Albspirit

Media/News/Publishing

Nora Malaj: Kur merret peng fëmijëria nga paaftësia e qeverisjes!

 

“Nuk ka nxënës të paaftë, po ka mësues të papërgatitur, që i bëjnë fëmijët të paaftë. Nuk  ka fëmijë të paaftë, po ka prindër të pazot, që nuk dinë të prindërojnë”.

  1. Dje në ditëlindjen e Soleit u njoha me Rein! Një fëmijë i jashtëzakonshëm, ndonëse vuante me sidromën e autizmit, ishte më sociali, i gëzuari dhe mori pjesë e fitoi në lojën që u bë në formë gare. Ajo që më lumturoi ishte se Rei kishte bërë një ndryshim themelor, atëherë kur askush nuk mund ta mendonte dhe ishte integruar e socializuar me fëmijtë falë punës së edukatore Afërditës dhe personelit ndihmës që ka bërë stafi i kopshtit “Topshi”. (Të trajnuar e kualifikuar nga vetë stafi drejtues i kopshtit). Më kujtohet para 4- viteve babai i Reit e kishte shumë problem djalin. U këshilluam së bashkë dhe ai së bashku me mamin e Reit vendosën ta çonin në kopsht! Sot Rei bëhet gati të shkojë në klasën e parë. Rei sot tregoi se nuk ka fëmijë të vështirë, po ka metodistë të aftë, që më përkushtim e dashuri ndryshojnë realitetet edhe kur ato shfaqen si mision i pamundur. Bravo Rei dhe suksese në fillimin e mbarë të vitit shkollor. 2. Luisi është nje vogëlush që rritet më shumë dashuri nga të gjithë pjestarët e familjes. Tashme ka hyrë në vitin e katërt të jetës dhe ditën e ka të mbushur me aktivitete. Prindërit pasdite e çojnë në basketboll. Luisi është shumë i përgjegjshëm për çdo gjë që bën. Nē një nga ditët që shkonte në stervitje, në një moment pushimi, Luisi vjen me vrap, puth të ëmën në faqe dhe i thotë: “A je krenare për mua”? Natyrisht, kjo është pyetja që prindërit nuk e mendojnë që fëmijët e tyre do t’ua bëjnë, pasi ata kanë nevojë që përherë prindërit e tyre t’ua  thonë sesa krenarë janë ata për çdo gjë që fëmijët e tyre bëjnë, se prindërit janë heronjtë e parë ku fëmijët gjejnë mbështetjen e padiskutueshme. Nuk ka rëndësi çfarë statusi kanë, po ka rëndësi sesa prindër dhe sa socialë janë. Një prindërim i mirë i bën fëmijët më socialë dhe shoqerinë më të përgjegjshëm.
  2. Para një muaji, kur u shtrova në spital te QSUT, më qëlloj që të rrija në dhomë me Asjan, një grua 67- vjeçare nga komuniteti Rom. Historia e Asjas ishte shume e dhimbshme, po e vajzës së saj ishte dhe më e dhimbshme. Jetoni në një dhomë e kuzhinë, vetë i 12- të. Asja, gjyshja, ndante shtratin me djalin 22-vjeçar, nipin që e adhuronte gjyshen dhe që kjo e fundit kishte kēmbëngulur që nipi të bëhej marangoz. Mbesa e vogël e Asjas kishte probleme me shëndetin, nuk shihte mirë, po kështu edhe nëna e vajzës dhe duhej që dikush ta shoqëronte në shkollë. Ishte në klasën e dytë po nuk e kishte përfunduar pasi kishte mësuese ndihmëse te shkolla e vajzēs që dikush ta shoqëronte. I premtova se do të beja të pamundur për ta ndihmuar për mësuesin ndihmës. Mbesa, Irida, ishte një fëmijë yll i bukur dhe që donte shumë të shkonte në shkollë. Sikur shteti ynë të ishte realisht social, jo vetëm duke bërë si social, Irida nuk do kishte një fëmijëri të marr peng, po do ishte si të gjithë fëmijtë që rriten me aftësi ndryshe, po të lumtur e të qeshur.
  3. Dje, dy ditë para fillimit të shkollës, mësuesit, ata të heshturit gjer në dhembje dhe të mëdhenjtë gjer në madhështi, i mblodhi ai që sot drejton shtetin, për të treguar për arritjet e shkollës. U foli 30 minuta për celularët, po nuk dëgjova asnjë fjalë se çfarë kualifikimi kishim marrë mësuesit ndihmës. Nuk dëgjova asnjë gjē të re për statusin e trajtimin e armatës së madhe të mësuesve, po thjesht retorika boshe. Askush në atë sallë nuk foli se çfarë po ndodh me sistemin sot, me familjet në nevojë, për tranimin e domosdoshëm të mësuesve me kurrikulën e re, për nevojat e transportit për këta fëmijë me aftësi ndryshe, për integrimin e fëmijëve me problematika sociale, për nevojat bazike që kanë prindërit për të bërë prindërim të suksesshëm, por vetëm retorika boshe, në një sallë me sfond të zi. Asnjë fjalë për fëmijërinë e fëmijëve tanë, asnjë fjalë për rritjen e buxheti për arsimin, asnjë fjalë për arsimin profesional, asnjë fjalë si do luftohet bulizmi, asnjë fjalë si do t’u krijojmë fëmijëve që të kenë njē fëmijëri të lumtur e të mos jetë e marr peng. Asnjë fjalën për tekstet dixhitale që kanë shkuar në drejtim të paditur. Asnjë gjë për familjet e për fëmijët shqiptarë… Jo në fakt harrova… Celulari, kjo është reforma e fillimvitit në arsim?! Kjo është kur vendi, fëmijëria dhe rinia janë marr peng nga paaftësia dhe padija e qeverisjes, drogës dhe krimit. Përsëri këmbanat që bien për qeverinë e padijes, që gjysmë të vertetat i shet si të verteta dhe merr peng fëmijërinë e fëmijëve e të rinjve.

Please follow and like us: