Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Laci: Si po i liron Gjykata e Fierit personazhet VIP?

 

Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, u lirua nga qelia pas një vendimi të Gjykatës së Fierit, që e nxori në liri me kusht edhe pse ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me vendim të formës së prerë me 6 vite e tetë muaj burg në nëntor të vitit 2017.

Hoxha u arrestua në vitin 2015 si një nga personat e implikuar në laboratorin e drogës në Xibrakë, ku u kapën 100 kg drogë.

Në muajin korrik të vitit të kaluar Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi 10 vite burg, por falë gjykimit të shkurtuar dhe pranimit të fajësisë, Gjykata ia uli dënimin me tre vite.

Por ajo që habit dhe që mbetet për tu zbardhur është përse drejtësia dhe në këtë rast Gjykata e Fierit është treguar kaq zemërgjerë sa ta nxjerrë nga qelia Ermal Hoxhën.

Në fakt pas një hulumtimi të Opinion.al, rezulton se Gjykata e Fierit nuk është hera e parë që merr vendime të tilla për personazhe të njohur të cilët edhe pse kanë marrë vendime të formës së prerë në Gjykata të tjerë, çuditërisht çështjet e tyre përfundojnë në Gjykatën e Fierit e cila më pas i liron.

Por le ti marrim me radhë.

Mark Frroku, ish-deputet, i larguar nga parlamenti falë ligjit të dekriminalizimit, u arrestua në prill të vitit 2015.

Në vitin 2017 Gjykata e Tiranës e dënoi Frrokun me 7 vite e 6 muaj burg për tre akuza të ngritura nga prokuroria; atë të fshehjes së pasurisë, pastrim i produkteve të veprës penale dhe ndërtimit të paligjshëm.

Por më 10 maj 2018, çuditërisht Gjykata e Fierit i fal dënimin e mbetur me 1 vit e 8 muaj Frrokut, me arsyetimin se ishte sjellë mirë në qeli.

Por siç e theksuam më sipër këto nuk janë rastet e vetme kur Gjykata e Fierit thyen vendimet e Gjykatave të tjerë.

Një rast i ngjashëm është edhe ai i Guximtar Boçit, kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, i cili u filmua në një videoregjistrim teksa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune në gjykatë, rast i publikuar edhe në emisionin “Stop” në Tv Klan.

Çuditërisht edhe këtu Gjykata e Krimeve të Rënda ia delegoi çështjen Gjykatës së Fierit.

Dhe po çuditërisht i njëjti gjyqtar Piro Sota që sot liroi me kusht Ermal Hoxhën edhe pse kishte ende dënim për të vuajtur, kishte tendencën për të mbyllur çështjen Boçi në dhomë këshillimi edhe pse e dëmtuara dhe avokati i saj kërkonin që gjykimi të vazhdonte.

Fakt që u dokumentua sërish nga emisioni “Stop” me anë të pamjeve filmike.

Rastësi apo dyshim i bazuar?!!!

Pyetja që lind pas këtyre rasteve është: A po përdor dikush Gjykatën e Fierit si një institucion vakëfi ku falen shpirtrat në faj, apo duhet të besojmë se gjyqtarët e kësaj gjykate i kanë bakushet më zemërgjera se çekiçi i drejtësisë.

Apo duhet të besojmë se mëkatet mund të shlyhen edhe duke pastruar plazhin apo duke shërbyer në bibliotekën e lagjes, si në rastin e Lulzim Berishës, të fortit të Durrësit, që u lirua me kusht në fund të vitit 2016 për pesë vitet e mbetura të dënimit, edhe pse ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm dhe më pas me 25 vite burgim.

Please follow and like us: