Të shpëtojmë nga kthetrat e policisë sekrete, komuniste
Izet SHEHU*
Nuk jam një zë i vetmuar në këtë katrahurë të pacak. Edhe të tjerë si unë e thonë troç: Policia sekrete komuniste i ka ngulur rrënjët thellë në çdo qelizë të jetës sonë. Kjo dukuri regresive është në fokus edhe në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore. Por, më frenuese, më e paskrupull, më bajate, më mafioze ajo është rrënjosur në vendin tonë. Me frena ndër duar ajo livadhis në pushtetin legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor e mediatik. Sa më i molepsur me të, aq më i preferuar je, aq më i kamur je, aq më i pushtetshëm je. E, aq më keq, kur je i molepsur me policitë sekrete të vendeve të tjera që tradicionalisht punojnë e shpenzojnë për ta mbajtur nën kthetra vendin tonë.
Pse herëpashere i bie këmbanave për domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve të sigurimit famëkeq të komunizmit? Sepse, përderisa strukturat e tyre do të jenë në pushtet, kurrën e kurrës nuk do të dalim në dritë, sepse kthetrat e tyre, të zeza do ta mbajnë të kapur egër demokracinë tonë, të brishtë e s’do ta lenë të marrë frymë e lirë si të gjitha vendet e tjera të Evropës. Nuk është e vështirë ta nxjerrësh këtë konkluzion, po t’iu hedhësh një sy të katër pushteteve, të katërmbëdhjetë ministrive, numrit të madh të shoqatave, të mbirë si kërpudhat pas shiut, drejtuesve të mediave të shkruara e vizive. Nëse mungon sigurimi i vjetër, në hijen e tij ka çelur si gjembaçi pinjolli i tij. Ç’zell, ç’makutëri, ç’këmbëngulje djallëzore për mos e lëshuar qoftë dhe një centimetër istikamin e çimentuar, bolshevik.
– Jemi të zotët, – thonë mëkatarët e vjetër.
– Jemi të zotët, – përsërisin pinjollët e tyre.
E ku qëndron zotësia juaj? Ku? Në lidhjen sup më sup, apo në genin kthetëror të ngulur thellë në palcën e njerëzve të ndershëm? Vërtet qenkërki farë e keqe, farë e importuar nga stepat, ku kullojnë ançarët! A e shihni se ç’po ndodh rreth e qark? Kryepeshkopi i Varshavës Stanilslaw Wielgus, pasi u zbulua se kishte bashkëpunuar me policinë sekrete të Polonisë gjatë komunizmit, dha dorëheqje. Kështu, pas hapjes së dosjeve, largohen politikanë e zyrtarë të lartë nga administrata në Hungari, Rumani, Bullgari e gjetkë. Po ju çfarë prisni? Ne jemi një vend i vogël dhe ju të molepsurit e djeshëm që vegjetoni edhe sot, njiheni mirë. Sado t’i fshihni kthetrat, sado të vini maskat, sado të hiqeni si “esnafë”, si të “reformuar”, si “antikomunistë”, jeni të dallueshëm qartë në gjuhë, në ecje, në bëma dhe në skërmitjen e dhëmbëve prej ujku në tymnajën që vazhdimisht ngrini për t’u fshehur. Të gjithë jeni të dallueshëm. Të gjithë, sido e sado të mbuloheni, fundin e keni të sigurt. Fundi juaj është rilindja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Është vllazërimi i njerëzve të një gjaku, të një gjuhe, të një ëndrre. Dikush, kur lexon këto rreshta, i skërmit dhëmbët si rrëqebulli. Le t’i skërmiti! Nuk dua zhdukjen tuaj nga faqja e dheut, jo. As e çoj ndërmend këtë. Por, kur shoh zellin tuaj demonian për të instaluar pushtetin e kthetrave, e ngre zërin me forcë, që ju të mos jeni ndër tribuna, që ju të mos majmeni me gjakun dhe djersën e shqiptarëve të ndershëm, që ju të mos e zbatoni idenë prej ançari të zotërimit të dheut dhe të “lëndimit katovician” të fisnikëve, që s’mendojnë si ju. Kur shoh se ju nuk keni ndërmend të hiqni dorë nga veprimtaria regresive, antikombëtare, antinjerëzore e policisë sekrete të epokës komuniste, s’kam pse të hesht. Pa u larguar ju nga skena, krizat do të jenë të pranishme.
Nuk do të lë pa përmendur në këtë shkrim edhe dy lëvizjet e mëdha të datave 11 e 12 Janar 2007-të.
Në Pallatin e Brigadave u takuan dy politikanët e fuqishëm të 16 vjetëve të tranzicionit. Qe një takim i beftë. Disa e quajtën të dobishëm. Disa të çuditshëm. Ishte krijuar ideja se për 16 vjet ishin si dy ajsbergë që vazhdimisht përplaseshin egër. Nuk kanë munguar edhe zëra që ata bënin sikur përplaseshin, por dhe zëra të tjerë që mendonin të kundërtën. Por, për çudi të të dy palëve, në një ditë të bukur të 11 Janarit (ditës së shpalljes së Republikës Socialiste) ata dolën si triumfatorë duke tundur paqësisht degët e ullirit. Edhe këtu pati ndarje opinionesh. Disa e pritën me hasanara e disa me të shara. Disa e quajtën si fluturim i pëllumbave të bardhë e të tjerë si krraurimë korbash në një qiell të ngrirë.
Po ç’ndodhi në Presidencë? Pas një odiseje, partitë parlamentare firmosën pas mesnate, më 12 janar 2007-të marrëveshjen e mundimshme, zgjedhore. Edhe këtu rrokje duarsh e buzëqeshje triumfale. Si në Pallatin e Brigadave, ashtu edhe në Presidencë u bë një lëvizje madhore: u zgjidh një krizë. S’ka rëndësi se kush e shkaktoi, por e rëndësishme qe, që ajo u zgjidh. Edhe këtu qëndrimet qenë të ndara. Ajo që ra në sy më tepër qe rrahja e gjokseve se kujt i takonte merita në këtë zgjidhje. Disa ia japin trofeun dy liderëve, e disa partiakëve në Presidencë. Një gjë nuk u mohua në këtë mes: roli i ndërkombëtarëve. Se ne, siç duket, e kemi të vështirë të merremi vesh pa referë të huaj. Patjetër e duam gjykimin e tyre. Dukuritë e 11 e 12 janarit bënë jehonë. U mirëpritën, por dhe u paragjykuan. Rezultatin e tyre le t’ia lemë kohës. Në është në dobi të kombit, aferim u qoftë. Në të kundërt, historia le t’i ndëshkojë. Askush nuk i shpëton gjykimit të saj./gazetadielli.com/
* Arkiv-Shkrim i Janarit 2007. E sjellim ne kujtese ne respekt te deputetit dje shkrimtarit Izet Shehu.