U filmua duke i kënduar Enver Hoxhës, reagon Tërmet Peçi: Le të më heqin…
Ka ardhur reagimi i Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçi, pas videos që po qarkullon ku duket të këndojë një këngë kushtuar diktatorit Enver Hoxha. Në një prononcim për “BalkanWeb”, Peçi tha se gjithçka ishte në kuadër të festimeve për rastin e 75-vjetorit të çlirimit të qytetit të Tepelenës. Ndërsa sa i përket kërkesës së deputetit të PD-së Tritan Shehu për shkarkimin e tij, Kryebashkiaku tha: “Gjithçka ishte në kuadër të festimeve. Nuk kishte asgjë tjetër. Sa për reagimin e deputetit të PD-së, për këtë qark, Tritan Shehut, do e pyes pse nuk erdhi dje në aktivitet, po merret me këto histori? Po le të më heqin, ca të them unë. S’do merrem me këto histori”.
Në videon që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale shihet se si Tërmet Peçi shoqëron me zë Golikun e famshëm të Bënçës, teksa këndojnë këngë për Hoxhën, madje ai në një moment përshëndet me grusht.