Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: A DUHET T’KISHTE SHKODRA…?

 

 

 

AT PJETER MESHKALLA S.J.

(1901 – 1988)

25 SHTATOR 1901 U lé në Shkoder At Pjeter MESHKALLA S.J. Ka perfundue studimet per Meshtar në Linz t’ Austrisë, dhe erdhi në Shqipni. Filloi punen si mësues në shkollen e Jezuitve në Shkoder. Mbas transferimit në Tiranë, vazhdoi punen atje.

Në 1945 u takue me terroristin Mehmet Shehu dhe i tha: “Ju, do të kerkoni me zhdukë Fenë me dhunë se, ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin dhe, Kishat e Xhamijat ju do t’i ktheni në klube e kinema!”.Mehmeti Ju pergjegj: “Kjo është vetëm propagandë e atyre që nuk e duan pushtetin tonë popullor. Kerkojnë me na armiqsuar me popullin. Kjo nuk do të ndodhin kurrë në Shqipëri..!”

21 TETOR 1946 Arrestohet në Tiranë dhe dënohet 15 vjet burg, që i ban të gjitha.

1960 Lirohet nga burgu dhe vjen në Shkoder, në rrugen Ballabane…

29 PRILL 1967 Arrestohet me “Revolucionin Kultural” dhe dënohet 10 vjet burg…

Në mbledhjen e organizueme në Institutin Padagogjik At Mëshkalla tha: “Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar!..”

7 Mars 1977 Lirohet nga burgu…Dhe vdesë në vorfni në Rrugen Ballabane…

1989: Prof. Arshi PIPA shkruente: “Çka i ndriste syni ja shkrepte gjuha!”

25 SHTATOR 2018:Mbasi të lexoni edhe letren e dergueme nga At Mëshkalla S.J.,

Terroristit Mehmet Shehu… Apo fjalen në Institutin Pedagogjik Shkoder kur u arrestue…

Ju lutem, i bani një pyetje vehtes s’ Uej: A e meriton qyteti i Shkodres me pasë një rrugë apo rrugicë me Emnin e Nderuem “AT PJETER MESHKALLA”?

Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.

 

                          Kryetarit të Këshillit të Ministrave

                                             Mehmet Shehu

                                                                                            Tiranë

                        Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.

Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.

Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?

Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit.

Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime

          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Mëshkalla

   në Kryeministri – Tiranë                                meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

             5 Prill 1967.

 

Shenim FR: Ky material ribotohet me rasen e 25 Shtatorit 2018, në Vitin e Skenderbeut.

            Melbourne, 24 Shtator 2018.

 

Rezultate imazhesh për pjeter meshkalla

Please follow and like us: