Petrit Velaj, 35 vjet e gjysmë në burgjet e komunizmit
Kastriot Dervishi
Petrit Velaj nga Vlora (1924-2017) është shembull qëndrese me 12.960 ditët e burgimit të tij gjatë periudhës së komunizmit.
35 vjet e gjysmë vuajti tre dënime me burgim. Por pavarësisht kësaj, gjithnjë ishte i qartë dhe i pamposhtur nga komunizmi.
Jeta e tij, mori të tatpjetën më datë 2.11.1994. Ai u nis me forcat e Ballit Kombëtar në Shkodër nga Mit’hat Frashëri me mision në Tiranë.
Në Mamurras kapet nga forcat e brigadës së 23-të, të cilët e dënuan me pushkatim. Siç tregon në kujtimet e veta, shpëtoi në sekondat e fundit nga ndërhyrja e Mihal Priftit.
-Periudha e vuajtjes së burgimit:
1945-1965, dënimi i parë
1972-1989, dënimi i dytë dhe ridënimi
-Mosha në fillim të dënimit: 21 vjeç
-Mosha në mbarim të dënimit: 65 vjeç
Dënimi i parë: 1945-1965
Në vitin 1945 dënohet nga Gjykata Ushtarake e Vlorës e drejtuar nga Qemal Klosi me prokuror Lufter Hoxhën me burgim të përjetshëm.
Dhe kështu nisi udha e gjatë e vuajtjes së dënimit në burgjet dhe kampet e diktaturës.
Më 14.9.1946 ishte ndër të burgosurit e parë të Burrelit.
Ja skeda e vuajtjes së dënimit të parë:
1946, Burgu nr.11 Vlorë
1946-1951, Burgu nr.3 Burrel
1951-1952, Burgu nr.5 Tiranë, mesagjeria
1952, Burgu nr.3 Burrel
1953-1956, Reparti nr.307 Tiranë, Reparti nr.309 Tërbuf
1957, Burgu nr.319 Vlorë
1958-1964, Burgu nr.321 Burrel
1964-1965, Reparti nr.309 Laç
Dënimi i dytë e i tretë: 1972-1989
Pas një internimi 5-vjeçar, Petrit Velaj u arrestua ditën e pavarësisë, më 28.11.1972.
Gjykata deklaronte se “rrezikshmëri shoqërore paraqet edhe vetë i pandehuri i cili vjen nga një familje shtresë e pasur dhe e hedhur qysh në fillim të lëvizjes nacionalçlirimtare në bashkëpunim me okupatorët e tradhtarët e vendit”, duke injoruar faktin se Petrit Velaj ishte nga antifashistët e parë në vend.
Me vendimin nr.24, datë 31.1.1973, Gjykata e Rrethit Vlorë, e kryesuar nga Sadik Qorduka, duke pasur pranë ndihmësprokurorin Besnik Halili e deklaroi fajtor. Kjo në bazë të nenit 73 të Kodit Penal se kishte “zhvilluar biseda me karakter armiqësor për të dobësuar e rrëzuar pushtetin popullor” dhe e dënoi me 10 vjet burgim.
Kur po i afrohej lirimi, u arrestua sërish më 1.9.1980 gjatë kohës që vuante dënimin në kampin nr.309 Ballsh.
Gjykata Popullore e Rrethit Fier e kryesuar nga kryetari Fehmi Abdiu, duke pasur pranë prokurorin Kiço Koçi, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 55 të Kodit Penal. Duke e dënuar me 11 vjet burgim. Në shkurt 1989 u lirua nga burgimi.
Ja skeda e vuajtjes së dënimit të dytë e të tretë në kampe e burgje:
1973-1974, Reparti nr.303 Spaç
1978-1980, Reparti nr.309 Ballsh
1981-1982, Reparti nr.303 Spaç
1982-1985, Reparti nr.302 Zejmen
1985-1986, Reparti nr.303 Spaç
1986-1989, Kompleksi “Dinamo” Tiranë