Albspirit

Media/News/Publishing

Shkolla ‘Kadare’ e romanit shqiptar

 

Illo FOTO

 

Disa lexues më sugjeruan të prononcohesha, për veprën letrare të Kadaresë. Edhe mbasi shkrova esenë për jetën bashkgjimnaziste me Kadarenë, në 80- vjetorin e lindjes, ata përsëri kërkuan që unë të prononcohesha më gjerë. Këtë prononcim po e realizoj sot, kur njihen shumë shqiptarë dhe të huaj që kanë shprehur mendime rreth veprës së Kadaresë, që përfaqëson një periudhë të gjatë të historisë, kulturës dhe veçanërisht të letërsisë shqiptare. Unë do të përdor analizën klasike, që kemi mësuar nga profesorët e shquar, që vinin nga shtresa e intelektualëve të viteve ’30 të shekullit të XIX.

Për të analizuar një shkrimtar mendoj se duhet të parashtrosh karakteristikat e mjedisit politik ku është shtrirë prodhimtaria e tij dhe shteti, ku është kryer kjo veprimtari. Shkrimtarët janë produkt të situatave historike. Veprimtaria më e gjerë e Kadaresë është zhvilluar në Shqipëri, ku sundoi për afër pesëdhjet vjet, Enver Hoxha, stalinisti më ekstremist i Europës Lindore. Vendi ishte i mbyllur hermetikisht me botën. Nuk njihej prona private. Ishin të eliminuar të tëra institucionet fetare të 4 religjioneve. Kontrollohej me skrupolozitet e tërë jeta politike, ekonomike, kulturore, ushtarake, arsimore e vendit.

Kadareja i mbijetoi këtij regjimi me letërsi të nivelit të lartë. Arma e vetme e Kadaresë ishte vetëm letërsia. Në të tërë kohën Kadare, ka qenë i shpallur kundër regjimit, herë drejtpërdrejt dhe shumicën e herëve, me shkrime metaforike. Në të dy rastet, flet vepra e tij e shkruar. Nuk ka pse hamendësohet. Vepra e shkruar, është vetë shkrimtari.

Një poemë e tij e shkruar me pathos dhe nivel të lartë artistik dhe objktivisht antiregjim, ishte poema “Pashallarët e kuq”. Është kritikë e drejtpërdrejt për trurin e diktaturës, Byronë Politike. Kadarejea e humbi durimin dhe i quan, byroistët, pashallarë, autokratë të pa diskutueshëm, që marrin nëpër këmbë interesat e popullin e thjeshtë dhe vegjetojnë në kurriz të tij. Kjo poemë, përveç anës artistike të përkryer, fshikullon politikisht, pa dorashka, pa metafora, drejtpërdrejt në zemër të sistemit. Në emër të popullit, Kadereja jep pretencën, për këtë byro autokrate. Ky është Kadareja, poet i ri. Poezitë e tjera i shërbejnë mbijetesës të poetit të rrebeluar, që vinte nga një familje e varfër qytetare, pa asnjë lloj suporti nga të tëra regjimet.

Cili shqiptar do të guxontë te shkruante një poemë, kaq kritike si “Pashallarët e kuq“? Një poemë e tillë edhe sot nuk mund të shkruhet lirshëm, sepse të hidhen sysh nostalgjikë. Kur i dhanë këtë poemë, Diktatorit i ra letra nga dora. Nuk mund të parafytyronte një burrë, në guvernën e tij, të kritikonte si antipopullore Byronë e tij Politike, që drejtonte shtetin shqiptar. Ideologjia dhe politika e kohës, e quanin Byronë Politike, jo thjesht të pagabueshme, por gjeniale në arsyetim, gjykim, filozofi. Byroja që iu kundërvu 81 partive të botës! Ajo byro mund të kritikohej vetëm nga Lenini, nëse do të ishte gjallë. Përveç Kadaresë, nuk ka burrë tjetër, të ketë thënë gjysëm fjale, kundër kësaj byroje të hekurt. Poema e famshme iu nënshtrua gjykimit enverist: U mblodhën kopjet kudo që ishin, gazetat, revistat, libri, bosetat dhe u zhdukën nga faqja e dheut, duke shënuar një shkallë të lartë inkuizicion edhe për qeverisjen e kohës.

Përveç faktit kryengritës të poemës, Diktatori, Shqipëria dhe lexuesit, njohën një talent të madh letrar, që u rrit brenda Republikës së vogël. Poema ishte e nivelit të lartë kompozicional dhe artistik.  Diktatori nuk mund ta dënonte më ashpër, se sa inkuizicioni, sepse priste që Kadare të ulte kokën dhe të kthehej në poet oborri. Gjë që nuk ndodhi. Ai vijoi të krijonte letërsi artistike në nivelet më të larta se poema antibyroiste. Kadareja nuk u mor me politikë. Politika u mor me të. Ai nuk donte të futej as në parti, as në ofiqe.

Shpirti i tij ishte gatuar dhe mbeti rrebel. Më mire se kushdo, e tregon vepra e tij.  Pozitat partiake iu dhanë se i duhej regjimit. Shteti e dinte që Kadareja i vërtetë, ishte autori i “Pashallërve të kuq”. Që Kadareja nuk lëvizte nga idetë e poemës inkuizitare, e kishin pohuar Enveri, Mehmeti, Hekurani dhe Todi Lubonja, që përfaqësonin Byronë Politike, kulturën dhe vetë shtetin enverist. Gjatë gjithë kohës dhe në vijim, të gjithë shtresat shoqërore dhe moshat, prisnin me padurim, të dilnin nga shtypi vepra me firmën, Kadare. Ishin ngushëllim për jetën e mbyllur dhe reprekusionet, që kalonte vendi, në monizmin e mbyllur.

Pas viteve të gjimnazit, Kadare iu përkushtua prozës së gjatë, që ose të ngrë në apogje, ose të harron, nëse ke qenë ndonjëherë i gjallë. Proza është me temë historike, folklorike dhe nga realiteti i kohës. Kritikët e vlerësuan me nota superiore prozën kadareane. Lexuesi dallonte figura metaforike, që ironizonin me shumë finesë sistemin. Situata fliste se ishte përgatitur një prozator, jo vetëm me perspektivë, por ishte një prozë ndryshe nga botimet e bashkëkohësve, që shkruanin shqip. Prozë e rrjedhshme, me shprehje figurative dhe me fjalëformime të reja. Mbi të gjitha, me tingull poetik. Nuk ka dallim cilësor midis romaneve të Kadaresë. Të tërë janë të nivelit të lartë, nga i pari tek i fundit. Proza e Kadaresë nuk ka ndërpreje, nga sistemet, ku është shkruar. Është e njëtrajtshme. Njerin, prej romaneve të shumtë, e ka mohuar vetë autori, duke spjeguar dhe rrethanat, kur u shkrua.

Kritizerët nuk thonë as një fjalë për prozën dhe teknikën romanciere, por shpikin llafollogji politike, që s’kanë lidhje me artin dhe krijimtarinë. Këta janë kritizerët e Kadaresë, të tjerët janë milionat e lexuesve, brenda dhe jashtë trevave shqiptare.

Historia e romanit shqiptar ka qenë tradicionalisht e varfër. Shkrimtarë  shqiptarë patën filluar të shkruajnë romane, në mesin e dytë të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Përmendim romanin e Mustafa Greblleshit “Gremina e dashurisë” dhe më vonë Sterio Spasse shkroi romanin “Pse?”. Të dy romanet kanë të meta strukturore dhe letrare, por shënojnë një fillim, për një vend me letërsi romaneske të pazhvilluar. Më vonë u duk romani i Haki Stërmilli “Sikur të isha djalë”. Ky roman ruan strukturat e zhanrit dhe mund të konsiderohet thyerje e varfërisë së periudhës romanciere shqiptare. Gjatë luftës, për 6 vjet dhe fillimet e shtetit monist, për 10 vjet konsiderohet një periudhë vakum për historinë e romanit shqiptar.

Mbas luftës, ish Lidhja e Shkrimtarëve, nën ndikimin e forumeve politike të kohës, kërkonte nga shkrimtarët të merreshin me lëvrimin e kësaj gjinie, mbi bazën e metodës së Realizmit Socialist. Ka shumë vendime, kongrese shkrimtarësh dhe porosi qeveritare eprore, që të shkruhej romani i parë shqiptar i Realizmit Socialist. Për të paraqitur modele u përkthyen shumë romane sovjetike, tipike të rrymës, si romanet “Nena” e M. Gorkit, “Garda e re” e Fadakevit, “Si u kalit çeliku” i Nikolla Ostrovskit, etj. Thirrja e Partisë enveriste për të botuar romanin e parë shqiptar të Realizmit Socialist, përsëritej me forcë. Ish kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Shefqet Musarai botoi në shtypin letrar të kohës fashikuj nga romani i tij “Belxhiku që këndon vënçe”. U desh shumë kohë, që ky roman i plotë të shihte dritën e botimit. Ishte roman nga tema e luftës, sipas frymës të Realizmit Socialist.

Ndërkohë, një shkrimtar erudit i kohës, Dhimitër Shuteriqi botoi volumin e parë të romanit “Çlirimtarët”. Roman i shkruar në formë didaktike, për të diktuar metodën e Realizmit Socialist. U shkruan dhe romane të tjerë, që ndërtoheshin po në të njëjtin linjë: frymë të theksuar partie, përpjekjet e personazhit pozitiv për të ndërtuar të renë dhe domosdoshmërisht fitonte heroi pozitiv, duke u bërë shembull për brezat. Një roman plotësisht të ngjashëm me këtë skemë shkroi dhe ish autori i “Pse” Sterio Spasse. Romani i tij kishte titullin “Ata nuk ishin vetëm”. Plotësonte kushtet e socrealizmit.

Është koha kur filloi të shkruaj romane i riu Kadare. Ky romancier qëndron në pozita të tjera. Të tërë romanet, që shkroi në monizem, jo vetëm mbijetuan, por janë kryevepra të autorit dhe të tërë romanit shqiptar dhe më gjerë, kur kemi parasysh që kërkohen nga lexuesi dhe jo vetëm ai shqiptar. Asnjë prej romaneve të tij nuk i përmbahej skemës së socrealizmit. Të shkruara brenda kësaj periudhe me ethe, por ishin model i trajtimit artistik, të problemit që trajtonin. Këtë realitet nuk mund ta mohojë askush, pavarësisht dozave toksike të egoizmit. Në Shqipëri tradita e romanit ishte e varfër, por Rilindasit kishin krijuar një letërsi me vlera të mëdha atdhetare dhe artistike, ndërsa pasuria folklorike shqiptare është në nivelin më të lartë të mundshëm. Këta dy faktorë u bënë shtrati ku lindi dhe u rrit proza kadareane.

Prodhimtaria romanciere e Kadaresë është shkruar në pjesën më të madhe të volumit, gjatë enverizmit. Vijon të shkruaj dhe në erën demokratike. T’i krahasosh këto vepra të dy sistemeve nuk gjen asnjë ndryshim. Kadareja ka ndjekur kreshendon e vet si shkrimtar i popullit, pavarësisht regjimeve ku ka jetuar dhe ka shkruar. Nuk njihet ndonjë shkrimtar, që të jetë edhe shkrimtar oborri, edhe i lexuar nga masa e gjerë popullore. Brezat pasardhës lexonin dhe lexojnë masivisht Kadarenë dhe të ngjashmit me të. Kadareja ka qenë dhe mbetet shkrimtar i madh i popullit. Ka sakrifikuar jetën për të shkruar në kohën moniste, pothuaj tërësisht jashtë metodës strikte të Realizmit Socialist. Në Europën Lindore ka pasur disidentë, antistalinistë, që janë martirizuar për demokracinë, por Kadareja ka qenë një i vetëm që ka demaskuar diktaturën me metaforë letrare dhe ka mundur të mbijetoi. Triumfoi letërsia e vërtetë. Stili kadarean nuk ishte parë, as në forma embrionale. Diçka e re dhe e pa pritur, e pëlqyer dhe e miratuar nga të tërë lexuesit, pa përjashtim. Kur them nga të tërë lexuesit, kam parasysh edhe Enverin, që ishte lexues i kualifikuar.

Proza kadareane është e dlirë si burimi që gurgullon

Kritika dhe recensa për veprën e Kadaresë, kanë shkruar shumë personalitete të letërsisë dhe kulturës, por kanë shkruar dhe njerëz të rëndomtë, gazeta, portale, njerëz të politikës dhe kritizerë të vegjël. Pse kaq shumë? Sepse Kadareja i është dashur dhe i duhet çdo krahu politik, për certifikatë mirësjellje të tyre ose të partive të caktuara. Kadare ndenji jashtë politikës konfliktuale pluraliste. Shtatin e tij të lartë nuk e nxinte dera e partive të postdiktaturës. Ai duhej të përkulej te pragu i derës. Ai i përket popullit dhe populli e di këtë dhe e ndjen për ditë. Kjo gjë faktohet nga numur i lexuesve. Është shkrimtari më i lexuar dhe më i cituar, nga të tëra shtresat shoqërore, nga të tëra moshat dhe religjionet. Këtë shtrirje unë e quaj popullore dhe s’ka si të jetë ndryshe.

Brezat e lexuesve i ka lidhur dhe do të vijoi t’i lidhi vepra popullore e shkrimtarit, pa influenca politike. Proza e Kadaresë, shkruar më gjuhën popullore rrjedh pa pengesa dhe pa korniza kufizuese. Personazhet vijojnë rrugën në të tërë honet e jëtes dhe zgjidhin problematikën, pa sforcime dhe ndërhyrjen e autorit. Nuk gjendet gjëkundi heroi pozitiv i veçuar, që të marri detyra shtesë. Herojtë e prozës kadereane janë frymore, pa merita shtesë, duke përfunduar natyrshëm detyrat, që i kanë vënë vetes dhe ato që pret shoqëria ndaj tyre. Të tërë personazhet janë të barabartë dhe të lirë, për rolet që kryejnë. Në këtë kuptim, Kadareja krijoi shkollë tjetër të prozës, jashtë klisheve dhe kufizimeve të Realizmit Socialist, që ishte metoda zyrtare e krijimit në artin dhe letërsinë e kohës. Romanet e këtij shkrimtari janë njëlloj të kërkuara, në të dy sistemet që përjetoi Shqipëria. Personazhet kane emra reale ose të nënkuptuar, që nuk i merr përdore autori, por ecin drejt fatit të tyre.

Kadarea e gjeti romanin shqiptar në vakum dhe e ngriti në Everestin e romanit bashkëkohor. Sot Shqipëria ka më shumë romancierë të afirmuar se sa mund të parashihin studimet me optimistë. Kadareja nuk ka rrahur gjoksin se ka krijuar një metodë të re romanciere. Këtë e kanë pohuar shkrimtarë, kritikë, letrarë të rinj, profesorë, lexues të huaj dhe të vendit, intelektualë.

Kur nisa të shkruaja këtë ese për veprën e Kadaresë, mu desh patjetër që t’u drejtohesha profesionistëve të fushës, për një vlerësim të këtij niveli. Çfletova shkrimet e dy profesorëve të shquar të gjuhësisë dhe kulturës shqiptare, Moikom Zeqo dhe Agron Fico. Të dy kanë shkruar vlerësime të mirfillta dhe të thella për veprën e Kadaresë. Gjykimi im është i prerë. Vlerësimet e të dy profesorëve zhvleftësojnë të tëra gjykimet amatoreske që janë dhënë pa përgjegjësi kundër, për këtë gjigand të penës letrare krijuese. Të dy profesorët flasin me superlativa për krijimtarinë Kadare, këtë mal të lartë që ndan letërsinë skematike nga letërsia e stilit të lirë.

Opinionet e M. Zeqos dhe Agron Ficos e bëjnë të qartë figurën gjigande të Kadaresë. Edhe kritizerët e Kadaresë kanë mbetur të befasuar, kur janë njohur me romanet ‘Gjenerali’, ‘Piramida e Keopsit’, ‘Vajza e Agnamenonit’, ‘Pallati i ëndrrave’, ‘Muzgu i perëndive të stepës’, ‘Qyteti i gurtë’, etj. Cmira dhe xhelozia i ka detyruar të shkruajnë ndryshe nga ç’ndjenin, me synimin e qartë për të mos u vlerësuar nga forumet, që e kanë obligim këtë vlerësim. Lexuesit e tij në vendlindje dhe në botë vërtetojnë se Kadare mbetet një personalitet i letërsisë nacionale dhe botërore. Arti i tij i të shkruarit, me figura letrare dhe fantazi filozofike, e bëjnë prozën e tij të larmishme dhe të pa shoqe në Shqipëri, pa diskutim, por dhe më gjerë.

Moikom Zeqo spjegon se proza e Kadaresë është aq impresionante sa që mundi dhe vetë Diktatorin. Impresionante e bën forma dhe subjektet që trajton. Subjekte mund të zgjedhin shumë krijues, por pak prej tyre u japin jetë. Kadareja u jep jetë edhe gurëve të “Sokakut të të marrëve”.

Moikom Zeqo i ka porositur shkrimtarët e rinj të ndjekin gjurmët ku ka shkelur Kadareja, për t’u bërë të lexueshëm nga shqiptarët dhe nga lexuesit e huaj. Shembull konkret është letërkëmbimi i Moikom Zeqos me shkrimtarin martir Frederik Reshpja. Ky letërkëmbim është bërë në vitin 1971. Midis të tjerave në këtë letër shkruhet: “Romani ‘Kronikë në gur’ është një roman I ri.  S’e kam fjalën, për kohën, por për cilësinë. Të tëre romanet e tij janë befasues. Të shkruara ndryshe. Janë novacione, që i kërkon koha. Kjo është shkolla kadareane e romanit. Proza kadareane shkrin brenda vetes, thellesinë e mendimit të prozës klasike romaneske botërore, me prozën tregimtare të folklorit shqiptar, të pasuruar artistikisht . Kemi të bëjmë me një prozë befasuese, që të bën për vete dhe të fut në shtigje, që i gjen vetëm një talent i lindur dhe që e ka mbështetur talentin me punë titanike”.

Në këtë bashkëbisedim shkrimtarësh janë thënë të gjitha, sa duhej që karakterizon veprën Kadare, si shkolla e romanit shqiptar. Këtë shkollë e ka çelur vepra e Kadaresë. E ka zanafillën në diktaturë dhe vijon të zhvillohet me hapa të pa ndërprera deri në ditët e sotme. Në këtë shkollë kanë shkuar dhe do të shkojnë brezat e romancierëve. Njerëzit pa shkollë mbeten autodidaktë.

Shqiptarët rrinin me zemër të ngrirë çdo të thoshte Diktatori, për librin e famshëm “Dimri i vetmisë së madhe”, ku Diktatori ishte personazhi qendror. Shumë organizarta rinie dhe fronti, ekstremistë e cilësuan autorin Kadare, njeriun kapitalisto-revizionist, që ishte futur kontrabandë në shoqërinë shqiptare, që bënte roje në brigjet e Adriatikut. Kadareja  paraquhej i ekzekutuar nga çasti në çast, por Diktatori, për befasinë e të gjithëve, doli në mbrojtje, duke bërë pak vërejtje, që autori i reflektoi, duke ndërruar edhe titullin në “Dimri i madh”. Natyrisht titulli i parë ishte shumë i saktë dhe kuptimplotë. Ky libër me vlera ndërkombëtare lipset të ruaj titullin fillestar. Vetëm ai titull parasheh çthurjen e sistemit stalinist dhe vetminë e enverizmit në arenën ndërkombëtare. Askush në Shqiperi dhe më gjerë, nuk ka arritur të shkruaj ndonjë roman, në nivelin artistik dhe strukturor të veprave të Kadaresë, për një event me rëndësi maksimale politike botërore. Më thoni një!

Kadareja është romancier lider, deri sot i pa arritshëm, të paktën për rajonin e Ballkanit

 

Pse u tërhoq  Diktatori nga vendimi për ta asgjësuar Kadarenë si shkrimtar dhe si njeri? Sepse u bind në gjenialitetin e këtij shqiptari? Për përjetësine fallco, Diktatorit i duhej edhe një gjeni. Kadareja e mundi Diktatorin me fjalën artistike, me letërsinë. Fjalët e tepërta janë fukarallëk, thotë populli. Diktatori nuk mund të ishte indiferent ndaj një fenomeni të furishëm, që lindi brenda gubernës së tij. Kritizerët e sëmurë mbeten shumë prapa Diktatorit, në gjykimin objektiv për një bashkëkombas.

Kadareja nuk e ndryshoi stilin dhe metodën e tij origjinale, që nuk përputhej me rrymën e detyrueshme zyrtare të Realizmit Socialist. Kjo ka vetëm një emër: letërsia mundi Diktatorin, për aq sa mund të bëjë letërsia.

Profesor Agron Fico, albanolog, folklorog dhe profesor i gjuhës në shumë shtete, në librin e vet “Me hapin e kohës”, botim në Tiranë 2018, i ka dedikuar disa kapituj, zbërthimit të veprës së Kadaresë në Europë dhe Amerikë. Autori komenton disa vepra të shkrimtarit. Në faqen 105 të librit, prof. Fico shkruan: “Ne, shqiptarët e kemi pritur dhe e presim, që Kadareja të marri çmimin ‘Nobel’, ose më saktë që komisioni suedez për këtë çmim t’i japi Kadaresë këtë vlerësim”. Autori Fico përshkruan jehonën, që i bëri shtypi amerikan dhe vlerësimi i lexuesit në Amerikë, shqiptarit Kadare.

Le të përmendim vetëm një fakt. Romani “Dosja H” në anglisht u mirëprit nga lexuesi. U përurua në një nga sallat e OKB, ku morën pjesë 28 ambasadorë, nga vende të ndryshme të botës. (Po aty, faqe 107). Libri i prof. Ficos përmban dhe fakte të tjera, që e paraqesin Kadarenë një shkrimtar epokal, që e ka denoncuar totalitarizmin, me të tërë forcën e artit të letërsisë. Në përfundim autori Fico shprehet:  “Kadare, me personalitetin e tij kompleks, si shkrimtar, erudit, studius i pasionuar i kulturës dhe gjuhtar krijues ka hyrë përjetësisht në panteonin e njerëzve të shquar të kombit shqiptar”. (Po aty 109).

Në faqen 113 të librit prof. Fico shkruan një artikull në anglisht ku bën një përmbledhje të shkurtër të veprës së Kadaresë si dhe opinionet e shtypit boteror dhe atij amerikan, për shkrimtarin e famshëm.

Të dy profesorët e shquar shqiptarë kanë dhënë mendime reale dhe profesionale, lidhur me vlerësimin e Kadaresë, duke e quajtur shkrimtar të pa arritshem deri më sot. Kjo është krenari për kombin e stërlashtë shqiptar, për gjuhën dhe letërsinë e tij. Shkrimtari Ndue Ukaj, në shtator 2017 shkruan: “Të kesh një shkrimtar të tillë, në hierarkinë më të lartë të vlerave, është nder dhe privilegj për çdo komb”.

Brezat e romancierëve të postmonizmit ndjekin me shumë vëmendje dhe pasion shkollën Kadare. I detyron indirekt lexuesi, që kërkon vepra jashtë skematizmit, që instiktivisht është zëvendësuar nga proza Kadare. Simbas skemës Kadare shkruajnë edhe kritizerët ambiciozë, që ‘të vrasin ditën dhe të qajnë natën’.

Aktualisht prodhimtaria romanciere, në sasi dhe cilësi është në nivelin më të lartë historik të kombit.

 

New York, Shtator 2018.

Please follow and like us: