Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Ndrek Luca dhe na ishte një herë teatri…

Sadik Bejko: In memoriam, Ndrek Luca!

Për aktorin Ndkek Luca, “Artist i Popullit”, kam shumë për të thënë. Jam njohur drejtpërsëdrejti në Gjirokastër, më 1987. Ndreka hyri shumë shpejt në jetën time, hyri ballaz e pa shumë qarkime. Mendoj se kjo ishte natyra e tij. Kur i duhej diçka, pa shumë prita apo lakadredhje, ai i sulej asaj fluturimthi dhe nuk ndalej sa ta merrte.
Ishite viti 1987, 75 – vjetori i Pavarësisë. Punoja si libretist i teatrit në Gjirokastër. Gjatë verës së atij viti shkrova një dramë dhe e paraqita në teatër për sezonin e vjeshtës. Drama u bënte jehonë ngjarjeve në prag të Pavarësisë. Ngjarjet vendoseshin në Veriun e Shqipërisë. Nga drejtuesit e teatrit u mendua që Ndrekë Luca mund të ishte aktori i rolit kryesor të dramës. U bënë bisedat për ta sjellë Ndrekën me shërbim në Gjirokastër. Ai pranoi. Ngjarja shkoi deri te drejtuesit kryesorë të partisë dhe të pushtetit në rreth. Ndreka ishte i futur dhe, sapo erdhi, i takoi ata dhe që të gjitha figurat kryesore të jetës së qytetit.
Filloi puna dhe mua m’u hoq një barrë nga supet.

Libretisti është si furnitori: unë e kisha furnizuar ‘ndërmarrjen’ me ushqim. Tani mund t’i jepja pak pushim vetes. Por nuk qe e thënë.

Një mbasdite Ndreka më troket te dera e shtëpisë. Nuk njiheshim fare. Dhe që kish ardhur në teatër, i kisha qendruar larg. Habia ishte se ai po kërkonte mbështetjen time si libretist, si autor i dramës që t’i dilja krah në atë që kish ndër mend të bënte. Dramën e kishte lexuar, kish vërejtje të ndreqshme, por nuk kishte ardhur te unë për të më dhënë vërejtjet për tekstin a rolin e tij, si roli kryesor i pjesës. Kishte biseduar veçan me disa nga aktorët dhe kish marrë miratimin e tyre. Nuk e donte regjisorin e teatrit. Donte që regjisori i shfaqjes të ishte ai, Ndrek Luca. Po përmbyste gjithë platformën e shfaqjes, ndarjen e roleve… E mbështeta, për sa më takonte mua: si autor më pëlqente që regjisor e aktor kryesor të ishte Ndrekë Luca. Është fat për çdo autor. Për të tjerat kishte punë me teatrin, me shefat deri të mëdhenjtë e rrethit që e kishin miratuar ardhjen e tij.
Për çudi, Ndreka ia arriti që të jetë regjisori dhe aktori kryesor. Më donte pranë se u pëlqyem në muhabet dhe se në ecje e sipër me punën që bëjnë aktorët në tavolinë delnin vërejtje për dialogun a për skena që mund të detajoheshin më mirë apo të shkurtoheshin.
Vënia në skenë e dramës u shty deri në muajt e parë të vitit 1988. Ndreka ishte një karakter shpërthyes dhe të merrte para si një lumë me dallgë. Aktorët i kishte bërë me krahë.
Ai i dha sukses teatrit të Gjirokastrës me vënien në skenë të dramës “Paqe e përgjakur”. Në shtypin e kohës, në gazetat ‘Zëri i Populit’, në ‘Zërin e rinisë’ u paqyrua kjo ngjarje…sigurisht nga emri i Ndrekës, Artist i Popullit. Drama u shfaq mbi 20 herë në Gjirokastër, pastaj dhe në Tiranë, në skenën e Teatrit Popullor. Në shfaqjen e parë në Teatrin Popullor erdhi Foto Çami, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Ministria e Kulturës na pa me sy pak shtrëmbër. Nuk i vumë rëndësi.
Ne ishim në qiell se na u dha leja të jepnim shfaqje në teatrin ‘Migjeni’ Shkodër. Ndeka fliste dhe për një turne në shumë rrethe të Veriut. Ai gëzonte që po na ecte. Na pritën personalitetet politike të rrethit Shkodër. Ndreka aty ishte si në shtëpinë e vet.
Por…. papritur “me urdhër nga lart” u ndërpre dhënia e shfaqjeve. Pak si me erë e me thëllim po mbaronin dhe marrëdhëniet e teatrit me Ndrekën. Atij iu tha që shfaqja deri në një urdhër të dytë do të pezullohej dhe ai nuk kishte më punë në Gjirokastër. Nuk u shfaq më. Kurrë.
U kthyem në Gjirokastër. Atje, në vend që të na lavdëronin, na prisnin mbledhje, linçime, ndëshkime. Ne ’ndrekistët’ u shpallëm të padëshiruar. Kishim shkelur etikën. Kishim mbështetur Ndrekën, duke iu kundërvënë regjisorit të teatrit, të emëruarit zyrtarisht. Mbledhjet ishin pak të gjata, të egra në fjalë. Kishte hidhtësi, tundje këmbësh e kërcëllimë dhëmbësh, që të trëmbnin. Flitej për heqje nga puna, për dërgime në prodhim…
Ndrekën siç e sollën, po me një urdhër e larguan. Pse duhet të ishim përgjegjës ne për mbajtjen afër të tij, kur punonim për dramën? Shefat e ndërprisnin bashkëpunimin me Ndrekën nëse nuk do t’i kishin pëlqyer kushtet e tij. Pse nuk e ndërprenë? Pra, etikën e kishim thyer bashkë me shefat. Arsyet ishin të tjera dhe kurrë nuk u thanë hapur. Drama ‘lart’ nuk ishte pëlqyer se një ‘paqe e përgjakur’ me vrasje e me njerëz të uritur, asaj kohe nuk i përshtatej (siç) .
Mua më zbuan nga teatri. U ktheva në arsim. Shumë aktorë të teatrit morën vërejtje, heqje nga pozicioni i mëparshëm. Po nuk dua të përmend emra, as të të ndëshkuarve, as të atyre që na hidheshin në fyt ne fajtorëve.
Flamur Çani, ish-kryetari i rrethit Gjjiokaster, në kujtimet e tij (vëllimi i tretë) shkruan emrin e një regjisori gjirokastrit, i cili me lot sy i kishte kërkuar që mua, libretistin e teatrit, të më burgosnin.
Veç shtetit dhe ne artisët ia kemi nxjerrë sytë njëri-tjetrit.
Pas rreth një viti e gjysmë në botë ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi…erdhi demokracia…
Mbeta me një respekt të pafund për Ndrekën… Në ato pak muaj u bëmë miq…U njohëm dhe familjarisht. Ai ishte një njeri i veçantë, një antikomunist i bindur. Që atëherë fliste “kundra”, por fliste për njerëz që të dridhej buza po t’i përflisje, apo t’i mallkoje ashtu si shkumëzonte e gjëmonte Ndreka kundër tyre…

——————————–

Na ishte nje herë teatri i Gjirokastrës

 

Mbas këtij kujtimi për Ndrek Lucën që mbyllet këtu, mbetet pyetja: po teatri?
Me teatrin nuk u mora më. As me njerëzit e tij. Unë nuk kisha asgjë personale me ata që na u hodhën në fyt. Këta njerëz kishin zënë nga një qoshe të ngrohtë në teatër. Unë, ngaqë vija nga arsimi, Ndrekë Luca ngaqë ishte artist i lindur dhe natyrë rebeli, ua turbulluam ujërat e ndënjura. Kur dikujt i prishke rehatinë, është gati të t’i hedhë thonjtë në fyt.
Më vinte keq për atë grup të rinjsh që kishin ëndrra, për art, për karrierë artistike. Këtyre të talentuarve, ua nxinin jetën ata që donin rutinën: të bënin sic thoshin shefat, të përuleshin e të hidhnin firmën në bordero.
Në fakt, në teatrot e atëhershme të provincave, zije një vend pune dhe dridhje zinxhirin. Paguheshe për ca recitime në shfaqjet festive, për një rol, për një shfaqje në vit. Teatrin e paguante shteti që t’i shërbehej “me art” propagandës së tij. Teatri të siguronte një rrogë të mirë dhe një vend të nderuar në shoqëri. Nuk ishte vend ku domosdo bëhej art. Nuk përjashtohej që dhe të bëhej art. E bënin talentet.
Aktorët më me ambicje e kërkonin veten në kinematografi.
Kur kontrata e mësipërme u prish, nga që ai shtet ra, kur nuk po paguhej më për propagandë, vetë njerëzit e punësuar në teatër ikën, regjisorët, aktorët….Sot sallat e teatrove në rrethe janë bosh.
Kjo zbrazje nga aktorët dhe nga spektatorët ka ndodhur dhe me teatrin e Gjirokastërës,.
Shumica e ish-aktorëve nuk janë më në punën e tyre. As me Partinë e Punës së Shqipërisë nuk janë, parti për të cilën të “vrisnin”. Njerëzisht me disa prej tyre takohem… flasim.
Si artistë asnjëri syresh nuk e arrin klasin e Ndrekë Lucës.

Please follow and like us: