Të shtëna në paradën ushtarake në Iran
Shumë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas të shtënave gjatë një parade ushtarake në Ahwaz në Iran. Sipas raportimeve të medias shtetërore, autorët, të cilët ishin dy dhe mbanin uniforma ushtarake, hapën zjarr mbi turmën.
Ata pastaj u përpoqën të qëllonin kundër zyrtarëve pjesëmarrës në paradë, por forcat e sigurisë u kundërpërgjigjën me zjarr.
Nga informacionet flitet të paktën për disa të vdekur dhe të paktën 20 të plagosur, duke përfshirë një grua dhe një fëmijë. Incidenti zgjati rreth 10 minuta, por forcat e sigurisë vunë shpejt nën kontroll situatën, thanë mediat shtetërore.
Ahwaz ishte një nga qytetet ku u zhvilluan protesta të mëdha anti-qeveritare vitin e kaluar për shkak të rritjes së kostos së jetesës. Parada ushtarake u zhvillua me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura të kremtuara sot, 22 shtator, ditën kur filloi lufta mes Iranit dhe Irakut (1980-1988).