Zv/ndihmës Sekretarja e Shtetit, Elisabeth Millard viziton Tiranën
Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Europën dhe EuroAzinë, Elisabeth Millard, nisi të mërkurën një vizitë në Tiranë. Ajo u prit nga Presidenti Ilir Meta, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve kryesore ne Shqipëri dhe ecurinë e reformave, si dhe rreth situatës në Ballkan, mbi referendumin në Maqedoni dhe dialogun politik Kosovë-Serbi.
Zonja Millard pati takime edhe me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
Diplomatja e lartë amerikane, u takua gjithashtu me drejtuesin e opozitës Lulzim Basha. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Partia Demokratike, zoti Basha ka renditur problemet kryesore me të cilat sipas tij po përballet sot vendi, ndërsa e ka njohur edhe me propozimin e opozitës për një verifikim të pasurive dhe lidhjeve të politikanëve me elementë të krimit.
Gjatë takimeve në Tiranë, sipas një njoftimit të ambasadës amerikane, “zonja Millard vlerësoi miqësinë e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe diskutoi mbi partneritetin strategjik midis dy vendeve”.