Sadik Bejko: Hije apo kufomë?
Vullneti për të kundërshtuar të kthehet mbrapsht.
Kur me dorën tende veten merr e merr në shenjë,
të paktën, për kaq duart i ke të lira,
të paktën, për veten duart nuk t’i kanë zënë.
Vullneti për të kundërshtuar baraz zero
Që do të thotë mohim, s’të takon me as vetja,
do të thotë dhe atë ta kanë marrë,
Je ne zero jetë, as te gjallja, as te vdekja.
Vullneti për të kundërshtuar në fyt të shtypet.
… je një zero që ende merr frymë,
brenda rrethit të hiçit ke leje te vërtitesh,
Ne daç plas, në daç, nxirr ahe dhe shkumë.
Vullneti zero e flak, e lakuriq pa mish iluzionin.
Je kufomë… nuk panohesh në altar,
fantazmat, shajnitë s’i qas si kalorës mejdani,
hijet s’ kanë shpatull, as shpinë hajvani për samar.
Vullneti për të kundërshtuar – zjarri i fareve –
e shkrumbon ishullarin, të vetëburgosurin e mjerë
Ai shenjon veten, bëhet shuk, bëhet gur,
me mish e kocka, një hije luhatëse nëpër erë.
Mëshirë për atë që mori veten në shenjë,
mori shenjë hijen e tij dhe s’e arriti dot:
Pranoi hijen që të mos kthehej në kufomë,
Jetoi mes aq kufomash që sillen rrotull në botë.
Në s’e faltë shekulli, le ta falë njeriu.
një hije, që herë-herë ishte i gjallë dhe njeri,
që s’e shiti veten ndryshe, nuk i shiti as të tjerët…
e përcjelltë mëshira, mos pësofshi si ai.
Prill 1990
Nga libri “Si vdes gruri”, botim 1994 (Piktor Maks Velo).