese siç reaguat ju vetëm se botuam e komentuam deklaratën e Senatorit Amerikan Johnson? Edhe nëse reagon, prapë ne jemi media e lirë dhe kemi mendimin tonë të pavarur. Nuk marrim leje as nga ambasada juaj dhe as nga ambasada amerikane.
Ndaj të shkruajta dje se nuk e njeh mirë historinë e gazetës “Koha jonë”, e cila është e para gazetë e lirë dhe private në Shqipëri, nga dyert e së cilës kanë dalë mbi 80 përqind e drejtuesve, analistëve dhe komentuesve kryesorë në vendin tim. Nëse keni ndonjë rast të tillë ju në Rusi, na e nisni ta propogandojmë. Liria e medias nuk njeh kufinjë, zoti ambassador!
Së dhjeti, zoti ambassador, me lejoni t’ju tregojë një histori shqiptare, por që lidhet me ambasadën ruse në Tiranë. Ju keni një njeri që merret me median dhe që quhet Andrei. E thashë dje se e flet gjuhën shqipe më mirë se shumë zyrtarë shqiptarë. Detyra e tij mbetet të ketë sa më shumë lidhje me median shqiptare. E pranueshme, pasi çdo ambasadë kërkon ta mbajë mirë me median për të anoncuar lajmet nga shteti i tij. Dhe ky Andrei rus, që flet shqipen më mirë se sa rusishten, na erdhi një herë, vjet, me disa kutia me vodka, dhuruar nga ju zoti ambasador. Natyrisht e prita në klubin e gazetarëve të “Koha Jonë”, ngjitur me redaksinë. Por ku ta dija se po e ndiqte SHISH-i! Në fakt unë i përgjuar kam qenë që në vitin 1992 kur ishte Bashkim Gazidede në krye të Sherbimit Sekret, por me kanë rënë shtatë lëkura, tashmë, dhe nuk ma ndjen fare. Bile e marrë me humor e kënaqësi këtë survejim. Nëjse, vjen Andrei juaj dhe ulet në karrike, por për dreq çantat ishin të mbyllura, ku nuk shikohej se çfarë kishte brenda. Bëmë muhabet, siç ndodh rëndom dhe më thotë se ambasadori ka dërguar për ju, kryeredaktorin dhe zv/kryeredaktorin nga një shishe vodkë. Dhe siç ia do detyra përfaqësuesit tuaj me kërkon se a mund të botoni diçka për disa artistë rusë që do vijnë në Tiranë. I thashë mënjëherë “po” dhe porosita një gazetar të bënte kronikën. Natyrisht ishte lajm se vinin artistët rusë, aq me tepër që Rusia shquhet ndër shekuj për muzikën dhe artin. Andrei iku dhe unë mora nga tavolina tre çantat me vodka, i çova në zyrë. I lashë aty sepse kur do vinte dimri ishin pije e shkëlqyer. Vodkë ruse! Por spiunët e SHISH nuk kishin reshtur duke shkruar dhe fotografuar në kafe; mua, çantat dhe Andrein. Të nesërmen mbërrijnë dy agjentë të SHISH në bar-kafenë e “Koha Jonë”. Dhe kishin thirrur një gazetar të gazetës, duke e pyetur se ç’kishte në ato tre çanta që i dhanë shefit tuaj, këta rusët, se ku i ka lenë çantat, etj, etj. Ishte gazetar i ri, ai, dhe nuk kishte përvojë në raportet e konfliktëve me SHIK (SHISH). Kur dreqi ta sjellë sherrin hapi udhën, themi ne shqiptarët. Hyra në kafe dhe shikoj gazetarin që ishte zbehur. E pyes se çka dhe me thotë se “këta janë të SHISH, po më pyesin për ty…”. Dhe sa ishin në kafe hapën sytë e mbyllen veshët; dikush iku me vrap, sepse fola diçka si punë sharje, u thashë gazetarëve të mijë t’i fotografonin dhe filmonin dy pjestarët e shërbimit sekret që kishin ardhur të merrnin vesh për çantat me vodka që na solle, dhuratë. Dhe kam marrë në teledon, në çast, kryetarin e SHISH, asokohe Visho Ajazin. Lum veshët e tij ç’kanë dëgjuar atë ditë! Po të doni, pyeteni se e keni ambasador në NATO, ku as sot nuk e di ça dreqin bën.
Ndaj zoti ambasador nuk e njihni historinë e gazetës. “Koha Jone” nuk është një ndër gazetat e tjera në treg. Është me shumë se kaq, është historia e këtyre 28 viteve të Shqipërisë, sidomos e dekadës së parë të pluralizmit. Është kurajo, profesionalizëm, është ikonë.
Së fundmi, presim prapë shishet dhuratë me vodka, këtë fundviti./kohajone/