Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: LIRIA E VËRTETË: MOSBINDJA (1)

Emil Asdurian: LIRIA E VËRTETË: MOSBINDJA
Pjesa e Parë
(E NATYRSHMJA E GJËRAVE TË RËNDOMTA)

Nje burrë pak i kërrusur, kokëulur, të rruar a të përzhitur nga dielli, me syze e mustaqe të dëndura si tufë kashte, me një stap në dorë, mbuluar me një tunikë mbi brekushet prej së njëjtës copë, nuk do ta kishte menduar kurrë se ç’mund të kishte bërë, sot, në kohën e internetit dhe mas-mediave, për atë që arriti të “shiste” në kohën e tij, kur telegrafi, filmi dhe hekurudhat sapo kishin lindur. “Shiti”, nuk është fjala e drejtë, se Gandhi qe burrë i nderçem, (ishte?), por ç’rëndësi ka, kur me “nacionalizmin etik” , me kostum kombëtar, “swadeshi”, fitoi mbi një nga tiranitë me të mënçura, më modernia, e asaj kohe, duke e quajtur sistemin politik, industrial, të përparuar perëndimor “sëmundje”! Qëndrroi ulur këmbëkryq mes një sheshi. Ç’marrëzi!
A do kish bërë vallë më shumë, thua? Po në Shqipëri?

Në Prillin, e vitit 2006-të, 18 “gjyshe” dolën para gjyqjit në Nju Jork për sjellje të pahijshme, të çrregullt. Gra, me moshë nga 59 deri 91, të vetëquajtura “Gjyshet e Brigadës së Pages”, ishin përpjekur të regjistroheshin në ushtri, forcat e armatosura, tek një qender rekrutimi në Sheshin e Kohës (Time Square). Pas gjashtë ditësh, ku dëshmuan gjatë për ndjenjat e tyre pacifiste dhe përkushtimit ndaj lirisë së fjalës, u çfajësuan.*

Lëvizja për Teatrin Kombëtar (Popullor), në një kryeqytet të vogël, në fundin jug-perëndimor të kontinentit europian, e filluar nga aktorë dhe artistë, kundër një vendimi të një qeverie të zgjedhur me votë demokratike, diku më 2018, ende s’ka mbaruar, por si duken bathët po fiton…

Ç’është mosbindja civile dhe domosdoshmëria e saj?

Këto ngjarje, kanë një të përbashkët, edhe pse vite dhe vende larg: mosbindjen civile. Njëra prej tyre, rastësisht apo domosdoshmërisht, e lidhur me artin.

Mosbindja civile, gjithashtu e quajtur, rezistencë passive, të mos u bindesh kërkesave apo urdhërave të një qeverie ose fuqie pushtuese, pa iu drejtuar dhunës ose masave aktive të kundërshtimit, ka për qëlim, zakonisht, të detyrojë qeverinë apo fuqinë pushtuese të bëj lëshime(Britanica). Wainright***, shton: “grupe të shoqërisë civile për të rrëzuar regjime jodemocratike totalitare apo të shprehin mospajtim ndaj shtetit, korporatave apo organizatave ndërkombëtare”.

Po, përfshirja e pjesëve të mëdha të popullasive në proçesin demokratik së bashku me rritjen e ndikimit të shkencës së re, të Mardhënieve Publike, e cila “ndihmon”, në zgjedhjen, në këtë rrëmujë shoqërore, e politikanëve të duhur, si të ishin mallra përdorimi të përditëshëm, e kanë kthyer politikën në një spektakël teatral, që padyshim thërret para se të pijë helmin, që të paktën t’i ndërrojnë përkufizimin. E provuar, pa asnjë dyshim, nga lëvizjet e viteve 60-të dhe 70-të. Ndërkohë, që sot, ai është më i paqartë, më i mjegulluar, se ai i pushtetit dhe vete demokracisë, që po ndryshojnë shumë shpejt nën trysnitë shoqërore, historike dhe ekonomike këto dhjetëvjeçarët e fundit, kur kërkohet, që një protestë e tillë të bëhet sipas ligjit, kundra ligjit. Cilat janë disa nga këto ndryshime në mendësinë e njerzimit:

a. Politikanët, nuk shihen më si udheheqës me aftësi të veçanta dhe largpamës por si administratorë, nga të cilët kërkohet të zgjerojnë liritë e individit dhe të çlirojnë tregun nga kontrolli shtetëror, që më së fundni, me korrupsionin dhe figurat e shprishura morale, s’mendohen të jenë, as si qytetarë të rëndomtë, por mashtues, uzurpatorë, q’u kanë vjedhur qytetarëve-zgjedhës, dy herë lirinë, atë për t’u vetëqeverisur, dhe atë, në tregun e punës, duke marë anën e korporatave apo oligarkëve qe investojnë. Të dyja pa vlerë në diktaturë.

b. Vetë koncepti i mosbindjes civile në sytë e shoqërisë, brenda ose jashtë një shteti të caktuar, ka kaluar, nga çrregullues dhe prishës i paqes, që nxit zhvillim e mirëqenie për të gjithë, në çfarë gazeta New York Times zbuloi në opinionin amerikan në fund të viteve 60-të, që nga shumica konsiderohej si veprimtari patriotike, sepse së pari, e detyron shoqërinë te rivlerësojë dhe ndryshojë qëllimin dhe parësitë e saj dhe së dyti, se s’ka rrugë tjetër, për të mos qenë bashkëfajtor me veprimet e paligjëshme a të pamoralëshme të qeverive, si në Gjermaninë Naziste, diktaturat e Kampit Socialist, si dhe ato fashiste në Amerikën Latine.

c. Qytetarët, siç thotë Bertrand Russel, mbeten përgjithësisht të paditur për veprimet e qeverive të tyre, si për nga zgjedhja që bëjnë: të mos marin pjesë ne të, qoftë dhe fare pak në votim apo nga vetë ndërtimi i aparatit shtetëror, për t’i mënjanuar nga drejtimi i tij, pjesërisht, për shkak të teknikave dhe procedurave te nderlikuara burokratike, pasojë e “modernizimit”, (duhet ta kesh prirje a prefesion), si dhe mosnjohjen e stisur nga ana e organeve shtetërore, ndaj nevojave të popullësisë, nga tërheqja pafund e vëmendjes nga mediat dhe shtypi.* Dhe më keq akoma, nëse veprimtaria pjesëmarrëse e qytetarëve mbaron me zgjedhjen e përfaqësuesve, për të gjykuar në vend tonë, atëhere shteti s’është tjetër, veç sundim mbi një popullësi të paafte për vetëvendosje. Dhe pastaj “fajin e ka Rusoi”.

d. Perceptimi i shoqërisë dhe i pjesës së saj me aktive , për të nxitur ndryshim, dikur pjesa e zhveshur nga të gjitha, e cila, si në kohën e Profetit do të ish ajo që do t’i përkiste e ardhmja dhe Parajsa, por që, kur “mori fuqinë”, flijoi pakicën e mbetur jashtë, në gulage, qeë mandej u mbushën nga pjesa m’e dyshimtë dhe m’e pambrojtur nga dhuna, intelektualët. Ndërsa në perëndim, po ajo, që do të bënte revolucionin u integrua plotësisht, si pjesë e pandarë në shoqërinë plot mirëqenie të konsumit. Kështu, në shekullin e njëzetë, (vitet 60), ishin të tjera forca në buzë të mjerimit (margjinalizuara), pjesë të medha, në mos popullata të tëra, të diskriminuara për nga ngjyra apo prejardhja, dhe më së fundi dhe nga grupe fare të vegjël ose dhe individë, këtu futen artistë dhe shkrimtarë, të vendosur për drejtësinë e çështjes së tyre, pa qenë dhe drejt për së drejti të prekur prej saj, që kanë marrë flamurin e bardhë te luftojnë per një ndryshim paqësor. Mendimtarët e mençur duket se priten të lindin nga Athina, si ajo vetë, nga kokë e Sokratit të lashtë, me asgjë më shumë se një ndërgjegje të bindur dhe mendje të urtë, si Gandhi.

Sipas Randt: “…. veprimi politik, gjithmonë del në çaste krize, të shpërthejë në fushën politike dhe vizive, duke tronditur botën e dukurive dhe duke krijuar rrugë të reja për të përfytyruar “realitetin”: varësitë që lindin nëpërmjet veprave janë dhe duhet të jenë të llojit që vazhdon të rritet pa kufij… si një rrjetë lidhjesh dhe ndërthurrjesh të cilat nxisin të tjera, të reja, ndryshime në bashkëyjësinë e mardhënieve, e në këtë mënyrë gjithmonë zgjatet të arrijë më përtej.”*** Përfytyrimin e realitetit? E atij që duhet të jetë i vërtetë, por që s’është veç një vegim! Dicka qe duhet zbuluar e ndryshuar, ligj natyror.
Gjithcka fillon me nje mosbindje civile, dhe ndaj vetes.

Koha, që çdo ndërron me hapin çast të saj, vazhdon të ndryshojë. Me të, shoqëritë dhe individët, këta të fundit, sa vinë e bëhen më të ndërgjeshëm për rolin e tyre në shtetin e të gjithëve. Të binden?

 

*Quill. L, “Civil Disobedience (Un)Common Sense in Mass Democracies”, Palgrave McMillan, 2009.
**Wainright, H. Reclaim the State – Experiments in Popular Democracy (London: Verso, 2003).
***Arendt, H. The Promise of Politics, ed. Jerome Kohn (New York: Schocken Books, 2005).

Perkthimet e referencave ne tekst jane te autorit.

Please follow and like us: