Albspirit

Media/News/Publishing

E paprecedentë, goditja e qeverisë mbi dinjitetin, profesionalizmin dhe misionin e bluzave të bardha

Orjola Pampuri

 

 

 

Sot gjykata e Shkodrës liroi 7 mjekët, për të cilët koha dhe faktet vërtetuan që ata thjesht po kryenin detyrën e tyre. Ata u arrestuan para pak ditësh tek kryenin misionin e tyre human, ndërkohë ish ministra e banda janë sot jashtë hekurave. Stafi i hemodinamikës të spitalit të Shkodrës, u arrestua në kundërshtim të raportit të KLSH, i cili nuk pretendonte një vendim kaq të ashpër, e ku emri i mjekut Dragusha, nuk përmendej fare. Të arrestosh mjekët pa asnjë analizë të përshkallëzuar të situatës e cila në fund çon drejt marrjes së vendimit përfundimtar është njëlloj si të dënosh dikë pa gjyq, e kjo ndodh vetëm në vendin tonë, të kapur tashmë kokë e këmbë nga bandat në qeveri e në drejtësi.

E gjitha kjo lë vend për shumë hamendësime për inskenime të vetë ministrisë së Shëndetësisë. E këto lloj manovrimesh ndodhin rëndom në sistemin shëndetësor dhe kjo jo pa qëllim, por për t’i lehtësuar vijimin e planit apo projektit në favor të klientëve të qeverisë. Ashtu siç ndodh me listën e barnave, ku për të kënaqur miqtë apo klientë të ministrit apo kryeministrit vendosen edhe barna shumë të shtrenjtë, por kur mjekëve u duhet t’i përzgjedhin për të përmbushur nevojat e pacientëve ata marrin vërejtje deri me pezullim nga puna, nga ana tjetër nëse nuk ua japin këto medikamente pacientëve, përballen me ankesat e pacientëve të cilat shpesh, mund të shkojnë edhe në zyrat e ministrisë, e mund të nxisin këta të fundit t’u tërheqin vërjetje për show, mjekeve. Pra mjekët sot janë” hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Fati i pacientëve ka mbetur jetim, e fshihet në deklaratat e shëmtuara të zyrtarëve të QSUT- së, të cilat trumbetojnë bollëk me barna, e komoditet në pavione e qendra shëndetësore. Sot të bësh shkelje me tendera, koncensione, të transportosh drogë, para të pista, të rrëmbesh, të vrasësh, të shantazhosh, të shpifësh, e të fyesh, jeton i lirë e me miq shumë, ndërsa ata të cilët studiuan, sakrifikuan, e sot na shërbejnë në kushtet më mizerabël se kurrë, denigrohen duke i telendisur edhe në burgje….

Turp për këtë qeveri, turp për këtë kryeministër, të cilëve çdo padrejtësi në kurriz të hallexhinjve, profesionistëve e mjekëve, do t’u kthehet në boumerang.

22 shtator 2018

 

Please follow and like us: