Ksenofon M. Dilo: Për nënën time Kaliopi!
Për nënën time Kaliopi Dilo e cila u masakrua çnjerëzisht nga forcat e errta të pluralizmit. I përjetshëm kujtimi i saj!
Ishte një grua e thjeshtë trime, mbeti pishtar i gjallë!
Ej! Ti! Shtegëtar! Ti që botën shëtit e i vjen vërdallë! Me ty kam dy fjalë! Është e vështirë ta filloj bisedën time. Së pari, së bashku duhet të shkojmë pranë një sfere –glob, nga ato që pothuaj çdo shtëpi e mban si stoli e që, shpesh me gishtin tregues dikush i jep një rrotullim e sheh ngjyrat e globit, të kaltrën, jeshilen kafen, të përzihen, duke dhënë një imazh të thjeshtë pak në gri të çelur, afër blu në jeshile dhe një e kuqëremte e vakët vallzojnë ngjyrat, deri sa globi ndalon. Ashtu si është i ndaluar le të afrohemi sepse dua të të tregoj, në mundsha, Zagorien, vendin ku Zoti derdhi gjithçka kish madhështore e përzjeu male, fusha, lumenj, duke i dhënë sipas tekave të tij një pamje të mrekullueshme këtij vendi. Ja vështro, diku këtu është vendi im, sepse jam ngaSheperi i Zagorisë. Në Sheper ka burra trima e të zgjuar, ka atdhetarë të flakët, patriotë që kanë shkrirë jetën e tyre për këtë vend. Tani që ta kuptosh ti, i shtrenjtë shtegëtar, unë jam shqiptar. E edhe Shqipëria është aq e vogël, sa nuk e kemi këtu në glob,veçse të shënuar me një pikëzë të vogël. Por po të harrish deri aty , do të shohësh një vend të mrekullueshëm. Ti shtegëton. Nuk je i pari që do të shkosh aty. Nuk do të jesh as i fundit. Kur të arrish në Sheper do të dëgjosh për Ilia Dilo Sheperin e madh. Për punën dhe veprën e tij të madhe. Ishte mësues i shqipes dhe shkencëtar. Punonte të provonte se shqipja ishte gjuhë e vjetër dhe e pasur, aq sa ishte dhe e bukur. Unë jam nipi i tij. U rrita mes trimash e për ta flasin encilopeditë e botës “jo enciklopedia shqiptare, ajo nuk ka asnjë fjalë për ta”. Por po të lexosh enciklopedinë turke do të shohësh se çfarë shkruhet për Ilian e madh, ashtu si do të shohësh të shkruhet edhe për djemtë e tij, Jani e Oresti Dilo në enciklopeditë amerikane e angleze. Ishin njerëz të rrallë. Por komunizmi i zi nuk i deshi. Ilias nuk i la as varr. Eshtrat e tij i hoqën nga varri dhe i tërhoqën zvarë , duke lënë rrugës pjesë të atyre eshtrave, pa u mërzitur shumë për shënjtërinë e atyre…Ashtu na dënuan të gjithëve , sepse kishim bërë vetëm një faj. Donim e nderonim atdheun si bij të tij. Tani më fal nëse këto që po të them tingëllojnë makabre. Të vërteta të jetuara janë. Dhe meqë erdhe deri këtu , po të çoj tek një…varr. Po aty flitet për ty, për ty shtegëtar. Është varri i nënës sime , të cilën e vranë në mënyrën më të egër dhe të tmershme ashtu si shkruhet edhe në varr forcat e errëta. Hynë në shtëpi 10 burra, por jo nga dera se aty nuk mund të kalonin. Mëma i priste me sëpatë si sokoleshë e vërtetë, megjithse ishte 74 vjet. Ata e njihnin mirë, ndaj pabesisht çanë murin nga mbrapa e iu vërsulën si hijena dhe e goditën e e lanë pa ndjenja. Përse?Ata vetëm e dinë dhe sigurisht edhe të tjerët që i kishin urdhëruar. Ishin të pregatitur më së mirë, sepse kur panë se po vinte në vete, njëri iu afrua me një shiringë gati me acid dhe e injektoi në fytyrën e gruas që përpëlitej ndërsa i digjesh mishi i fytyrës nga acidi e dilnin eshtrat…E ata zgërdhiheshin, kënaqeshin “trimat” veprën e tyre duke parë…Ajo grua në varrin ku do shkosh, shkruan për ty shtegëtar. Të lutet mos e harrosh atë 25 Janar 1991 e ta shpërndash kudo që të shkosh. Me ty, kujtimi i një nëne që ishte trime e këmbëngulëse si Zagorite, e sovrane si familja ku erdhi nuse, familja e Dilo-ve. Do jetë ëngjëlli i jot mbrojtës kudo që të shkosh e kurdoherë, sepse është një martire që donte jetën e mirësinë, donte gjithçka të drejtë dhe të bukur, ishte një besimtare e denjë e Zotit dhe u torturua prej djajve…E ata kujtuan se të gjitha mbaruan…Të mjerë!Dora e zotit vonon por kurrë nuk harron. Kaliopi Dilo në lavdi shtegëton, me ballin lart e krenare, akoma të drejtën dhe të vërtetën mbron e mbeti një pishtar i gjallë për të gjithë ata që gjithashtu të drejtën duan e mbrojnë, për ata që gjithmonë e kanë në zemër e si heroinë e kujtojnë!