Replika e famshme e Nolit, 24-vjeçar kundër Tolstoit (bolshevizmit populist) në mbrojtje të Shekspirit (vlerave perëndimore)
1906/Noli i ri me një intuitë të pashoqe del kundër Tolstoit dhe merr në mbrojtje shkrimtarin e përbotshëm, Shekspirin.
Shekspiri në rrezik
Një bujë të madhe ka bërë një kritikë e filozofit të krishterë rus Tolstoi përmi të madhin dramëtar Shekspir (Shakespeare). Ky filozof paske harxhuar mjaft kohë për të gjetur ndonjë farë bukurie nër dramat e dramëtarit englez dhe jo vetëm nuk gjeti, jo vetëm vuri re që dramat e tij janë të shkallmuara, por nuk gjeti as gjyrmë moraliteti nër këto. Ky qënka shkaku që Shekspiri nuk ish i dashur as në vent të tij, as në Evropë. Famën e tij Shekspiri ia paske borç Gëtes dhe për hatrin e këtij u përhapnë mi tërë botën këto drama, të cilat, pas të krishterit filozof, janë imorale.
Një irlandez, Bernard Shou (Shou) përsëdyti gjithë këto idea, [të] cilat nën vështrimin artistik mund t’i quajmë nihiliste. Ky kritikon me një mënyrë të hidhur dramën “Mbreti Lir”, të cilën e gjen të çmendur fare.
Më së fundi një gjerman, emër i të cilit nuk më kujtohet, na del dhe na thotë që dramat shekspiriane nuk janë bërë as prej aktorit Uilljëm Shekspiri, as prej Bekonit, po prej një fisniku Roxher Iwrl of Ratlend (Roger Earl of Rutland). Mendjen e tij gjermani e mbështet përmbi ngjarjen që Shekspiri dyke qenë i varfër nuk kish udhëtuar as në Itali, as në Danimarkë as gjetkë, po megjithatë i përshkruan kaq bukur këto vise.
Po Roxheri i kishte gjezdisur tërë këto vise si i dërguar i qeverisë dhe drama e fundit e Shekspirit u bë pak kohë para vdekjes së këtij fisniku të mbretëreshës Elisabetë.
Kërkimet e gjermanit kanë një vlerë, se dyke mësuar jetën e një auktori munt të kuptosh më mirë veprat e tij. Po sidomos duhet vënë re që dramat e Shekspirit janë bërë prej aktorit që e kish nëmëruar sqenën me pëllëmbë, dhe jo prej një konti të hoborrit, si tha shumë bukur një profesor amerikan në Këllambië Juniversiti (Columbia University). Pastaj ç’ka të bënjë se dramëtari englez ish kasap, kur komediani latin Plautus ka qenë skllav dhe bluante grurë me mokra të dorës dhe Molieri s’ka qenë përveç një aktor i varfër dhe i pamësuar.
Sa për Tolstojnë si dhe për shokun e tij Bernard Shou kemi të themi që nuk duhet kurrë të kërkonjë moralitet në bukuri, qoftë e natyrës, qoftë e artit, qoftë e mjeshtërisë. Bukuria ka moralitet më vete, të cilën kurrë nuk munt ta kuptojnë nihilistët e esthetikës, të cilët s’kanë kënduar përveç ungjillë dhe përpiqen ta zbukurojnë botën, dyke u larguar nga burim i bukurisë, nga natyra dhe nga të bijt që janë artet.
Vërtet është bërë një lajthim fati që lindi ky njeri mosenglez në Angli dhe për atë që ka vënë re letretyrën engleze, duket si një lule e verës e egërt brenda në një fushë prej dëbore morale, po këto gaçi (teke) të natyrës janë bërë dhe gjetkë.
Vërtet është që Gëtja e përhapi në Evropë shekspirizmën, po ngaherë plebejanëve lipset t’u rrëfesh cila gjë duhet t’u pëlqenjë dhe ashtu të çuditen për bukurinë e saj.
Vërtet dhe Volteri e quan Shekspirin barbar, po muzhiku, konti i Rusisë dhe kritikani pedant i Irlandës janë shumë lark që të kuptojnë shkaknë. Sa mirë do të bënin këta të krishterë ta linin më qëtim (në qetësi) të varfërin Shekspir.
Qytetërimi i Volterit kishte shumë ndryshim nga qytetërimi i Shekspirit. Volteri kërkonte një artist me rregull, po Shekspiri ishte artist pa rregull, përtej rregullit. Po kush munt të thotë që në atë trubullim të bukurive të egra të dramavet shekspiriane, në atë “désharmoni” s’ka harmoni?
Ay që tha fjalën e fundit për Shekspirin ishte filozofi gjerman Niçe: “Sduhet ta kuptojmë Shekspirin, po ta ndiejmë”.
S’ka logjikë në bukuri, dhe ata që kërkojnë ta venë këtë perëndeshë të marrë në tryezë të anatomisë, pësojnë atë që pësoi Zeusi, kur deshi të hiqte kurtinën e Parisit, dhe provojnë që s’kanë sy.
As me krishtërimin e Tolstoit, as me logjikën praktike të irlandezit Shou nuk ka për të zbritur Shekspiri që atje tek hipi vetë, me mendjen e tij të egërtë, të marrë, pa rregull, po të bukur si natyra. Pastaj kishët e tërë botës dhe tërë Shtetet e Bashkuara s’u janë mjaft njerëzve praktikë dhe të krishterë? Ç’kanë këta që u tërbuan me Shekspirin?
Botuar te gazeta “Kombi”, 20 dhjetor 1906 nr. 20
Nënshkruar A.B.Q. (Ali Babë Qyteza), pseudonimi i Fan Nolit.
Po çfarë shkruante Tolstoi kundër Shekspirit?
Mbaj mend habinë që ndjeva kur lexova Shekspirin për herë të parë. Prisja të merrja një kënaqësi të fuqishme estetike, por pasi lexova, njëra pas tjetrës, veprat e shikuara si më të mirat e tij: Mbreti Lir, Romeo dhe Zhuljeta, Hamleti dhe Makbethi, jo vetëm që nuk ndjeva kënaqësi, por ndjeva një neveri dhe mërzi dhe dyshova nëse unë isha i pandjeshëm pasi veprat që shikohen si maja e perfeksionit në të gjithë botën e qytetëruar unë i konsiderova vogëlsira apo drejtpërsëdrejti të këqija, ose nëse domethënia që bota e qytetëruar i ka dhënë veprave të Shekspirit ishte në vetvete e pakuptimtë…
Shtangia ime shtohej nga fakti se unë gjithmonë ndjeja fort bukuritë e poezisë në çdo formë; po atëherë pse veprat artistike të njohura nga e gjithë bota si ato të një gjeniu – veprat e Shekspirit – jo vetëm që dështonin të më kënaqnin, por ishin të papëlqyeshme për mua? Për shumë kohë nuk i besoja dot vetes dhe përgjatë pesëdhjetë viteve, në mënyrë që të testoja veten, unë rifillova të lexoj Shekspirin në çdo formë të mundshme, në rusisht, në anglisht, në gjermanisht dhe në përkthimin e Schlegel, siç më kishin rekomanduar. Shumë herë lexova dramat dhe komeditë dhe pjesët historike dhe në mënyrë të pandryshueshme kalova përmes të njëjtave ndjenja: neveri, lodhje dhe çuditje. Në kohën aktuale, para se të shkruaj këtë ese, i dëshiruar të testoja veten edhe një herë, kësaj here si një njeri i moshuar shtatëdhjetë e pesë vjeç, lexova edhe një herë në tërësi Shekspirin, përfshirë pjesët e tij historike Henri, Troilus dhe Kresida, Shtrëngata dhe Simbelini, por ndjeva akoma më fort të njëjtën gjë – por gjithsesi, këtë herë, jo me habi por me një bindje të fortë dhe të palëkundshme se lavdia e padiskutueshme prej gjeniu që gëzon Shekspiri dhe që detyron shkrimtarët e kohës sonë ta imitojnë atë dhe lexuesit dhe spektatorët ta zbulojnë atë në meritat e tij jo të vërteta – rrjedhimisht duke çorientuar të kuptuarit e tyre estetik dhe etik – është një e keqe e madhe dhe është shumë e pavërtetë…