Albspirit

Media/News/Publishing

Vllasova Musta: DAMARËT

 

Befasisht
M’u shfaqët nëpër duar
Nuk ju kisha parë deri dje
Ju, damarë
Si rrjedhë e ngatërruar
Tek pulsoni,
Ngjani si rreke.

Mbi pëllëmbë të dorës
Keni dalë
Mbi pëllëmbë të dorës
Zutë vend
Dhe m’u shfaqen vite pambarim
Dhe më erdhën
Ngjarje nëpër mend.

Si ylber nga qielli
Erdh’ litari,
Që e mbaja fort në fëmini
Sa herë loznim shoqesh
Tek oborri,
Sa herë ngecja brenda
Një, dy, tri…

Me këto duar
Çantën plot me libra
E kam mbajtur
Mbushur me gëzime
Me këto duar
Putha
Përqafova
Me këto duar,
Rrita vajzën time.

Nënës dhe babait
Gjer në fund,
Me këto duar ua freskova ballin
Ç’më kujtuan sot këta damarë
Ngjarje,
Që ndër vite ruajnë
Mallin.

Me këto duar bëra pandërprerë
Eh, sa punë,
Sa punë në një jetë…
Sot,
Më ngjani me një copëz hartë
Ku lëvrijnë
Lumenjtë
Qetë, qetë.

I fërkoj, i prek me butësi
T’i qetësoj nga lodhja këta damarë
Kemi dhënë bashkë dashuri
Kemi dhënë
Por,
Dhe kemi marrë.

Please follow and like us: