Albspirit

Media/News/Publishing

‘Arrestimi ishte i ligjshëm’, Mark Frroku humbet në Strasburg

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg merr në shqyrtim ankimin e ish-deputetit Mark Frroku dhe rrëzon pretendimin e tij se me arrestimin në Shqipëri është shkelur Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Froku iu drejtua Strasburgut në vitin 2015-të teksa vazhdonte të qëndronte në burg. Ai këmbëngulte që Strasburgu ta cilësonte të paligjshëm arrestimin, pasi argumenton se në këtë mënyrë i janë mohuar të drejtat dhe liritë e tij, jo vetëm personale, por edhe politike. Me këtë vendim të sotëm Strasburgu hedh poshtë të gjitha pretendimet e tij.

Ish-deputeti Mark Frroku u dënua me 6 vjet burg për tre akuza“mosdeklarimit të pasurisë, pastrimit të parave dhe ndërtimit të paligjshëm”, por kur kishte berë vetëm tre vite burg me një vendim të Gjykatës së Fierit më 9 maj ai u lirua pa vuajtur edhe 1 vit, 5 muaj dhe 5 ditë, me arsyetimin se tashmë ishte riedukuar apo “rehabilituar plotësisht”. Vendimi i gjykatëses Matilda Shalla vlerësoi po ashtu se Frroku plotësonte kushtet e lirimit me kusht, duke e cilësuar atë si një rast të veçantë.

Ish-deputeti Mark Frroku u arrestua në mars të vitit 2015, fillimisht me akuzën për “kallëzim të rremë”, pasi bashkë me deputetin tjetër, Tom Doshi u akuzuan se sajuan një skenar që akuzonte Presidentin aktual të Republikës Ilir Meta, se kishte synuar të vriste Doshin, çështje e cila është ende në gjykim.

Pak ditë më vonë, për Frrokun u lëshua një urdhër arresti i dytë bazuar në një urdhër kërkimi nga autoritetet Belge, të cilat e akuzonin atë për vrasjen e një emigranti shqiptar në vitit 1999. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes, por u dënua për akuzat e tjera që prokuroria ngriti ndaj tij pasi e mori në hetim, “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjehdur dhe nëpuënsve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “ndërtimi i paligjshëm”.

Ai u zgjodh deputet si i pari i listës së një partie të vogël politike në zonën e Shkodrës në koalicion me Partinë Sociliste dhe LSI në zgjedhjet e vitit 2013 dhe ishte që në fillim një nga emrat e përfolur në pëpjekjen për dekriminalizimin e Kuvendit. Ndërsa vëllai i tij, Arben Frroku, i cili po ashtu ishte në listën e kandidatëve për deputet në vitin 2013, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj dhe ndodhet i arrestuar në Hollandë, në pritje të ekstradimit. /Report TV/

Please follow and like us: