Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Ruka: NJË EGJE ME KËNGË PO VJEN NË SHQIP

 

-Një mbresë për librin “Pelegrin në ujëvarat e poezisë helene”- shqipëruar nga Arqile Garo.

 

Kam qënë qysh në rininë e hershme një adhurues i poezisë së madhe greke. I asaj pak poezie që arrinte të depërtonte gjithë vuajtje deri “në mëhallën” tjetër të Ballkanit, që të takohej me simotrën e saj, gjuhën shqipe. Si poezia e fqinjëve tanë të përjetshëm e të ngjashëm deri në xhelozinë e merituar të binjakëve, për fat të keq, ajo ka ardhur në shqip, si gjithmonë e paktë, e kontrolluar dhe e holluar, si të kalonte nëpër vrimat e ngushta të klonit. Mirëpo në se kjo ndodhte para viteve 90, për arsyet që dihen, edhe pas këtyre viteve, si e zënë në faj për atë që kish ndodhur, ende vinte rrallëherë e tek-tuk, sërish e ndrojtur dhe sporadike. Më shumë se sa si një angazhim serioz, behte këtej prej pasioneve vetjake të dhjetëra e dhjetëra shqiptarëve, që tashmë jetonin, punonin e studionin në Greqi, krijues dhe jo të tillë, nisur nga frymëzimi e magjia që u krijonte muza e madhe greke, kaq e ngjashme me shpirtin poetik të shqiptarëve, sa nuk vëreje dot askund, se ku mbaronin kufijtë e çuditshëm të ndjesive poetike në të dyja gjuhët. E ndiqja dhe kështu me etje, por gjithmonë me një brengë dyshimi, se gjithkush po e ndërmerrte si një pasion të çastit, se sa një mision. Duke marrë mbi supe një barrë kryqi, siç ndodh gjithmonë me poezinë, në të shkruar të saj a në përkthimin nga një gjuhë tjetër, akte të mëdha krijimi, të dyja gati aty – aty për nga mundimi, talenti dhe kumtet e tyre.

Midis tërë këtyre pelegrinëve të gjuhës, vetëtinte herë pas here emri i Arqile Garos, që më merrte çdo herë adhurimin e asaj që lexoja prej tij. Që një artist si ai, regjisor dhe aktor i skenës, (vetë aktori nuk është veçse një përkthyes midis dramaturgut dhe publikut) të përkthente poezi nga greqishtja e tij si gjuhë e nënës, në shqip, kjo më dukej një gjë tejet normale dhe e natyrshme

Por habia ime, së bashku me pak hezitim në fillim, ishte kur mësova se miku im i vjetër Arqile Garo, i ishte futur aventurës së mrekullueshme të përkthimit edhe në të kundërtën. E dija që ishte një dashurues i thekur i poezisë, madje edhe i poezisë sime, por kur më dërgoj në fillim disa poezi të mijat të përkthyera në greqisht, pas gëzimit që kish guxuar ta bëjë trimërisht këtë kuturisje të parë, pata hezitimin e natyrshëm, nga që ai nuk vinte mirëfilli nga fisi i poetëve minoritarë që njihja. I botova ato në faqen time elektronike dhe habia ishe e fortë. Një numër i madh njerëzish, poetë minoritarë, ish nxënës të mi, që jetonin prej njëzet vitesh në Greqi, që kishin studiuar aty, shokë, miq poetë, shkruanin për to se i kishte përkthyer shkëlqyeshëm. Ishte kaq i dendur dhe kaq i lartë ky vlerësim, sa fillova ta besoj e ta gëzoj këtë punë kaq fisnike. Por si të gjithë krijuesit zevzekë të poezisë, do të më duhej të më mbërrinte një libër i tërë i tij i përkthyer, që të bindesha tej e tej. Ishte fjala për poetin e madh grek Dhionisis Solomos dhe për kryeveprën e jetës së tij “Himn për lirinë”. Garo kish kuturisur të matej me një poet të madh të poezisë greke, të mprehte brirët me një ka të madh të parmendës së poezisë helene, autorin e Himnit grek, himnit më të gjatë në botë, edhe pse këndohen vetëm dy strofat e para të tij. Nuk do të zgjatem këtu se kush është në hierarkinë e poezisë greke një poet i madh kombëtar si Dhionisios Solomos, po duhet thënë qysh në fillim se vetëm fakti që kish zgjedhur një poemë të madhe muzikale, me ferrin e mundimshëm të tetërrokëshit, që të vë në vargonj të lakonizmit, duket se ishte një nga ato kuturisjet e rrezikshme për një përkthyes ende debutues në fushën e poezisë, ajo më e vështira.

Ja dy strofat e para të kësaj kënge të madhe të vitit 1824, e botuar në Mesolongjin e rrethuar, aty ku drithëronte për lirinë shpirti i Greqisë së gjorë në një “o jetë a vdekje!” kundër pushtuesit turk dhe ku derdhej edhe gjaku i Boçarit me shokë.

Unë të njoh nga tehu i shpatës,
Që mbjell tmerrin në shkëlqim,
Nga buçima e shtrëngatës
Që çan tokën me rrëmbim.

Dalë nga eshtrat stërgjyshore,
bekuar me shenjtëri,
Si dikur e më burrnore,
Mirë se vjen, ti, moj liri.

Edhe po të jesh një fillestar i gjorë në fushë të poezisë, të ritmit të fjalës e të kadencave, e vë re fare lehtësisht se në këtë rreshtim fjalësh ka trumbeta, tym lufte, barut dhe krrakëllima fjalësh. Se si e bën këtë poeti në greqisht, edhe pse ti mund të mos e njohësh gjuhën tjetër, e ndjen se shqipja jote t’i bie këto drejt e në zemër.
Por tashmë Arqile Garo me këtë libër të ri që unë pata fatin ta kem i pari në duar vjen me një tjetër synim, të sjell pothuajse tërë kampionet e ujërave të shenjta të poezisë së madhe greke, që ti si lexues t’i provosh një nga një për t’i pirë, të sjellë pothuajse tërë patriarkët e mëdhenj të fjalës poetike helene. E këtu puna ndryshon krejt, synimi i tij ngrihet deri në lartësinë e fjalës së madhe e befasuese që quhet mision. Një ndërmarrje sa e “frikshme”, aq edhe “e marrë”, derisa mbetet një nga punët më të vështira e të skëterrshme që ka shpikur mendja krijuese e njeriut, kalimin e frymës së një gjuhe në tjetrën.

Një nga ato punë që shkurt mund të quhet kapërcim ylberi…

Mirëpo pa guxuar nuk ndodh asnjë trimëri si kjo e kalimit të “ylberit,” madje në këtë rast kalimi i dy harqeve bashkë të tij në qiell të fjalëve, prej të dyve gjuhëve, dhe ç’ gjuhëve! Nga ato gjuhë që janë nga më të ndriturat në këtë botë, përderisa u krijuan ca prej njerëzve e ca prej perëndive nëpër kodrat rreth Dodonës…

Dua ta them qysh në fillim se asnjëherë deri më sot, megjithëse i kam lexuar gati tërë përkthimet e poezisë greke të ardhura në shqip përmes botimeve të veçanta, antologjive, revistave, gazetave, nuk ka ardhur kështu si në këtë libër, kaq e plotë, kaq e përfaqësuar nga pothuajse të gjithë yjet e mëdhenj të asaj që quhet ajka e poezisë greke, majave të saj, bukurive të saj tronditëse, të njohur tashmë me emra të bujshëm si Kavafis, Seferis, Elitis, Ricos, Livadhitis e të tjerë në tërë letërsinë botërore.

Prandaj e theksova më sipër se një punë e tillë kaq e gjerë dhe e thellë nuk është thjesht një pasion i rastit, por një punë e vetëdijshme në rangun e një misioni për të ndërmarrë një akt të madh kulturor, për t’i sjellë letërsisë shqipe një vepër me pasuri tejet të çmuara për lexuesin dhe gjuhën shqipe.

Duket sikur me këtë punë të gjatë, plot mundim e dhembshuri prekëse, Arqile Garo ka plotësuar një borxh të madh që ia ka vendit të tij, ku lindi dhe u rrit, ku u shkollua, kaloi fëmijërinë, dashuroi, shokëroi, u martua, ndërtoi shtëpi e bëri fëmijë, mall dhe dhembje, miqësi të mëdha, dasma dhe vdekje, ëndrra dhe zhgënjime, gjithë çfarë me një fjalë quhet jetë njeriu, e cila bëhet duke marrë e duke dhënë.

I përmenda tërë këto fjalë “fodulle” pa pasur frikë se po bie në patetizmin e rremë të kësaj kohe plot zhurmë e tollumbace fjalësh, sepse po flas për poezinë. Në se në jetë duken aq shpesh të tilla, pa ato nuk ka poezi, nuk ka art, nuk ka punë të tilla shpirti, dashuri të tilla të kulluara. Pa tërë këto ndjenja ky libër nuk do të vinte kurrë, nuk do të kishim kaq shumë vite e muaj në këtë përvëlim ethesh për të shqipëruar edhe një këngë më shumë, për të prurë tërë këtë ujëvarë të kaltër të poezisë helene.

Vite pune, mijëra ditë e net me zhurmën e bletëve të fjalëve në kokë, atyre “bletëve”, që duhet të kalojnë nga një koshere plot mjaltë bletësh në tjetrën. Dhe për çfarë tjetër? veçse për të gjitha këto fjalë bashkë, që mund të na duken kaq spekulative për shkak të kohëve të tilla, kaq shtinjake. Vite murgërimi midis shtëpive të fjalës, vite pelegrini brenda këtyre manastireve të shenjta siç është çdo poezi e madhe.

Ndaj edhe nuk i ka ardhur dot asnjë titull tjetër, pos atij të duhurit që i ka diktuar zemra, e ka quajtur veten dhe librin “Pelegrin në ujëvarat e poezisë helene.” Një titull që vetëm pasi të kapërcesh këtë “Egje” vargjesh që dallgëzojnë në më shumë se 300 faqe libri, e kupton se kështu është, ka qënë e jetuar këto vite si pelegrin nëpër ujëvarat shkumëbardha helene.

Dhe pyetjes se në ka mundur t’ia ndal mbanë këtij misioni, fati e deshi ti përgjigjem unë i pari gjithë gëzim.

Po! Me një “Po!” të madhe.

I lumtur që u pyeta dhe u përgjigja i pari. I bindur dhe pa pasur asnjë drojë, se pas meje do të vinë qindra e mijëra “Po!” të tjera entuziaste, falënderuese deri në përdëllim. Madje edhe atëherë, kur as unë e asnjë nuk do të jemi në këtë botë, nga tërë ata qindra lexues që do të kenë në duar këtë libër e mbase do të bekojnë duart e tyre që po e mbajnë, sapo të lexojnë poezinë “Duar” të poetit Argjiris Chionis:

Në më të shumtën e rasteve njerëzit
nuk dinë ç’ ti bëjnë duart e tyre.
Ia shtrijnë – gjoja përshëndeten – njëri-tjetrit.
I lënë të varen si atavizma të paralizuara.
Ose – me keq akoma – i rrasin nëpër xhepa
dhe i harrojnë.
Ndërkohë që mijëra njerëz mbesin pa një ledhatim.
E mijëra vjersha mbesin të pashkruara.

e ata do t’ i thonë vetes duke shtuar me mend edhe një varg më shumë:

“e mijëra vjersha mbesin të palexuara”

Ndërsa unë që po flas për shqipërimet e tij dua të shkruaj këtë çast këtu:

“e mijëra vjersha mbesin të pa përkthyera”,

në se ca mjeshtra të fjalës si Arqile Garo nuk do ta ndërmerrnin këtë mundim fisnik.

Është e pamundur që të ndalesh gjerë në vlerat e kësaj pune se do të duhej një studim i gjatë e i thellë për të zbuluara tërë këtë bukuri shqipërimi. Qëllimi do të dilte jashtë synimit për dy fjalë në krye të librit, sa për të përshëndetur mirëseardhjen dhe urimin e rastit.

Por gëzimi i librave të tillë nuk të lë pa thënë dy fjalë:

Arqile Garo e nis detin e madh për rrugë drejt poezisë shqipe jo rastësisht me poezi që e kanë tërësisht lëndën e vet poetike tejet shqiptare, me këngë që i kushtohen figurave të njohura të historisë sonë si Luani i Janinës, Ali Pashë Tepelena, Thanas Vaja, Omer Vrioni, suljotëve të famshëm. Duket si një kurth i rremë për joshje, por nuk është ashtu. Është madhështia e poezisë greke që ka një hapësirë kaq të madhe lirie dhe humanizmi, që i ka himnizuar fqinjët e saj ngado, që i sheh si pjesë të vëllazërisë së vet, ashtu siç ndodh me tërë poetët e mëdhenj e artin e madh që nuk ka pranga paragjykimi, që njeh veç një erë për të fryrë velat e saj të muzës së madhe, dashurinë për shpirtrat e mëdhenj të trimërisë, sakrificës, bëmave të mëdha të tyre… Midis tyre për nga kjo tematikë shkëlqen poeti i madh grek Aristotelis Vallaoritis dhe Garo e nis pikërisht me këtë poet ujëvarën e vet drejt gjuhës shqipe. Me poezinë “Ra në gjumë Janina” kushtuar “gjëmimit që gjëmon”, Aliut te Tepelenës.

U shtri Janina që të flejë, ra për t’u rehatuar
i fiku dritat mbylli sytë, në prehrin e gjumit.
Nëna shtrëngon fëminë, në gji e mban të përqafuar,
se kohërat janë të turbullta, dridhet se mos ja marrin.
Nuk ndihet asnjë melodi, heshtja si mjegull shtrihet.
Se gjumi qenkësh vdekja vetë, e varr na qenka shtrati,
qyteti bëhet qimitir, nata kishë e rrënuar.

Veç nuk flë gjumë Ali Pashai, qerpiku nuk i mbyllet,
qëndron i shtrirë sa gjerë e gjatë mbi një lëkurë luani.

Vini re se me çfarë madhështie e ndërton në shqip frymën poetike të saj Arqile Garo. Vargu i shtrirë, i gjatë si frymëmarrjet e gjata pas mbajtjes së frymës së nënave që shtrëngojnë në gji foshnjat e tyre, të trondit me madhështinë e kësaj atmosfere prej ferri, ku qyteti që është një qimitir, (varrezë) e ku vetë nata është një kishë e rrënuar.

Midis tërë këtij kobi:

“…nuk flë gjumë veç Ali Pashai
qëndron i shtrirë sa gjerë e gjatë mbi një lëkurë luani.
Ballin e rreptë që ja rëndojnë gjëmime e turbullime
e mban mbështetur përmbi dorë, druan se i rrëzohet…
Dhe ledhaton nëpër gishtërinj mjekrën e bardhë si bora
që derdhet porsi një ujëvarë mbi krifën e luanit”.

tabloja është shkretuese, ngjethëse, më shumë se tiranike. E megjithatë fundi është akoma më befasues…

Porsi dy bisha në një trup, ashtu të përqafuar,
që ngre dy krye përmbi të, por syri dot nuk shquan,
vallë kush nga kokat është e gjallë dhe cila ka mbaruar?!

Pyetja në fund është legjendare, si prej sfinksit. Cili prej tyre është luani i vërtetë dhe cili i gjalli e cila i vdekuri? Përgjigje nuk ka. Ka njëmijë përgjigje, dy mijë përgjigje, një për çdo lexues.
E po me “lëndë” historish shqiptare, majat e veta të një përkthimi të mrekullueshëm Garo i arrin me baladën e rrëqethshme “Mjerania” po nga ky poet i madh. Krijimi vjen me një atmosferë ngjethëse që të merr frymën. Nëpër natën e zezë një grua e ve, bash gruaja e Thanas Vajës, pas vdekjes së tij e me kobet e tij në zemër, endet si një fantazmë e pashpresë dhe lutet t’ i hapet një derë, sepse nga thëllimi “në sy më ngriu loti.” Dhembja është deri në kufijtë e të pa mendueshmes, nuk ka as mundësinë e shpëtimit me anë të të qarit. Dhe ajo që kërkon është më pak se sa asgjëja, një frymë njeriu, a një dritë nëpër terrin e natës që të shoh se është gjallë, përmes të parit të diçkaje që lëviz.

“Më dalin vetëm dy thëngjij, më del, po, veç fitili
ai që ndizni natë për natë që të ndriçojë kandili,..”

Përkthyesi e sjell këtë makth në shqip përmes vargjesh të gjatë, të shtrirë si vetë vuajtja e saj. Fjalët e gjetura janë mjeshtërisht të saktat për një fill jete, “dy thëngjij”, “fitili i kandilit”, “natë për natë…”

Dhe sapo hapet një derë krejt struktura e ritmit të vargut ndryshon, bëhet më e gjallë, sa një thërrime shprese:

-“O bir nxito, zgjohu, ndihmomë,
eja ta ngremë, sa ka firomë”.

E ndërsa pritësit dikur i zë gjumi, vejushës së mjerë i del përpara fantazma e burrit të saj lugatit Thanas Vaja. Arqile Garo këtu bën me përkthimin e vet një magji të tërë me shqipen e tij të pasur, aq, sa pa pasur frikë se po e tepron, mund të thuash se duke e lexuar ndjen diçka nga fuqia e përkthimit Nolian në ritëm, pasuri e përjetim.

Qëndro më larg… Pse më tmerron?
Thanas, ç’ të bëra që më mundon?
Pse jeshilon? Vjen era dhe…
Si nuk je tretur, Thanas ende?

Mblidh pak qefinin mbërtheje mirë…
Krimbat të bredhin përmbi fytyrë.
O i mallkuar, pa shih, kërcejnë,
po vijnë drejt meje, do të më gjejnë.

Dialogu midis të gjallës së vdekur dhe lugatit të gjallë kërkon një gjuhë nga kufijtë e tmerrit:

-“Në varrin tim thellë, në errësirë
i mbyllur rrija natën, i shtrirë
e tek pëlhurën bëra të mbledh
të kruspullosem brenda në ledh,

një kukumjaçkë sipër nga maja
zë e këlthet: – “Dil, Thanas Vaja
njëmijë të vdekur të presin ty
duan t’i marrësh, t’i çosh aty!”
…………………

“Dil edhe shfaqu, o Thanas Vaja
eja të rendim në fusha e pllaja!
Dil, mos ki frikë, po vijmë si miq.
Tregona rrugën për në Kardhiq”.
…………………

Qefinët fryhen nga erë e madhe
si vela shtrihen përmbi livadhe.
Eshtra që shqiten, kokalla bosh
udhës kërcejnë e hiqen hosh.

Duke e lexuar e rilexuar këtë krijim madhështor të Vallaoritis, bindesh se përkthyesi ka bërë një ngjizje magjike me të, duke shqipëruar përmes rikrijimit. Nga që kufijtë e një gjuhe në tjetrën janë pothuajse të pakalueshëm, në se nuk ndodh pikërisht kjo magji, të përkthesh jo prej fjalës së tij që pengon, po përmes frymës që ia merr borxh poetit të origjinës.

Pas tij vijnë me radhë poet të tjerë të famshëm si shpirti tjetër i madh i rrënjëve të poezisë së re moderne greke Dhionisios Solomos, Righas Fereos, Kostis Palamas, Kostas Varnalis, Jorgji Pavlopoulos, Kostas Uranis, Menelaos Ludemis, Nikos Kavadhias, Ioannis Polemis, Jorgos Theocharis, Kostas Karyotaqis, Pandelis Bukalas, Georgios Vizyinos, Titos Patrikios, Ioannis Vilaras, Nikos Grigoriadhis, Achileas Paraschos, Llambros Porfyras, Athanasios Christopoulos, Jorgos Souris e të tjerë që nuk kanë të mbaruar me përzgjedhjen kaq sqimatare të përkthyesit për të gjetur xhevairet e bukurive të tyre poetike.

Përpara se të merret me ata që janë yjet e yjeve të poezisë helene, Garo sjell një tufë të madhe poezie nga yllësia e poezisë femërore greke siç janë poetet e mrekullueshme Jola Argjiropulou – Papadhopulou, Maria Polidhuri, Kristalia Kacarou, Ekaterini Pefani, Chrysyida Dhimulidhou, Eftichia Cukala, Kiki Dhimoula me poezinë e paharrueshme “Numri shumës”, por mbi të gjitha poezi nga poetja Rena M Petrou, poezinë e të cilës shihet e ndjehet se e ka më të dashurën e zemrës prej të tjerave.

Një natë të acartë po të më vije,
do të të mbuloja me ca vargje
që ruaj fshehur në sepet.
Dhe ftohtë më kurrë nuk do të ndjeje
as dëshpërim, në këtë jetë.

“Mbulesa” Rena M Petrou

apo poezia tjetër “Duart e babait” e sjellë me një shqipe rrezëllitëse që dhemb fjalë më fjalë:

Sa herë që babai kthehej duarbosh
nëna, që e kish parë e para nga dritarja,
rendte t’ i thoshte, të lajë shpejt duart në muslluk.
A thua se duhej të lante turpin,
që edhe një tjetër ditë do ta shtynim pa ngrënë gjë.

Për të ardhur pastaj tek më të mëdhenjtë e të mëdhenjve si Konstandinos P. Kavafis, Jorgos Seferis, Odiseas Elytis ku vështirësia bëhet edhe më serioze jo vetëm për shkak të fuqisë së tyre si poetë me famë botërore, por edhe pse janë të njohur prej shqipërimeve të mëparshme në gjuhën shqipe prej përkthyesve të tjerë. Arqile Garo sjell nga Kavafis poezitë e tij e mrekullueshme si “Kuajt e Akilit”, “Pamundësi”, “Para se koha t’i ndryshojë”, “Agelau”, “Armiqtë”, “Trojanë,” “Termopilet” por edhe poezi të famshme si “Itaka,” apo “Në Pritje të barbarëve” që vijnë prej tij me diçka të re, nuanca e shije të pagjetura në shqipërimet që kemi lexuar prej tij më parë.
Fjala vjen, për herë të parë e lexoj poezinë e famshme “Në Pritje të barbarëve” me një mbyllje të tillë si vargu i mrekullueshëm “ata malukatë ishin një farë zgjidhjeje,” ku fjala e goditur “malukatë,” ashtu pa tingëllimën e fjalës së urrejtshme “barbarët” ngërthen në vetvete tërë thelbin e poezisë, se barbarët janë gati të mezi – pritshëm, si të ishin i vetmi shpëtim.
Ndërkohë që poezia “Termopilet” qysh në vargun e parë ka një fjalë të gjetur mrekullisht:

“Lavdi atyre që jetën e kanë taksur”

Vështirë se mund të ketë fjalë tjetër që t’u shkojë më shumë mbrojtësve të grykës së famshme se sa “taksur” e cila këtu është më shumë se sa flijuar, premtuar etj. Jetë e taksur për atdhe është ku e ku më shumë se sa dhjetëra fjalë të tjera, por të mos thënë e vetmja.
Do të mjaftonin vetëm disa vargje nga bukuria e poezisë “Shtëpia buzë detit” të poetit të madh Jorgos Seferis, për të kuptuar se pjekuria e shqipëruesit të talentuar ka tani tërë fuqinë e duhur për të prurë plot vezullime një këngëtim kaq metaforik e kaq farfuritës edhe në gjuhën shqipe:

“Shtëpitë që kisha m’ i morën.
Qëlluan vite të mbrapshta, luftëra, prishje, kurbete,
ndodh ndonjëherë që gjahtari bie mbi zogjtë që shtegtojnë
e hera herës nuk i gjen, gjahu
nuk vajti keq në vitet e mia, saçmat kapën shumë
të tjerët vijnë vërdallë ose lajthitin nëpër kazerma.

Mos më fol për bilbilin e as për kanarinën
as për vogëlushin trumcak
që numra vizaton në dritë me bishtin e vet…”

Aty nga fundi i këtij libri, jo pa qëllim, Arqilea ka lënë si një kurorë të kurorërave poemën e famshme “Monogram” të Odiseas Elitis. Vepra e famshme të merr frymën qysh me vargjet e para:

“Do vajtoj përjetësisht – a më dëgjon? – për ty,
i vetëm në Parajsë.

Do t’ ja u kthejë drejtimin vijëzimeve
të pëllëmbës, Fati, si rojtar
e po atë çast dhe Koha do t’ ja aprovojë.”

Me një shqipe të thjeshtë, solemne e kumbuese, duke kërkuar që çdo fjalë e saj të rrok tingëllimën e këtij himni të madh për dashurinë, Garo ia del mbanë të të drithërojë me gjetjet e tij nëpër bukuritë e gjuhës sonë, duke dëshmuar se është një njohës i thellë i saj, i nuancave të saj të pafundme, i tingëllimave që ajo mund të këmbejë orë e çast nga gëzimi i marrtë deri në dëshpërimin e pafund.

Jo pa qëllim i lamë për në fund dy më të dashurit e tij, poetët e jashtëzakonshëm të poezisë greke, më rebelët e të veçantët, të papërsëritshëm më frymën e tyre sa sociale aq edhe lirike, Janis Ricosin dhe Tasos Livadhitis, aq shumë të njohur e të dashur edhe në Shqipëri prej shumë dekadash.

Nga ky këndvështrim, ai i njohjes së tyre, sfida e tij si e çdo përkthyesi bëhet më e rëndë, përgjegjësia më e madhe, mundimi po kështu më gjatë. Por duke i lexuar në këtë libër disa nga poezitë e tyre të famshme, të njohura e botuara edhe më parë në shqip, e ndjen se Garo ka sjellë diçka të re në përkthimin e tyre, një frymë më të ngrohtë e me vezulluese, një qartësi edhe më të plotë në gjuhë e në ritëm, një thjeshtësi nga ato që vijnë pikërisht prej njohjes së thellë të gjuhës ku po i sjell…

“Do të doja të të thërrisja emrin tënd, e dashur,
me tërë fuqinë time…
Ta thërras aq fort,
sa që mos bjerë të flejë asnjë ëndërr mbi glob,
asnjë shpresë të mos vdesë…
Zot, sa e bukur ishte,
si një pemë e stolisur
në një natë të largët Krishtlindjesh.
Më fal e dashura ime,
që jetoja para se të të njoh…”

ja disa vargje farfuritës nga poezia e paharruar “Më fal e dashura ime” e Tasos Livadhitis.

Dhe Ricosi i papërsëritshëm që arrin të krijojë në fare pak vargje mornica leximi:

“Lart në ajër një helikopter spiun
bombardon objektiva të papërcaktuara.
Ki mendjen. Ty të kërkojnë. Fshihu më thellë në gjoksin tim.
Pushi i kuvertës së kuqe që na mbulon, rritet pambarim.
Me një arushe shtatzënë ngjan tashmë kuverta.
Ndën arushën e kuqe dashurohemi pafundësisht, tej kohës,
tej vdekjes, në unionin e vetmisë universale.
Oh sa e bukur që je. Bukuria jote më tremb.
Ndjej uri për ty. Ndjej etje për ty. Dhe të përgjëroj: fshihu.”

Jo pak herë, besnik i shkollës së famshme noliane, Garo i ikën poezisë origjinale ndonjëherë me një “trimëri” poetike nga më të këndshmet e më të suksesshmet, duke e veshur “shqip” e shqiptarisht jo vetëm gjuhën, ritmin dhe muzikalitetin e saj të mrekullueshëm, por krejt lëndën e poezisë, me të folurën tipike popullore, ndërron gjeografinë, emrat, religjionet e deri tek dinamika e lajmeve te politikës së ditës, gati gjithçka, duke ruajtur vetëm frymën e poezisë. Dhe e bën këtë jo vetëm se në Ballkan e aq më shumë midis dy popujve më të ngjashëm të saj gjithçka është njësoj, por sepse e ndjen që këtë “kripë” lezeti në të lexuar nuk mund të mos e përdorë në atë që duhet te shërbehet si krejt shqiptare që të shijojë deri në zemër. Sikur të mos lexosh lart e t’ i rikthehesh edhe një herë emrit, do të të duket se po lexon Ali Asllanin.

“Behar zemr’ e Agathisë,
mend e saja majë çatisë.
Java pesë, muaji shtatë,
ditë e natë.

E dinte, se ikin vitet,
e kështu i theku pitet,
mejtoi që kur ish e re,
të mbajë tre.

Bashkëshorti që i pari,
paskëtaj vinte kumbari,
i treti një nip i burrit.
i litarit dhe i hurit.”

“U bë vonë” Kostas Varnalis

apo vargje të tilla si tek poezia “I lajthituri”

“Kisha grua dhe cangadhe,
kisha Lenon cicëmadhe,..”

Ky çelës suksesi ndjehet që është i gjetur më shumë prej intuitës e ndjesisë individuale, se sa teorive e sherreve pafund për shkollat e përkthimit që janë të pafundme sot e kësaj dite e nuk do të shuhen kurrë. Dhe e ndjen se kjo mjeshtëri e tij, ky talent i spikatur e i rrallë, buron prej njohjes së thellë të poezisë shqipe, esencës se saj ligjëruese, një dashurie të lindur prej zemre për gjuhën, njohjes së thellë të folklorit e mbi të gjitha pasurisë dhe bukurisë së pafundme të gjuhës shqipe, zotërimin e të cilës mund t’ ia kishte zili çdo poet i ndershëm që vuan me këtë gjuhë të madhe.

“…pinim dhe prëmë sikur çdo natë,
kërrejmë inatin me inat.”

si për ta bërë heroin e saj lirik një personazh tipik shqiptar diku në një qytezë të largët shqiptare, jo pa qëllim zgjedh dialektoren “prëmë”, për mbrëmë dhe foljen e bukur shteruese dialektore labe “kërrejmë” për diçka kaq të thellë shpirtërore si dëshpërimi. Dhe sa bukur tingëllon pikërisht kështu.

Në përpjekje për të gjetur me pak fjalë burimin e kësaj kënaqësie teksa lexon në shqip një poezi kaq të bukur, që ngjit tek shpirti varg pas vargu, vetvetiu të mundon pyetja; se pse i shijon kaq shume, pse të rrjedhin kaq ëmbël prej shpirti e gjaku?! Kush është sekreti që këndon në vend që të lexosh, (një dallim i madh ky kur është fjala për poezinë,) pse ndodh kështu?! Përgjigja është e thjeshtë dhe nuk ka nga të vijë tjetër, veçse prej një talenti të lindur, prej një njohjeje të jashtëzakonshme të gjuhës shqipe dhe mistereve të saj nëpër minierat e padukshme të fjalëve, leksikut të saj që mund të kombinojë nocione, shprehje dhe metafora marramendëse.

Prej njohjes së thellë të psikologjisë së të dy popujve, shpirtit, mentalitetit dhe zakoneve të tyre, pasurisë së të jashtëzakonshme të të të dy eposive popullore. Dhe më tej në shqipërime si këto të Garos, doemos që vjen prej tij nga njohja kaq mbresëlënëse e frymës dhe psikologjise së sintaksës shqipe, semantikës së saj figurative, leksikut të vjetër që aq shumë poezia ia ndjen nevojën ta riaktivizojë si askush për të fituar nuanca të reja gjuhësore.

Por mbase mbi të gjitha këto prej një dashurie të lindur pas poezisë, prej njohjes mjeshtërore të mekanizmit çudibërës të saj e të vjershërimit në shqip, të cilin Arqileja e njeh kaq zotësisht, sa shpesh herë të mahnit me muzikën nanurirëse si prej fyejsh të poezive të metruara e rimuara si në baladat e famshme popullore, që koha i ka lëmuar shekujve me një shkëlqim prej ari.

“Domosdo që nga e tymta
e një shpirti në gulçim,
netëve ngricat e zymta,
aty gjenin ngushëllim.”

Së fundi e lexon këtë libër, mbushesh me madhështinë e shpikjes më sipërore të mendjes njerëzore, Poezinë e perëndishme, qëndron diku i shastisur pas ndonjë poezie të paharrueshme, sa të marrësh pak veten e të ngopesh me frymë nga tronditja dhe i thua vetes: sa vonë na ka ardhur kjo poezi e madhe, ky libër që dropulliti ynë i palodhur po na dhuron tërë këtë kënaqësi shpirti. Ndërkohë, nga ana tjetër, të përmbyt një ndjenjë e fortë xhelozie dhe fati të padrejtë. Duhet të na kish ardhur para gjithë botës neve gjitonëve të parëve. Pikërisht neve që kemi qindra e mijëra njerëz, që i flasin të dyja gjuhët, i flasin sipër murit që “ndan” dy mëhallat e mëdha pellazgjike, neve që i kemi si askush avllitë dhe sofatet e lyera njësoj me gëlqere. Neve, sepse askush si ne nuk i ka njësoj plakat e veshura me të zeza dhe që në shaminë e tyre mavri, të lidhur nyje mbi ballë, njësoj i mbajnë të vdekurit e shumtë, njësoj i qajnë me vaje e me ligje, që të rrëqethin trupin dhe që në ag të qytetërimit ia falën si “abetare” të zemrës, një botë të tërë. Kësaj botës ku jetojmë e që pikërisht aty e prej tyre mori “avdes” të krijoj artin e madh, këtë pasuri kozmike të krejt kulturës njerëzore.

Neve!

Sepse veç ne kemi shkëmbyer gjithçka, luftën dhe paqen, bukën e misrit dhe shtëpitë, vdekjet dhe martesat, shirat dhe ujin të të njëjtit qiell, këngët dhe legjendat, verën dhe rakinë e fortë, vallet dhe fustanellat, fjalët dhe ullinjtë, fatet dhe armët dhe për fat, për një fat gati të perëndishëm, këngën, pa të cilën, siç thotë Livadhitis;

“Kush nuk këndon, vdes!”

E po çfarë mbetet së fundi veç një urimi pa fjalë të “mëdha”.

Faleminderit Arqile Garo!

Zoti (a vetë poezia që është një Zot tjetër këtu poshtë në tokë) ta shtoftë inatin e bukur!

Please follow and like us: