Albspirit

Media/News/Publishing

Ema Andrea, aktorja më e mirë e Festivalit Alternativ në Podgoricë

Ema Andrea është shpallur në mënyrë unanime nga juria e FIAT Festivalit Internacional Alternativ të Teatrove si aktorja më e mirë, me interpretimin e rolit të nënës, tek vepra “Nëna dhe fëmija” nën regjinë e Dino Mustafiq. Andrea ka shkëlqyer në interpretimin e veprës së Jon Fosse. Kjo vepër në këtë festival është vlerësuar me dy çmime, pasi Dino Mustafiq është vlerësuar me çmimin si regjisori më i mirë. Andrea është vlerësuar për interpretimin e fuqishëm jo vetëm përmes zërit por edhe trupit, duke u mishëruar në rolin tronditës të nenës. Vepra u vu në skenë në Tiranë muaj më parë në Tulla Center.

“Nuk kemi kohë të ndalojmë dhe po humbasim dashurinë për nënën, miqtë, fëmijën, gruan. Ajo çfarë dua të them me këtë dramë është një temë e madhe, që e gjejmë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Pothuajse të gjithë ndjehemi si të burgosur. Me këtë shfaqje ngremë pyetje, shprehim idetë tona, shfaqim emocionin dhe idetë pozitive, sepse teatri nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një akt social. Vetmia e njeriut është tema më e afërt e aktualitetit që po jetojmë. Ja, unë kam reflektuar. Sapo të mbarojë shfaqja kam menduar të marr nënën time në telefon”, do të shprehej Andrea për këtë vepër.

Për regjisorin Mustafiq që duket se ka gjetur tek Andrea aktoren e vërtetë për role tronditëse, kjo vepër është një mesazh për shoqërinë bashkëkohore që po ikën gjithnjë nga gjërat thelbësore të raporteve njerëzore. Në krah të Andreas në këtë vepër interpreton aktori Matia Llupa. Historia e një djaloshi që takon nënën pas 20 vitesh, një takim i mbushur me skena të rënduara psikologjike një debat i cili i çon deri në incest, ndërtohen në një atmosferë të jashtëzakonshme nga Andrea dhe Llupa.

Please follow and like us: