Skandal/Në prokurori merret rryshfeti hapur, dalin përgjimet
Një rast i paprecendentë korrupsioni është shënuar në Prokurorinë e Tiranës. Ka dyshime se një avokate ka shkuar në zyrën e prokurorit Përparim Hasa dhe i ka dhënë plot 2 mijë euro për të zbutur akuzën për një të pandehur. Dyshohet se korrupsioni ka ndodhur pikërisht në godinën ku prosopuzohet se bëhet drejtësi: Në Prokurorinë e Tiranës!
Mësohet se është arerstuar avokatja Donada Lepenica, ndërsa prokurori i Tiranës është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Prej 4 ditësh, Krimet e Rënda kanë bllokuar serverin e kamerave të sigurisë së Prokurorisë së Tiranës. Pamjet filmike kanë fiksuar momentin kur avokatja futet në zyrën e prokurorit. Ndërsa nga përgjimet telefonike zbulohet se avokatja i drejtohet të pandehurit që ajo mbron se, “gjithçka e kam zgjidhur me prokurorin”. Biseda me të akuzuarin është bërë pak çaste pas takimit të saj me prokurorin e Tiranës, Përparim Hasa, në zyrën e këtij të fundit.
Prokurori ka mohuar akuzën ndaj tij, por burime nga Krimet e Rënda pohojnë se biseda telefonike e përgjuar e avokates me të pandehurin është bërë në të njëjtën ditë kur ajo ka takuar Hasën në zyrën e tij në Prokurorinë e Tiranës.
Gjykata e Krimeve të Rënda do japë nesër (e premte) në orën 10:00 masën e sigurisë për avokaten e arrestuar, Donada Lepenica si dhe prokurorin e Tiranës, Përparim Hasa.