‘Foreign Policy’: Ndarja e Kosovës çon në katastrofë
Revista amerikane, “Foreign Policy” ka publikuar një analizë, në të cilën kundërshton idenë e ndarjes së Kosovës dhe këmbimit të territoreve me Serbinë. Autori Michael Rossi, profesor universitar shkruan se këshillat e këqija për këmbim territoresh dhe transferim të popullsisë nuk do të sjellin paqe. Sipas tij, më shumë ka gjasa të rikthehet gjakderdhja që e kishte pllakosur Ballkanin në vitet ’90
“Ndarja është një mundësi e keqe dhe shumë e rrezikshme, dhe kjo ide prej shumë kohës ka qenë e refuzuar zyrtarisht nga të gjitha palët, për arsye të shumta”, shkruan revista e njohur për shkrimet e saj rreth çështjeve të politikës ndërkombëtare.
“Çdo thirrje për të ri-kufizim kufijsh dhe për të shkëmbyer territorin pothuajse me siguri do të degjenerohej në llojin e dhunës dhe shkëmbimeve kaotike të popullsisë që rrënonte rajonin në vitet 1990”, nënvizon “Foreign Policy” duke shtuar se kjo mund të sjellë luftëra në tokën evropiane.
Më tej media e njohur thekson se ndarja do të shkatërronte vitet e punës nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë kryesore të Evropës Perëndimore që kanë dhënë imazhin e hartuar me kujdes të Kosovës për një shoqëri multietnike, si dhe përpjekjet për të bindur bashkësitë serbe dhe shqiptare për të jetuar së bashku.
“Marrëveshjet e mbështetura ndërkombëtarisht midis Beogradit dhe Prishtinës për krijimin e autorizimeve të autonomisë për serbët e Kosovës do të digjeshin”.
Edhe autori i kësaj analize mendon se “kërcënimi që sjell korrigjimi i kufijve mund të hapë kutinë e Pandorës në rajon dhe kjo do t’i inkurajonte serbët në Bosnjë dhe shqiptarët në Maqedoni të kërkonin marrëveshje të ngjashme të shkëputjes territoriale dhe bashkimit me të afërmit e tyre etnik”. Nëse kjo do të ndodhte, “Foreign Policy” thotë se bashkësia ndërkombëtare do të detyrohej të ndërhyjë në Ballkan për të ndalur zhvillimet që do pasonin zinxhir.