Aurel Plasari: Arkitekti i Ramës dhe arkitekti i Hitlerit
Po “arkitektë oborri” nuk paska? Ashtu si ka pasur dhe ka “poetë oborri”, “piktorë oborri” etj.?
Miqtë arkitektë nuk kanë përse ngrysen për këtë çështje të shtruar kështu: do të mjaftonte të lexohen Kujtimet e “arkitektit brilant” gjerman Albert Speer (1905-1981), përgjatë të cilave faqet e kurtizanërisë të një talenti të padyshimtë të godasin sytë. “Një nga arkitektët më të mëdhenj të botës”, do ta kishte quajtur edhe atë kryeministri i një pjese të Shqipërisë.
“Arkitektët që ju bëni fajtorë nuk kanë asnjë faj, – më ngulmon lidhur me debatet aktuale për një kinse- teatër të ri një kolege arkitekte që ka zgjedhur të jetojë jashtë Shqipërisë, – ata thjesht marrin porositë dhe i zbatojnë ato”. Ndërsa mua, që jetoj këtu në Qytetin tim, nuk më rezulton kështu. Vërtet që fajet kërkohen, më së pari, te porositësit, por nuk mund të shfajësohen as ata “zbatues” që eksperimentojnë në qytetet e botës pa i njohur ato, pa ua ditur traditën, trashëgiminë, sidomos pa iu dhimbsur kujtesa historike që rrënojnë: u mjafton të zbatojnë “porositë” dhe të marrin pagesat. Që mund të jetojnë në Nju Jork dhe prej studiove të atyshme, përkundrejt porosie, t’i dërgojnë Hong-Kongut një ndërtesë të gatshme, si lodërz në kuti, kjo nuk më sugjestionon aspak, thjesht ngase Hong-Kongu nuk është Qyteti im. I përshkroi tanimë kolegu ynë, historiani i artit Rubens Shima, “zbatues” porosish të tilla:
“Klientelistë me procedura jotransparente, me lidhje të dyshimta me pushtetin, këto studio arkitekture të huaja, që gëlojnë në nëntokën e pistë të politikës shqiptare, shfaqen sa herë prishet një qendër qyteti, godinë a ndërtesë e vjetër. Pa asnjë ndjeshmëri dhe etikë profesionale në lidhje me historinë dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij vendi, të paskrupuj për atë që shkatërrojnë, por edhe për atë që lënë pas, në një Tiranë që po denatyrohet sistematikisht”.
Është e vërtetë që autorë parësorë të krimit nuk janë as killerët me pagesë, i them koleges, mirëpo kanë edhe ata barrën e tyre në krimin që mund të kryejnë përkundrejt “porosie”. “Arkitektët që te ju po shpallen fajtorë, – vazhdon kolegia arkitekte, – janë talente mirëfilli, dhe nuk mund të mos e llogarisni këtë”. Ndërsa mua më duket se kjo ngjan pikë për pikë edhe me zgjedhjen e killerit: sa më i talentuar të zgjidhet ai, aq më i sigurt suksesi në krim.
E pyes rastësisht, si arkitekte që është, në i ka lexuar Kujtimet e “arkitektit brilant” Albert Speer, të parapëlqyerit të Hitlerit për të ndërtuar një Berlin fantazmagorik, simbas të shkrepurave vetjake të Führerit, duke përdhunuar kujtesën historike të qytetit? Dhe ja befasia: ajo nuk lexuaka autorë të tillë! Madje as denjon t’i lexojë! Përse? Për dëmet që i paskëshin shkaktuar Berlinit, për krimet që paskëshin kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, për Holokaustin e më the të thashë. Këtu ndryshuakemi, sepse bota ku bëj pjesë edhe unë i lexon kujtime të tilla dhe nxjerr syresh edhe ndonjë mësim, qoftë në fushë ta arkitekturës, qoftë në atë të politikës. Aq më shumë të të dyjave bashkë kur puqen në konceptin e artit në shërbim të “oborreve”.
Që z. Speer nuk u dënua në Nyrenberg për projektet e tij “të porositura”, kjo dihet. U dënua për veprimtarinë e mëvonshme kriminale si Ministër i Armatimeve (Rüstungsminister) i Rajhut të Tretë nga 1942 më 1945. Për projektet arkitekturore as do të qe ndëshkuar ndonjëherë. Mirëpo vetë funksioni i lartë që ia përmenda dëshmon se deri në ç’skaje të krimit mund të mbërrijë edhe një “i talentuar”, sado i madh qoftë, kur ngjit si i verbër shkallinat nga shërbimi në shërbim të ndonjë të lajthituri: nga currili i gjakut te lumi i gjakut.
Jo vetëm specialistë të arkitekturës, por as kritikë të artit nuk e mohojnë që zotëria e tij Albert Speer të ketë qenë një “arkitekt brilant”, – edhe punime monografike kanë shkruar për veprën e tij, – mirëpo nuk rezultuan aspak “brilante” shërbimet që ai i bëri çmendurisë së një pushteti. E ka përshkruar vetë arkitekti, në Kujtimet që shkroi gjatë 20 viteve të burgut, mahnitjen e Aldolf Hitlerit me zbatimin e fantazive të veta prej të përzgjedhurit prej tij arkitekt.
Në kreun X të Kujtimeve, me titull “Në shkulmin e ekzaltimit perandorak”, z. Speer ka treguar se si i ekspozonte modelet plastike të “Qytetit të ardhshëm” në sallën e madhe të së quajturës “Akademie der Künste”, ndërsa Führeri as që kërkonte shpjegime: të ftuarve të tij ai ua shpjegonte vetë “Qytetin e ardhshëm”, me të gjitha hollësitë, si të ishte ai autori i vërtetë. Se sa do të prishte e do të rrënonte nga kujtesa historike e Berlinit, “arkitekti brilant” as donte t’ia dinte. Atij aq i bënte. “Arkitektit brilant” i mjaftonte të kujdesej që për çdo model të ri t’i vendoste reflektorët në mënyrë që ta nxirrte atë në spikamë nga të gjitha këndet e mundshme. Modelet, zakonisht të ekspozuara në shkallën 1:50, i punonin ebanistë të specializuar, mandej i ngjyrosnin me ngjyrat e caktuara për ngrehinat reale etj. Kështu, tregon ai, ekspozoi për shembull projektin e asaj që do të quhej “Die Große Straße” (“Rruga e Madhe”), duke u ofruar vizitorëve vizionin plastik të ngrehinave që do të ngriheshin, të themi, dhjetë vite më vonë: nga salla në sallë për gati tridhjetë metra.
“Nuk më ka ndodhur kurrë ta shoh aq të gjallë, aq spontan, aq të relaksuar, sesa para modeleve të Berlinit të ardhshëm”, ka pohuar ai për Führerin. Pikërisht në ato momente Führeri i tha shprehjen që e paskësh bërë të vetën edhe kryeministri i një pjese të Shqipërisë: “Turistë nga anekënd botës do të vijnë për të parë veprat e tua dhe… të miat”.
Që të mos e zgjas, një ditë prej ditësh arkitekti i entuziazmuar ftoi për të vizituar projektet e veta edhe t’anë. I ati, vetë arkitekt për nga profesioni, vinte të kundronte “kryeveprat” e të birit arkitekt të veshur me famë. Plaku ngriti supet para tyre dhe tha vetëm një fjali: “Ju të tërë jeni çmendur krejt!”. E ka dëshmuar vetë i biri, në Kujtimet, fjalinë fatale të t’et: “Ihr seid alle völlig verrückt geworden!”.
Por nuk mbaron me kaq. Nëse i besojmë si të sinqerta Kujtimet e “arkitektit brilant”, ai ka pranuar diçka edhe më të rëndë. Mbas viteve të burgut, duke shpluhuruar albumet e veta me projektet e “Qytetit të ardhshëm”, ka sjellë nëpër mend se si në të quajturën “Die Große Straße” do të integronin edhe “një super- kinema luksoze premierash”, më tej “një kinema popullore” me 2.000 vende, “një teatër të ri lirik”, “tre teatro dramatikë”, “një auditorium të ri muzike”, “një pallat kongresesh” (pikërisht kështu) të cilin do ta quanin “Haus der Nationen”, “një hotel njëzetenjëkatësh” me 1.500 shtretër, “një numër të madh teatrosh varieteje”, deri edhe “një “pishinë në stil romak të madhe si termat romake të periudhës perandorake” etj. Të tilla kishin pas qenë paraqitur edhe në një kronikë dokumentare të vitit 1941: asohere Führeri nuk kishte kanal AHTV në emrin e vet. Tanimë në liri, z. Speer ka mbyllur albumin dalëboje dhe ka shkruar: “E kuptoj që nuk do të kishte qenë vetëm një gjë e çmendur, do të kishte qenë edhe një gjë e mërzitshme”.
“Arkitekti që në Shqipëri e sulmojnë, – e vijon me ngulm apologjinë kolegia arkitekte që ka zgjedhur të jetojë jashtë, – ka 500 arkitektë mbrapa vetes, aq i fuqishëm është, ndërsa projekti për teatrin tuaj të ri nuk është për të veçse një insekt…”. Një insekt? A përnjëmend ishkorpusi historik “SKANDERBEG”, që strehon sot dy teatrot tanë kombëtarë, nuk qenkësh për të veçse një insekt? Nëse arsyetohet ashtu atëherë edhe ne jemi në të drejtën tonë ta trajtojmë si insekt – madje me dëbuese mizash – zotërinë e tij që nuk dashka t’ia dijë aspak se po kontribuon në një projekt për prishjen e një kompleksi shumëfish historik të Qytetit tonë dhe për të na e bërë këtë Qytet, më e pakta sikundër më vonesë e cilësoi z. Speer, “një gjë të mërzitshme”. Dhe kjo nuk është më çështje “arkitekture”.
Të ta bëjnë qytetin të mërzitshëm: a kuptohet se ç’do të thotë kjo? Do të thotë që disa qenie rëndomqare, falë pushtetit të tyre politik dhe interesave vetjakë, të ta bëjnë të padurueshme jetesën në “Tiranën e mendjeve të bukura”, siç e kam quajtur Tiranën e njëhershme. Do të thotë që Qytetin tënd të ta bëjnë të huaj sikur edhe vetëm me anë të “mërzisë”, që çngjyros gjithçka, të asaj “mërzie” për të cilën Cortázari që kam pas përkthyer thoshte se vret më shumë se çdo sëmundje. Dhe killerët me pagesë, rrënues të kujtesës historike të Qytetit tënd, qenkëshin të pafajshëm ngaqë janë “të talentuar”? M’i lumtë goja për atë fjalinë t’et të zotit Speer sa për të birin “e talentuar”, aq edhe për porositësit e tij, duke i bërë të dalë mendsh. Më shumë, në Rajhun e Tretë, nuk mund të thoshte.