Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: MIZAT

 

Dikur…në atë kohë fëminije, kur merreshim me to dhe mësonim se si t’i kapnim apo t’i vrisnim me të gjitha mënyrat, ato të gjorat mësonin se si të na e hidhnin, shpesh duke e paguar të shtypura, të ngjitura në një copë letër, të mbytura në një nevojtore. Gjithesesi, nuk di ç’lëshonin në vend të klithmave, se zhurma që bëjne zhzhzhzh vjen nga përplasja e krahëve, siç u provua me disa eksperimente me minjtë e laboratorit, në një farë mënyre bënin të merrej vesh që vdekja kish ardhur, si, në ç’formë dhe nga kush… Regjistrohej, kjo, pastaj në kujtesën kolektive, si tufëzat, dhe mendje e përbashkët vihej në punë për zgjidhje. Era e pjesëve të këputura, ishte njëra prej tyre, zorrët e zgërlaqura tjetra, por më shpesh ajo heshtja e gjatë dhe e rëndë pa asnjë dridhje të ajrit fliste më shumë. Dikur, diku u mësua…

Nuk mbaj mend, që në biologji kur studionim insektet, të kemi studiuar ndërtimin dhe funksionin e mizës, çudi, pse nuk studionim karkalecin shalegjatë, që s’kish pikë vlere praktike. Por ne ca fshatra të largët, ku karkaleci nuk shkelte dhe ish i rallë, mësuesit shisnin gjinkallën për karkalec femër, nejse mbulesën dhe skeletin kitinik e kishin si parzmore nga jashtë, dhe këmbët me qime dhe shumënyjëshe… riprodhimin seksual, të tërbuar dhe të ndezur që zgjaste, o Zot, në vite të tëra drite. Sa herë i kemi kapur në flagrancë, tek kasapi, që pasi ishin ngopur me gjakun e pafajshëm, prisnin të vdisnin mbi partneren e tyre, heroikisht, nga një gazetë që binte si rrufe Zeusi mbi ta, të kënaqur që ishin të ngërthyer deri sa të thaheshin në pluhur. Dimë, që përveç kësaj, këto të mallkuara të “margjinalizuara”, “ekstrakomunitare” se u pëlqente mjalti apo çdo tjetër e ëmbël, ndaj vdisnin si miu në qyp, të ngjitura në babëzi mbi një shirit letre varur tek një hëne e zbetë, ashtu u dukej llamba elektrike që zdriste poshtë nga tavani, u pëlqente, siç iu pëlqen, zakon i lidhur plotësisht me instinktin e mbijetesës, dhe ndoshta me shumë, sa endeshin e gjuanin me erë për të, për të bërë orgji të tmershme, sa në fund përveç ndyrësisë dhe shkatërimit linin dhe vezët e tyre, muti. Cila specie lë të ardhmen e vet aty? Nuk e kam parë as karkalecin aristokrat dhe as gjinkallën këngëçjerrë të bëjnë një gjë të tillë. Bubuzhajkat si hurma arabie, kanë shumë, shumë më tepër dinjitet, edhe pse shumica nuk fluturojnë, por zvarriten skutave dhe vrimave. Që këtej e vleshme teoria e transmetimit të sëmundjeve infektive që për shumë gjitarë e specie të tjera, si majmunët nuk qëndron fare, edhe pse për t’i ngrënë duhej shumë e më shumë mund se sa milingonat. Të gjitha këto fakte fare të qarta, tregojnë që ndryshe nga fluturat e brishta që fluturojnë në stuhi dhe rrebesh, të shkojnë të ndërzehen dhe lule me lule të ushqehen, mizat fluturojnë poshtë, si helikopterë sulmi të fshehtë, sikur të mos duan të kapen nga radarët, apo se e kanë dhe më të lehtë, një fluturim i shkurtër dhe hop e gjetën një, se si duket qëniet e tjera, të cilat pushtojnë botën, kudo, sidomos në vendet me klime të ngrohtë a mesatare, i lëshojnë të përgërat e tyre, duke përfshirë dhe bajgat, (siç e shikoni zonja dhe zotërinj nuk po e përdor më fjalët e paedukuar, mut) ashtu siç lëshojnë edhe pjesëza të tjera të panevojshme a të vdekurra, si flokë dhe zbokth, kudo. Por për to, këto luftëtarë të devotshme të pastrimit të jashtëqitjeve, nuk janë aspak të interesuara. Gjuajnë e nuhasin si hijena kudo që janë dhe me fluturime të shkurtëra shkojnë ta gjejnë, mbi këdo.

Por dhe pse i mbrapshtë, ky konceptim për sofrën e mizave, është i rëndësishëm, dhe se nuk është mënyra apo përvoja, ajo që mendohej se rregullon sjelljen e tyre dhe mënyrën e fluturimit, por si atë të shqiponjës dhe skifterit, (çdo të bëhej vallë, nëse këta shpendë të admiruar do të silleshin vërdallë midis nesh e do të gjuanin të jashtëqiturat tona, jam i bindur që do i kishim hequr nga metaforat dhe simbolet dhe bile më keq akoma, do të ishin zhdukur fare nga kujtesa gojore dhe e shkruar), por, të kthehemi në temë tani, nga dëshira për ushqimin e preferuar.

Me miliona vite me radhë, ato fluturo deri sa një bisht a gjuhë a pëllëmbë nga lart a s’di se ku i vriste të klithnin pa më shirë dhe të vdisnin t’u linin dëshirën e fundit, të tjerëve më pas: që me njeriun, do ta them për të fundit herë, muti, ngjitet dhe bie dhe nga lart, në politikë “vertikale” dhe “horizontale” shtrirë, në këmbë, me krahë, deri në katet penthaus të qiellgërvishësve, praktikisht kudo që ka të jashtëqitura me tepri, të ushqyeshme dhe të ngrohta për vezët, ia vlen të ngjitesh, lart e më lart, qoftë deri tek dora që lëshon rrufetë. Se secili ka mizën e vet.

Por diç duhet bërë ama, aq sa t’u ndërrojmë mendjen të mos jenë kaq të bindura dhe atë që bëjnë përditë! Herë-herë ta ndryshojnë për më mirë!

Please follow and like us: