Viron Kona: Ziliqari duhanxhi
(Apel duhanxhinjve)1).
Dikush kish nisur të ndërtonte vet një shtëpi
çak çukë dëgjohej zhurma e punës n`mëhallë,
fqinji nisi ta përgojonte “poshtë e lart” me zili,
njeriun që po ngrinte shtëpinë ballë përballë:
“Ku xhanëm i paska gjetur fqinji im aq para,
për atë shtëpi të re, të bukur që po ndërton?
Unë s`di ku t`fut kokën, kam mbetur fukara,
ai natë e ditë muret e asaj shtëpie lartëson !”
Duke u kollitur ankohej se s`blinte dot ilaçe,
se rrogën e kish t`vogël, as për bukë s`i dilte,
kurse fqinji me “dredhi e marifete” përfitonte,
“kjo është botë mizore”, fqinji ziliqar thërriste!
Ndërkaq thithte cigaren pa pushim e me afsh,
paf – puf me shtëllunga e lëshonte tymin e zi,
dhembët i ishin prishur, gishtat bërë shkarpë,
nikotina i përhapej në fytyrë, në vesh e në sy.
Ndërtuesi i shtëpisë dëgjoi fqinjin me durim,
pastaj i tregoi cigaren dhe i tha qetë – qetë:
Ti ke zgjedhur t`qahesh e ti bësh paret tym,
unë po ndërtoj shtëpinë që ti po ma përflet…
………………………
1). Apel, këtu përdoret si thirrje që u bëhet duhanxhinjve, të cilët, veç që dëmtojnë vetveten, ekonominë dhe shëndetin e tyre, por ndotin edhe mjedisin, duke dëmtuar edhe shëndetin e të tjerëve.
Shënim: Një persona që pi dy paketa cigare në ditë, i bie që shpenzon rreth 5000 lekë të vjetra në ditë. Nëse këto para ai do t`i hiqte mënjanë, atëherë për një muaj do të mblidhte 150 mijë lekë të vjetra, për një vit do të mblidhte 1.800 mijë lekë të vjetra, për 10 vjet do të kishte mënjanë 18 milion lekë të vjetra. Për 20 vjet do t`i bëheshin 36 milion lekë të vjetra… Duke mos pirë duhan, vetëm me këto para, në moshën 40 vjeç do t`i krijonte mundësi vetes të ndërtonte një shtëpi modeste, të shmangte disa sëmundje nga vetja, të zgjaste jetën e tij, por edhe të mos dëmtonte mjedisin me tymin e duhanit…