Sotir ATHANASI: Sfida e një përkthyesi adoleshent (4)
Gjithë ç’lexuat e shkrova pas një jave si tregim dhe ia dërgova revistës së kohëpaskohshme, ku unë kisha botuar disa herë. Qe prag Pashke dhe redaktori më propozoi ta botonte në numrin e prillit, ku do të vihej dhe një kronikë rutinë pranë, mbi përcjelljen e kremtimeve të Ringjalljes së Krishtit.
– Zbusim kështu dhe shpirtin e vranët e trishtues që shoqëron tregimin tënd, – do të më bindte ai.
Dy ditë pas Ringjalljes, redaktori do të më telefononte dhe do të më thoshte:
– Të vish urgjent për tregimin! Do të përballesh me diçka zhuritëse.
Zëri i tij s’tregonte aspak shqetësim. Përkundrazi. Kishte një ton ngazëllimi, për të mos thënë dalldi. Pra, si mund të qe e ngutshme? Aq më tepër përvëluese thirrja e tij?
Gjithsesi shkova. Edhe sepse më udhëheq gjithmonë bindja se redaktorët kanë një shqisë të gjashtë. Diçka duhet të ketë pikasur, mendova.
– Numri i Pashkës do të jetë shumë tërheqës, falë edhe tregimit tënd, – më deklamoi ai si në skenën e ndonjë teatri sapo hyra në zyrë.
“SFIDA E NJË PËRKTHYESI ADOLESHENT dhe DRAMA E BRAKTISJES “ – do të…
Por unë s’e lashë të përfundonte fjalinë:
– Po këtë… dhe drama e braktisjes, ç’e ke që ia paske shtuar si bisht tregimit tim?
– Mund të jesh regjisor edhe pa pasur nevojë të kesh talentin e aktorit. Kështu është edhe me ne redaktorët, miku im. Jo detyrimisht ai ka prirjen për të shkruar. Por duhet të ketë domosdoshmërisht atë shqisën e gjashtë.
– Të nuhatjes atje ku s’ekziston fare atmosferë? – ndërhyra unë.
– E, jo në oqeanin ajror, – plotësoi ai. – Pikërisht këtë dua të them.
– Dhe?
– Dhe…, tema juaj, miku im, vjen në një kohë kur në botën e civilizuar ku kërkojmë të futemi, ndodhin drama si rezultat i braktisjes së prindërve nga fëmijët. Me tregimin tuaj ne jo vetëm që paralajmërojmë, por edhe i paradalim rrezikut se… – Dhe ai më dha një fletushkë nga ato që dikur quheshin AXHANSE. Atë çast unë u ula dhe nisa ta lexoj:
Bëhej fjalë për një çift të moshuarish europianë, që jetonin vetminë, ndonëse në mirëqenie. Djali i tyre i vetëm, por i martuar e me dy fëmijë, djalë e vajzë, tre dhe shtatë vjeç, u kishte telefonuar se do të vinte bashkë me vogëlushët të kalonin familjarisht Ringjalljen e Krishtit në kishë dhe familje.
Pleqtë qenë gëzuar se, më në fund, djalin e tyre me emër të mirë në avokati, do ta kishin përkrah me nusen, me qirinj në duar e me përkujdes ndaj tyre. Por…
Ai nuk erdhi në kishë dhe zemra e të moshuarve pësoi një plasaritje se iu hoq mundësia e krenarisë përpara komshinjve, teksa do të mbanin, herë njëri e herë tjetri, nipat, aty në krah të tyre. Gjithsesi menduan se lëvizjet e shumta, me trafik të rënduar, i kanë këto. Dhe, të gjorët prindër, u kthyen pak më shpejt në shtëpinë e tyre për t’i hedhur edhe një sy trapezës së shtruar.
Ora ecte dhe ata s’guxonin t’i preknin ushqimet dhe ëmbëlsirat e vendosura me aq shije enkas për djalin e tyre. Për nusen e bukur të tyre. Për ata nipër që s’erdhën e s’erdhën atë natë edhe pse u gdhinë pleqtë duke i pritur të veshur mirë e bukur si për ditën e Ringjalljes së Krishtit. Dhe qe e disata herë që zhgënjeheshin pas një telefonate.
Pleqtë nuk kishin më kurajë që të përballonin një tjetër shpresëshuarje se zemra i la dhe u thërrmua.
Prandaj vendosën t’i japin fund jetës së tyre. Nuk kishte më kuptim asgjë. Çështjen: të rrosh a të mos rrosh, e zgjidhi çiftja e plakut.
Fleta e AXHANSIT më ra nga dora mbi tryezën e redaktorit:
– Dhe ti kërkon që këtë lajm tronditës ta vësh si medalion në gjoksin e tregimit tim? – i thashë me zë të ulur si të shqiptoja diçka të ngjashme me dinamitin a nitroglicerinën.
Ai tundi kryet se e kuptoi që mbase ky veprim kishte, si të thuash, veti shpërthyese.
– Nuhatjen e redaktorëve me atë shqisën e gjashtë unë do ta rendisja në aftësinë e … djallit, – përfundova mendimin kësaj here me zë të lartë.
Ai qeshi. Jo sepse qe i ftohtë e i pandjenjë. Por sepse efektin e këtij informacioni ai e kishte përjetuar duke e lexuar disa herë përpara se të vija unë:
– Shoqëria jonë, vuri në dukje ai, – nuk ka mbërritur ende në këtë stad.
– Po, – thashë unë, – se jemi… të paktën njëqind e gjashtëdhjetë vjet më pas në krahasim me francezët.
– Pse njëqind e gjashtëdhjetë e jo dyqind vjet, të themi?
– Se po flisnim për dukurinë e kësaj etape civilizimi.
Sepse më një mijë e tetëqind e tridhjetë e pesën Balzaku shkroi romanin “XHA GORJO” në korpusin e romaneve të titulluara “KOMEDIA NJERËZORE.” Tani jemi më një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesën. Bëje vetë llogarinë. Pra, tani ka mbërritur te ne STADI I “XHA GORJO”-ve. Redaktori i së përjavshmes më tha qetë-qetë:
– Edhe po, edhe jo.
– Si ta kuptoj këtë pohim e mohim në të njëjtën kohë?
– Sepse… lajmi që lexove s’ishte aspak i vërtetë.
Unë shqeva sytë.
– Fundi i tij ishte imagjinar, – plotësoi ai.
– Më konkretisht, – thashë unë.
Të dy prindërit i kishte zënë gjumi nga pritja e gjatë. Dhe plaku kishte përfytyruar fundin me çiften e tij, ndërkohë që zgjohet nga një zile e fortë. Ishte djali që telefononte se: fluturimi ishte anuluar për shkak të një defekti të rëndë. Plaku i shqetësuar kishte ngritur plakën, që gjithashtu flinte. Ajo u shqetësua:
– S’prish punë, bir, edhe sikur të mos vish. Shihemi në skype, në internet.
Por jo. Të nesërmen, një taksi solli djalin me gruan e bukur dhe dy fëmijët si yje…
Në shtator im atë mori vizat për të gjithë pjesëtarët e familjes. Kësisoj, filluam përgatitjet e lënies së Atdheut. Në njëfarë mënyre do të shkëputeshim, me gjasë pa kthim edhe nga gjyshja, e cila, gjithashtu, diç na kishte ormisur e mbështjellë me kujdes: qebapin, mullirin e kafesë dhe një qese të veçantë me një grusht DHE nga KOPSHTI I SAJ.
S’qe vetëm nanuritës ky çast ndarës. Por edhe më prekëse ajo që do të na ribefasonte më pas.
Nga nënkreja ku mbështetej, nxori një FLAMUR që kishte moshën e viteve të saj.
– E kam sjellë në pajë kur u martova, – tha kështu dhe na e dha të palosur me kujdes. – Dhe isha vetëm katërmbëdhjetë vjeçe. Mund të ketë qenë viti i dytë a i tretë, që ishim bërë shtet. Ne krenoheshim që dasma të niste me bajrakun dhe kjo të mbetej në prikën e nuses…
Na përcolli deri te porta e jashtme. Ne morëm monopatin. Përpara se të mbërrinim në xhade, ktheva edhe një herë kryet. Qe momenti kur ajo tundi përfundimisht shaminë e bardhë të kokës dhe u fut brenda.
Vetëm atë çast vura re se porta e madhe metalike ishte lyer me të zezë. Ajo u mbyll dhe unë ndjeva se nuk do ta shihja më këtë
MAMANË TIME TË MADHE.
Pastaj ajo, si të kujtohej se që kur isha i vogël më kishte kujdes mos mbetesha jashtë, e rihapi pakëz portën. Për të më dhënë mua të drejtën të lozja edhe ca. E si për të më thënë, “Çamarroku I NËNËS! Ngopu tani me lodra! Se kur të rritesh, të presin të tjera andralla!”.
O Zot!
Hapësira e çelur e portës lejonte të dukej stoli bosh, në thellësi ku vajti gjyshja. Ai sa vinte e shndërrohej në përmasat e një varri mes lulesh!
Hodha sytë tek të dy prindërit. Mamaja fshihte lotët tinëzisht. Kurse pamja e tim eti tregonte haptas hutimin e njeriut që shkon drejt një bote plotësisht të panjohur.
Epidemia e braktisjes na kishte përfshirë edhe ne si gjithë kombin.
Unë tanimë uroja që të mos kishim fatin e… Drontit.
Nuk e di pse më ra ndër mend gojorja e asaj nëne në reanimacion lënë si amanet për azilet djalit të saj të pushtetshëm dhe ndjeva një dhimbje në kraharor. E gjora NËNË, edhe në udhëtimin e gjatë për te ZOTI kishte merakun e të birit! Mos durofsh, o PERËNDI!