Albspirit

Media/News/Publishing

Francë, sekuestrohen 1 milionë euro drogë me flamurin shqiptar

Policia franceze kanë sekuestruar 104 kg kanabis dhe 984 gr heroinë të pastër që dyshohet se vinte nga Shqipëri. Në pranga është vënë një shtetas shqiptar, ndërsa ka dyshime se bëhet fjalë për një organizatë të strukturuar të trafikut të drogës.

Droga u sekuestrua në një apartament në “42 Avenue Berthelot” në distriktin e shtatë në Lyon, aty ku 4 muaj më parë hetuesit franceze zbuluan se ky vend shërbente si vazë logjistike për trafikantët shqiptarë të drogës. Në fund të majit, 10,000 euro të dyshuara si të përfituara nga trafiku i heroinës u zbuluan pas arrestimit të një azilkërkuesi që kishte çelësat. Ky i fundit u dënua me tre vjet burgim.

Siç raporton media franceze  “Le Progres”, trafikantët duke imagjinuar  se policia nuk do të kërkonte në të njëjtën adresë dy herë, vazhduan aktivitetin. Por, apartamenti ishte këtë javë skena e një konfiskimi rekord për policinë lokale, me një stok të kanabisit bimor dhe heroine me një vlerë tregu prej një milion euro.

Sipas “Le Progres” kohët e fundit, policia mori informacione se një apartament në distriktin e shtatë përdorej si një depo nën mbikëqyrjen e një shtetasi shqiptar.

Hetimet i çuan në një adresë që i njihnin mirë, pasi ishte përdorur nga trafikantët më herët. Të hënën, gjatë një mbikëqyrje, policia pa një person që po largohej nga banesa. Ata shfrytëzuan mungesën e tij për të sjellë në zonë një qen të specializuar në nuhatjen e narkotikëve, i cili qëndroi përpara derës së banesës në fjalë.

Hetuesit pritën që i dyshuari të kthehej në shtëpi dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë hapur derën e banesës.

Ky i fundit, pasi kuptoi se në banesën e tij u futën efektivët e policisë, u përpoq të largohej duke dalë nga ballkoni, e më tej kaloi në çati. Por, u arrestua pak kohë më pas.

Në apartament, policia gjeti 104 kg kanabis dhe 984 g heroinë të pastër. Kanabisi dyshohet se vinte nga Shqipëria.

Gjatë ndalimit të shqiptarit, që zgjati 96 orë, ai nuk dha asnjë informacion për bashkëpunëtorët e tij. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u paraqit këtë të premte në zyrën e prokurorit.

Megjithëse nuk është krijuar asnjë lidhje formale mes tij dhe rrjetit të shpërbërë në maj, përdorimi i të njëjtit apartament dhe shtetësia shqiptare, ngrenë dyshime se i arrestuari ka lidhje me një organizatë të madhe kriminale.

Please follow and like us: