Albspirit

Media/News/Publishing

Nikos Kotzias: Nuk ka as çështje e as kthim pronash për çamët

Greqia nuk pranon në asnjë mënyrë që bisedojë me Shqipërinë për çështjen çame. Pavarësisht zërave jo zyrtarë nga Tirana se ka pasur bisedime rreth kësaj çështje midis dy palëve gjatë negociatave për marrëveshjen e shumë pritur shqiptaro-greke, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka përsëritur edhe një herë tjetër publikisht në mënyrë të prerë refuzimin për bisedime rreth çështjes çame.

“Nuk kemi folur asnjëherë për çështjen çame dhe as nuk do ta pranoja një bisedë të tillë”, ka deklaruar dje Kotzias gjatë një interviste të dhënë live për radion greke “24/7”, deklaroi Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë, raporton Shqiptarja.com.

Pronat
Madje Kotzias ka shkuar edhe më tej duke deklaruar se çamët nuk do të kenë asnjë të drejtë të përfitojnë pronat e tyre apo dëmshpërblim për to nga heqja e Ligjit të Luftës, siç ishte lënë të kuptohet nga pala shqiptare. Ai ka deklaruar se nga heqja e Ligjit të Luftës do të përfitojnë vetëm shtetasit shqiptarë të cilëve u është ngrirë pasuria nga shteti grek para fillimit të luftës italo-greke, pra në vitin 1939 dhe jo për ato të çamëve që u dëbuan gjatë viteve 1944-46 dhe pronat e tyre u sekuestruan.

“Është një gjë tjetër çështja e pasurive të ngrira. Sapo të hiqet Ligji i Luftës pasuritë e shqiptarëve të para Luftës mund të kthehen. Por, është komplet gjë tjetër kjo me pasuritë të cilat u sekuestruan nga grupi i udhëheqësve të çamëve në Thesproti (emri me të cilin grekët quajnë Çamërinë)”, u shpreh Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Pakti detar dhe Turqia
Për sa i përket negociatave për Paktin Detar me Shqipërinë Kotzias është shprehur se Greqisë i intereson më tepër ndikimi që do të ketë mbi ishujt e vegjël që janë mbi Korfuzin e sidomos për ishullin Othon.

“Baza për përcaktimin e territorit detar do të jetë përcaktimi 12 milje. Kjo është hera e parë që Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territorial”, deklaroi Nikos Kotzias.

Ministri grek është shprehur i sigurt se me palën shqiptare gjithçka është mbyllur, por ai i trembet ndikimit që mund të ketë Turqia në këtë çështje. “Shpresojmë që të mos ketë keqkuptime nga ana e Turqisë, sepse ne do ta çojmë përpara”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Greqisë.

Kotzias gjithashtu ka folur edhe për problematikën e madhe që po has qeveria greke me qarqet nacionaliste që kundërshtojnë marrëveshjen e arritur me Maqedoninë Veriore për emrin. Sipas ministrit grek ai ka marrë me qindra kërcënime për jetën.

“Më kanë dërguar kuti me gjak, me baltë dhe fishekë. 800 paketa kërcënuese kanë ardhur tek unë dhe familja ime”, tha Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Please follow and like us: