Elbasan, 3 kompani kanë pushtetin e tenderëve në bashki
Një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore, zbulon se 56 % e procedurave të prokurimit në 4 vite janë kryer pa garë. 3 operatorë të privilegjuar kanë nënshkruar 97 kontrata, me vlerë mbi 1.2 miliardë lekë
Sistemimi i rrugëve dhe kanalizimeve, pastrimi i qytetit, blerja e frutave dhe perimeve për kopshtet dhe konviktet kanë një emërues të përbashkët në Bashkinë e Elbasanit: kompanitë, të cilat marrin të drejtën t`i ofrojnë këto shërbime dhe mallra, kryesisht nuk i nënshtrohen garës së hapur, por lidhin marrëveshje përmes negocimit me përfaqësues të bashkisë. Një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore, zbulon se më shumë se gjysma e procedurave të prokurimit në bashki, e cila ofron shërbime për rreth 210 mijë qytetarë, kryhet përmes procesit të negocimit të drejtpërdrejtë, pa njoftuar publikisht mbi nevojën për mall apo shërbim. Investigimi i praktikave të prokurimit në këtë bashki gjithashtu hedh dritë edhe mbi konfliktin e mundshëm të interesit mes ish-drejtuesve të saj të lartë dhe operatorëve, të cilët kanë përfituar dhe përfitojnë tenderët publikë.
Kompanitë
Qendra ka marrë në analizë procedurat e prokurimit të tri kompanive, të cilat janë të vetmet që kanë përfituar shumat më të mëdha nga kontratat publike gjatë një periudhe katërvjeçare në vitet 2012- 2016. Tri kompanitë që kanë përfituar më shumë nga ofrimi i shërbimeve, punëve dhe mallrave në Bashkinë e Elbasanit janë Victoria Invest sh. p. k., Bajrami N. sh. p. k. dhe Bikade sh. p. k. Në 56% të rasteve këto kompani i kanë përfituar kontratat pa garë të hapur. Përgjatë katër viteve të tre operatorët kanë nënshkruar të vetëm 97 kontrata me Bashkinë e Elbasanit, nga të cilat në 54 procesi i tenderimit është zhvilluar me procedurë me negocim, pa shpallje paraprake. Ligji për prokurimin publik thekson në mënyrë të qartë se procedura me negocim, pa shpallje të ofertës në vend të procedurës së hapur të prokurimit duhet të kryhet vetëm në raste të kërkesave specifike apo emergjencës. Ndërkaq, Agjencia e Prokurimit Publik, autoritetet shqiptare dhe europiane të auditimit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile iu kanë bërë thirrje të herëpashershme autoriteteve kontraktore në institucione qendrore dhe lokale që ta përdorin sa më pak këtë procedurë, për shkak se procesi i tenderimit me negocim, pa shpallje të kërkesës për mall apo shërbim krijon një marrëdhënie të mbyllur, ku njësia kontraktore e zgjedh vetë operatorin ekonomik për plotësimin e nevojës. Ky proces konsiderohet si me gjasa të larta favorizimi dhe korrupsioni.
Po kështu, buxhetet publike nuk përfitojnë financiarisht, pasi kontratat negociohen në vlerat limit të fondeve në dispozicion. Në kushtet e garës së hapur, operatorët ekonomikë tentojnë ta ofrojnë shërbimin apo mallin e kërkuar nën fondin limit për shkak të konkurrueshmërisë. Ndërkaq, konflikti i interesit duket se ka qenë prezent në këtë njësi të pushtetit vendor gjatë katër viteve të marra në shqyrtim. Ish-nënkryetarja e Bashkisë së Elbasanit nga viti 2013 deri në vitin 2016, Anduena Prifti Bajrami, është bashkëshortja e Nazif Bajramit, administratorit të vetëm të kompanisë Bajrami N. Përpara se të merrte këtë detyrë, ajo ka shërbyer edhe si menaxhere e kompanisë, e cila drejtohet nga bashkëshorti i saj. Kjo kompani gjatë periudhës katërvjeçare të marrë në shqyrtim ka përfituar e vetme 24 tenderë nga Bashkia e Elbasanit me vlerë 372,006,014.00 lekë ose rreth 3 milionë euro. Një pjesë e këtyre kontratave publike janë lidhur pikërisht në kohën kur Anduena Prifti Bajrami ishte zëvendëskryetare e bashkisë.
Bashkisë së Elbasanit iu kërkua ta komentonte këtë rast dhe të shpjegonte nëse ishte vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, por nuk u mor asnjë përgjigje. Kompania gjatë kësaj kohe sipas të dhënave të Regjistrit Tregtar ka raportuar veprime jo të zakonta. Në shtator 2013 aksioneri i vetëm i saj Nazif Barjami ka shitur 100% të aksioneve të saj tek shtetasi Astrit Muzhaqi. Kapitali i kompanisë në atë kohë është vlerësuar 30,064,231 lekë ose rreth 240 mijë euro. Ndërkaq një muaj më vonë në tetor Nazif Barjami merrë përsëri në zotërim 100% të aksioneve të kompanisë dhe po kështu riemërohet administrator i përgjithshëm i saj. Një vit më vonë në Dhjetor të vitit 2014 kompania deklaroi një kapital prej 264,111,831 lekësh ose 2,1 milion euro, një rritje shtatë herë më e madhe se vit më parë. Sipas ligjit, “konflikti i interesit” është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike.
Prokurimet
Sipas të dhënave në buletinet e Agjencisë së Prokurimeve Publike, kompania që ka përfituar shumën më të lartë përmes kontratave publike me Bashkinë e Elbasanit gjatë periudhës 2012-2016 është Victoria Invest sh. p. k. Kjo kompani ka përfituar 14 tenderë me një shumë prej 704,776,545.60 lekësh ose pak më shumë 5,6 milionë euro. Kjo kompani me administratorë Fatmir Kuci dhe Vanina Latifi, sipas dokumenteve të depozituara në Qendër, ka kryer shërbime si pastrimi i qytetit të Elbasanit, rikonstruksion, sistemim dhe asfaltim rrugësh dhe nëntë nga tenderët janë fituar përmes procedurës me negocim. Ndërkaq, kompania e dytë shfaqet Bajrami N. sh. p. k., me kontrata, të cilat për katër vite kapin vlerën e 372,006,014.00 lekëve ose rreth 3 milionë eurove. Kjo kompani, me administrator të vetëm Nazif Bajramin, ka kryer shërbime si rikonstruksion, asfaltim, sistemim, ndriçim rrugësh dhe sheshesh, kanalizime për ujërat e zeza dhe deri blerjen e materialeve të ndërtimit për Bashkinë e Elbasanit. Bajrami N. ka përfituar gjithsej në këtë periudhë 24 tenderë, ku shtatë janë dhënë përmes procedurës me negocim dhe tetë përmes procedurës “kërkesë për propozim”.