Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Theoharris Papadhopoulos nën shqipërimin e Arqile Garos

VITET QE IKEN
Tek dielli po perëndon
dhe zogjtë këngën pushuan,
mendimi rrend e fluturon
drejt viteve që shkuan.
Mijra gëzime e dashuri
në zemër më vërshuan,
kuaj mbushur me krenari
vitet që vanë e shkuan.
O shpirt i gjorë, ti shpirti im,
të plakën para kohe.
Pse ti e di se më nuk vijnë,
nuk kthehen ato mote.

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, janar 2013.

 

PROBLEM

 

 

Orë të tëra rri sodis

një palë sy që adhuroj,

ca më shumë, vdes që të puth

buzët prush që dashuroj.

 

Më shikojnë ato dy sy

e më thonë të rri dhe ca,

druaj se po folën buzët,

do thonë – ik or maskara!

 

Ja problemi miq të dashur,

bëj ta zgjidh e turfulloj.

Veç mendoj se po i putha,

ndoshta mendjen ua ndrroj.

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, dhjetor 2012.

 

IKJA

Theoharris Papadhopoulos

 

Anija ikën

e ti tok me të.

Nuk po të përshëndes me shami,

as dorën nuk e ngrë

mjafton veç

lamtumirë e syve.

U zhduk anija.

Dhe jeta vazhdon në ritmet e saj.

Por janë ca netë vetmie, kur era ulërin,

që çel dritaren,

e vozit nëpër det

bashkë me ty.

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, dhjetor 2012

FIZARMONIKA

 

 

Bosh është shtëpia vatër e vetmisë.

Në thellësi, fizarmonika luan

një melodi nga kohë e fëminisë

dhe ti në tavolinë mendime bluan.

 

Mbyll sytë për një moment e udhëton

në vende ekzotikë, të ëndërruar,

fytyra kaq të dashura takon,

me ta lodron e qesh i mrekulluar.

 

Fizarmonika luan butë, thuaj rrënkon.

Sa duket se me ty së toku vuan.

Ajo e di: Se koha që kalon

s’ka për t’i kthyer pas ata që shkuan.

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, nёntor 2012

 

E DETIT

 

 

U ula e mbusha grushtat

me pakëz det.

Dhe pashë imazhin tënd

që ujët ëmbëlsonte.

E mbajta në një enë

Veç se harrova:

Uji avullon.

E më mbeti për kujtim

një grusht me kripë.
Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, nёntor 2012.

 

 

 

 

Please follow and like us: