Jannis Ricos: Medalja
Ish një djalosh i shumëlëvduar,
bujar, i qeshur, zemërmirë,
Kostaqi i Lenos, diellnxirë.
Me trup të bronxtë e të lëmuar
që mbaj në vesh një karafil
cullufen e hedhur tebdil.
Në valle pupël, erë veriu
në zë e këngë, bilbil gjyzar
në fshat na qenkësh trim i parë.
Sa binte mbrëmja vetëvetiu,
tërë çupëria i ngrij pusi,
e ku kish tjetër si ai.
Në dorë të tij bëheshin lodra,
shatat e rënda e kazmatë
edhe djerrina, tokë e thatë
bëhesh pjellore, e bahçe kodra,
me punë të tij mbante shtëpinë
në luftë përditë me varfërinë.
… E po tani, kush e njeh vallë
djalin azgan që vij tebdil,
që mbaj në vesh një karafil?!
Si trup i huaj vjen vërdallë
dang – dung i çalë në gjitoni
e kush të kthejë sytë nga ai?!
Humbi një këmbë duke luftuar,
me trimëri, e si shpërblim
i dhanë lëvdata, e për nderim
një patericë, për ta kujtuar
në gjoks i varën medaljon
të rëndë, që ndrin e vezullon.
Darkave motrat i bërtasin,
tretur në punë, në gërnjë e vaj
tek zbukurojnë të botës pajë.
Atë, sakat veç e thërrasin
e parazit, e mysybet.
Kosta ul kokën e nuk flet.
“Ti nga më njeh, ku jemi parë”?
i thotë mbarë fshati anë e kënd
që për atë mbetej pa mend.
-Atdhe, të bëfsha naftën mbarë!
dhe hedh medaljen në hale,
aty e lë.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, maj 2014.