Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Spaçi – Kampi i shfarosjes së të burgosurve politikë

Duhet të ketë qenë mesi i gushtit të vitit 1977. Biruca me numër 8 në Degën e Punëve të Brendshme të Librazhdit u hap polici më bëri shenjë dhe më hodhën hekurat. Në atë dhomë – birucë ishin edhe disa të dënuar të tjerë dhe (sipas rregullave) prisnin të na largonin për në burgun e Tiranës. Pasi na lidhën dy e nga dy, na hipën në një makinë të mbuluar me hekura e llamarinë. Shefi i hetuesisë, krimineli Selim Caka, hipi të kontrollonte a ishin mbyllur mirë prangat më pas ulëriti: “Tani nisuni! Kujdes rrugës, keni një të dënuar me 25 vjet heqje lirie se mos tenton të arratiset! Po t’ju kërkojnë të ndaloni se kanë nevoja personale mos e bëni, as keq të mos ju vijë për këta armiq!”. Udhëtuam për disa orë dhe më në fund makina u ndal. U dëgjua kërcitja e një dere të hekurt, makina vazhdoi përsëri të ecte. Pas pak u ndal. Dera e auto-burgut u hap, na hoqën prangat dhe na urdhëruan të zbrisnim. Sapo zbritëm, policia na mori e na ngjeshi të gjithëve në një dhomë e cila ishte e mbushur që më parë me të dënuar të tjerë. Aty mësuam se kishim arritur në Tiranë dhe ajo ndërtesë e stërgjatë dhe tri katëshe thërritej “kaush”.
Nuk e mbaj mend me saktësi se sa ditë na mbajtën aty, kur një ditë të bukur na thirrën përsëri, na nxorën në oborrin e burgut na hodhën përsëri prangat. Ishim 20 vetë, na hipën në auto-burg na lidhën në dy-tri vende tek sponti i makinës. Dera e makinës u mbyll dhe u nisëm pa e ditur për ku. Udhëtuam për disa orë me duart që na ishin mpirë nga prangat dhe uria po na gërryente. Filluan të vjellat. Disa të burgosur thërrisnin që të ndalej makina sa të freskoheshim e të lahej dyshemeja nga të vjellat të cilat lëshonin një erë të tmerrshme për shkak të temperaturës së lartë dhe ambjentit të mbyllur që sa vinte e bëhej edhe më e padurueshme. Në një pjesë të ndarë të makinës edhe kjo si kafaz, rrinte një polic i cili shihte nga ne. Me njërën dorë shtrëngonte automatikun, dorën tjetër e mbante në mekanizmin e shkrepjes dhe herë pas here ulërinte: “Mbylleni gojën! Mos t’ua dëgjoj zërin, nuk keni vdekur të tërë tashti!”. Nga mënyra si mënjanohej makina herë pas here kuptohej se rruga ishte me gropa. Po ashtu edhe kthesat ishin të shpeshta dhe nga gulçima e motorit kuptohej se rruga ishte malore. Këto i merrnim me mend se për të parë nuk shihnim asgjë se dritare nuk kishte përveç 5 a 6 vrimave që ishin në tavanin e makinës prej të cilave futej pak ajër. Kjo gjendje e ky rrugëtim i stërmundimshëm vazhdoi për disa orë. Herë pas here dëgjonim zërin e çjerrë të policit i cili pyeste shoferin edhe sa orë kishin mbetur. “Ja -thoshte shoferi, -e kaluam Rubikun, tani nuk jemi dhe aq larg, vetëm se është malore dhe ka shumë kthesa”. Midis nesh kishte të burgosur të cilët ishin të dënuar për të dytën herë dhe, sipas tyre ishin duke na çuar në Spaç ku na priste ferri minierë. E pyeta njërin prej tyre nga i dinte këto ai m’u përgjigj: “Kam qenë disa vjet atje, më liruan e tani po më çojnë prapë! Këta qenër po t’u vunë pas, nuk të lenë rehat”. Pas ca kohë udhëtim, mbi një malore gjatë së cilës makina fikej herë pas here, u dëgjua e kërcitura e një dere që u hap, makina u ndal dhe u dëgjua sërisht e kërcitura e derës që u mbyll. Na hapën derën e auto-burgut, na hoqën prangat e zinxhirin që na mbante të fiksuar pas spontit të makinës, policët na ulëritën: “Zbrisni poshtë! Pse i hapni sytë ashtu? Do të mësoheni shpejt si nusja e re kur shkon në shtëpinë e burrit”. Sapo zbritëm na rreshtuan e filluan të na tregonin rregullat e regjimit të brendshëm, duke na porositur në mënyrë të veçantë që ta mbanim gojën mbyllur se ndryshe do të na dënonin përsëri.
Përpara nesh ngriheshin dy godina katërkatëshe me pamjen nga përroi shumë të thellë i cili ishte pothuaj i tharë. Në oborr kishte shumë të dënuar kokëqethur, që bënin xhiro e herë pas here hidhnin sytë nga ne, të sapoardhurit, e të jepnin të kuptojë se prisnin me padurim që të bashkoheshim me ta. Gjashtë a shtatë metër pas shpinës sonë, në vendin ku na kishin rreshtuar, ngrihej rrethimi i parë me tela me gjemba, 4 a 5 metra i lartë i thurur me fije vertikale e horizontale. Mbi çdo shtyllë që mbante të tendosur rrjetën e telave me gjemba, ishte vendosur një prozhektor. Përbri nesh, rreth 20 metra larg, ngrihej një karakoll, në majën e të cilit qëndronte në gadishmëri një ushtar me kallashnikov, grykën e të cilit e mbante drejtuar nga ne. Shihte nga ne si i ngrirë. “Çoji të bëjnë banjë, -hungëriti oficeri i rojes, -qenkan gjithë morra e thërrija!” Kur zbritëm poshtë u takuam me disa të dënuar. U prezantuam me njëri-tjetrin, na thanë dhe u thamë sa ishim dënuar e na dhanë urimin që bëhej në raste të tilla “Paçim shëndet e na pastë Zoti amanet!”
Kjo humnerë, që të fuste tmerrin, ndodhej mes kodrave të larta e të rrjepura ku dukej tek-tuk ndonjë shkurre nëpër dheun e kuq, quhej Spaç. Shkurret e mbira në sipërfaqet e dy pllajave ishin në luftë të vazhdueshme me natyrën për të mbijetuar mbi këtë rrjepurinë. Ato përpiqeshin të ngulnin rrënjët e tyre të dobta në tokën e zhuritur apo në të çarat e gurëve të djegur nga dielli përvëlues. Gjethet e këtyre shkurreve gjatë ditës, për shkak të thatësirës e vapës, rrinin të mbledhura, ndërsa gjatë natës së errët mund të hapeshin ndoshta nga frika e britmave të ushtarëve përzier me zhurmën e kërcitjes së tmerrshme të ndonjë breshërie kallashnikovi, që do të thoshte se ndonjë “armik” kishte tentuar të fitonte lirinë, apo qëllonin qëllimisht për ta mbajtur kampin nën terror. I gjithë rrethimi ndriçohej nga llamba të mëdha elektrike që rrinin të ndezura gjatë gjithë natës. Në rast furtune shiu ose bore, kur energjia elektrike pësonte shkëputje, ushtarët ishin të detyruar ta ndriçonin këtë rrethim me fishekzjarre, që i lëshonin njëra pas tjetrës pa ndërprerje deri sa të kthehej ndriçimi duke bërtitur: “Ndal, kush kalon se do të qëlloj!”. E gjithë komanda në këto raste futej në kamp dhe të dënuarit futeshin brenda nën komandën “Futuni brenda! Asnjë të mos dalë nga dhoma! Shpejt, shpejt brenda në dhomë!”.
Kjo tokë e djegur nga acidi i cili gjendej me shumicë në këtë zonë, vazhdonte të shkatërronte sipërfaqen e saj e cila përpiqej t’i shpëtonte këtij shkatërruesi të pamëshirshëm. Në të dyja anët e përroit kripërat e nëntokës kishin lënë gjurmët e tyre duke dalë në sipërfaqe. Pak hapa më tej, duke ndjekur rrjedhën, shihje se ky ujë fillonte të shteronte. Patjetër udhëtarët që kalonin këtyre anëve pëshpërisnin me vete “Ky vend është i mallkuar!”. As zogjtë e malit nuk arrinin të jetonin aty, le pastaj njerëzit ose bagëtia. Aty kishte vetëm dhe të djegur dhe gur të thatë që thërmoheshin në dorë sapo i prekje. Kur binte fjala se si ishte gjetur kjo tokë e mbetur shkretë, shumë thonë se Sigurimi i Shtetit e kishte zbuluar nga vrojtimet dhe fotografimet të cilat i kishte bërë gjatë fluturimeve me helikopter. Këtu ata çonin skllevërit e komunizmit. Edhe ata që mbetën gjallë pas luftës civile i prisnin vetëm vende të tilla: gropa të djegura e të fshehura nga çdo sy që askush të mos i dëgjonte britmat, rënkimet e ulërimat që shkaktoheshin nga torturat e vazhdueshme. Bandat e kuqe sapo pushtuan vendin, pushkatuan pa gjyq njerëz nga klasa e përmbysur i zhdukën pa nam e nishan dhe familjarët e tyre i internuan në thellësira të shkreta. Sigurisht pasuria dhe prokopia e këtyre njerëzve përvetësohej nga komunistët.
Babai më tregonte se në muajin prill të vitit 1968 pasi mbaroi ndërtimi i fabrikës së çimentos në Elbasan, gjysmën e të burgosurve i çuan në burgun e Laçit dhe pjesën tjetër në Spaç, Reps ose Rubik ku ishte hapur burgu i ri. Këtë vend të izoluar nga vetë natyra, e kishte gjetur Sigurimi. Këtij izolimi iu shtuan edhe gjashtë rrethime të tjera me tela me gjemba. Jashtë këtij rrethimi gjendeshin tre kapanonet e ushtarëve. Ishin ngritur edhe karakollët nga të cilët ushtarët vigjionin ditë e natë më automatik në dorë. Në barkun e kësaj grope të llahtarshme gjendet miniera e Spaçit. Këtu do të silleshin disa nga “armiqtë” e partisë e të popullit dhe jo pak, do të gjymtoheshin e do të sfiliteshin e nga norma operative e cila duhej tejkaluar, por edhe nga vetë kjo gropë, që nën peshën e ankthit ta shtonte pesimizmin, të bënte të humbje shpresën e të jepte përshtypjen se rroje në Mesjetë. Sapo u futa në kamp i dërrmuar, shumë i tronditur dhe i pafuqishëm të qëndroja në këmbë prej izolimit të gjatë në birucat e Librazhdit, disa miq e bashkëvuajtës të xhaxhait dhe babait m’u prezantuan. Mundoheshin të më qetësonin sadopak, duke më dhënë kurajë që të mos mërzitesha se kësaj pune nuk i dihej. Priteshin ndryshime politike, sipas mendimit të njërit apo arsyetimit të tjetrit. Të nesërmen më thirrën në zyrën teknike. Kryetari i zyrës,
një burrë me mustaqe, i ushqyer mirë, me një bark të dhjamosur, ishte një i dënuar për agjitacion e propagandë. Pak më tej qëndronte një ushtarak thatanik i cili rrotullonte kapelen sa në një dorë në
tjetrën. “Nesër do të dalësh në punë, -foli barkaleci me mustaqe. –Të këshillojmë të rrish urtë e të mos flasësh. Të ulësh kokën e të punosh, ndryshe këtu merr dënim tjetër e s’e nxjerr lëkurën kurrë nga këtu.
Mos u merr me llafe dhe pse je dënuar shumë, po të sillesh mirë, të punosh e të ulësh kokën, ke përfitime: të ulet dënimi dhe këtë propozim ia bëjmë ne komandës për sjellje të mira ose të këqija”. Të nesërmen më nisën në punë me brigadën e cila punonte në zonën e dytë. Edhe pse miqtë që përmenda më sipër iu lutën kryetarit të zyrës teknike që të paktën atë muaj të më linin pushim sa të merrja veten (kështu bëhej për të gjithë të dënuarit e sapoardhur), qe e kotë. Rruga për në zonën e dytë ishte malore e më larg se zonat e tjera. Ngjitesha me zor të madh e bëhesha qull në djersë edhe pse më ndihmonin miqtë të cilët më mbanin nga krahët kur ecja. Në një rast gjeta një copë ristel që e përdorja si shkop, por polici ma mori dhe e theu. Ai më kërcënoi, duke më thënë se po të më shihte përsëri me shkop në dorë, do të kisha pasoja. “Do ta thyej në kokë, nuk lejohet”, më tha. “Nuk kam fuqi, nuk eci dot”, i thashë policit. “Nuk paske vdekur tashti?!”, më hungëritit polici.
Galeritë e zonës së dytë nuk kishin asnjë lloj kushti teknik. Temperatura brenda saj shkonte 35- 40 gradë celsius. Galeria ngushtohej çdo ditë nga presioni dhe vagoni duhej të ishte më i vogël. Minerali i cili vinte përzier me ujë nuk mund të merrej me lopatë për ta ngarkuar në vagon, kështu që ne përdornim kapelën e shollit. Sfiliteshim gjithë ditën në punë. Mërzitja sa vinte shtohej e shpeshherë pyesja veten: “A bëhen 25 vjet burg kështu në këto kushte?”. Kur ktheheshim në fjetore as gjumi nuk më zinte. Edhe kur
dremisja për disa çaste, më shfaqej dhoma e izolimit, gishtat e thyera të dorës nga shefi i hetuesisë, torturat, të rrahurat dhe kur më lidhnin duar e këmbë me urdhër të hetuesit. Në këto pak çaste dremitjeje më kalonin përpara syve séanca e fundit pretencë në gjyq “Genc Leka, vdekje –pushkatim, Vilson Blloshmi, vdekje – pushkatim!” dita e 11 qershorit, gjithë frikë e tmerr. Isha i lidhur duar e këmbë me helmetën të ngjeshur mbi kokë. Djersët më rridhnin pa pushim si nga tronditja ashtu edhe nga vapa mbytëse, 12 qershori kur na dhanë vendimin për Gencin e Vilsonin, vdekje, pushkatim, ndërsa unë 25 vjet burg. Më bëhej sikur dëgjoja zhurmën e zinxhirëve përgjatë korridorit kur nxirrnin për në banjë në fillim Gencin e pastaj Vilsonin. Përpara dhomës ku rrija unë u zgjidhën dhe u lidhnin sërisht zinxhirët nëpër këmbë e duar.
Në minierën – burg të Spaçit punohej me tri turne shi, borë, ftohtë e acar këta njerëz me kokë të qethur hynin e dilnin nga barku i nëntokës papushim. Sa herë dilnim për në punë dhe kur ktheheshim nga puna na zbathnin e me këmbë në baltë apo dëborë bëheshe kontrolli. Aty gjendeshin 5 zona (galeri dhe traverbang) të cilat e çonin në barkun e këtij mali. Punohej 8 orë në erësirë të plotë, duke thithur jo vetëm erën e karbitit që digjej me një flakë të pakët e të verdhë, por edhe erën e gazrave, të mykut, të drurëve të kalbur të galerisë, të minjve të ngordhur, të ujit të qelbur i përzier me acidin. Do thithnim edhe erën e rrobave e të çizmeve të llastikut të kalbura, që vinin të përziera me mineralin e ardhur nga nënkati. Era e dinamitit të plasur të mbushte mushkëritë ndërsa tymi i mjegullt i tij të verbonte sytë dhe detyroheshim të uleshim mbi gjunjë për t’u ruajtur nga ky tym i përzier me helmet i cili nuk arrinte të nxirrej jashtë galerisë as nga kompresorët, duke qëndruar si re, shtëllunga –shtëllunga në galeri. Dilnim nga galeria vetëm kur mbërrinte turni pasardhës. Të gjithë ata të cilët nuk realizonin normën, te dera e
galerisë i priste polici që i hidhte prangat ose i lidhte te një shtyllë betoni, në shi e borë apo edhe vapë të ishte, që ndodhej në majë të kodrës, pranë barakave të kapterit, ose natën në birucë në mëngjez prap në punë. Shumë të burgosur të ardhur rishtas në këtë galeri – ferr, një prej të cilave isha dhe unë, kalonin ditë të tëra duke vjellë gjak bashkë me çfarë kishin në bark dhe tymin e thithur. Kishte raste që
stomaku ambjentohej shpejt me këtë përzierje helmesh të nëntokës dhe në më pak se një muaj nuk ndienim më gjë, por shumë prej nesh sëmureshin nga turbekulozi e shurdhoheshin e sakatoheshin
nga aksidentet, duke këputur dorën ose këmbën, duke u tretur pak e nga pak e duke u lutur që vdekja të vinte e t’i merrte sa më parë.
Vetëm atëherë mund të rehatoheshe e të shpëtoje njëherë e mirë, kaq e padurueshme ishte bërë jeta.
Zona e dytë ishte zona më e keqe. Ishte një nxehtësi e tmerrshme. Galeria pikonte fillim e mbarim acid sulfurik mbi trupat e zhveshur të të burgosurve, mbi këmbët e gjakosura, lëkura e rrjepur e cila nuk i mbulonte plagët që rridhnin gjak. Kishte të tilla ose duhet t’i pranoje në heshtje ose çdo refuzim të çonte në përballje me format e “riedukimit”, të lidhnin duart pas shpine dhe më pas të lidhnin pas shtyllës së betonit. Kishte raste kur polici pasi të kishte lidhur duart pas, hipte edhe vetë duke i vendosur të dyja këmbët midis hekurave dhe kolovitej derisa i burgosuri rrëzohej përdhe. Po t’i thoshe policit se fronti i punës ishte me rrrezik shembje, se në këtë fronte nuk ka mineral apo se vagoni i ngarkuar me mineral piriti, që peshonte jo pak, por 3 ton, dilte nga shinat, duke i shkatërruar ato dhe kështu puna do të ndërpritej për disa orë, ai çirrej: “Dil jashtë! Më prit te shtylla ose ta rregulloj unë qejfin ty!”. Pasi të lidhte duart pas saj të varte edhe një rrotë vagoni. Ajo peshonte jo pak, po plot 25kg. Për kushtet e sigurimit teknik as që bëhej fjalë. Puna nuk ndërpritej për asnjë çast, as edhe atëhere kur ndonjë të burgosur e zinte minerali ose dheu i shembur në galeri. As vdekja nuk e ndalte punën në atë gropë-ferri. Puna me tre turne vazhdonte derisa nxirrej i vrari nga barku i nëntokës. Ai merrte me vete edhe fajin për dheun e shembur se me demek kishte hyrë në frontet e ndaluara që nuk lejoheshin nga sigurimi teknik dhe se askush nuk e kishte detyruar të futej atje. Kështu gjithmonë polici me brigadierin e lirë sa herë vritej dikush, duke e pasuar me batutën “një armik më pak”. Kur konstatohej se në vagonin me mineral piriti kishte gurë e copa druri të përzier me të, që ne e bënim qëllimisht sipas policit ose brigadierit të lirë, ishte tortura më e madhe. Veç sharjeve e ulërimave se vazhdonim të sabotonim, duhet të duronim edhe prangat e drurin pa pushim derisa të lodhej polici.
Spaçi, ky vend shkëmbor i shkretë, popullsia e të cilit jetonte në mjerim e padituri. Pikërisht mes këtyre njerëzve ishin zgjedhur policët e burgut, që i kishin shpëtuar mjerimit ekstrem të kooperativës, duke e quajtur parajsë hapjen e burgut, sepse kishin fituar vendin e tyre të punës, sepse hanin bukë gruri, siguronin veshje falas, uniformën (kur merrnin të renë uniformën e vjetër e çonin në familje) dhe merrnin një rrogë për të qenë. Këta njerëz ndjeheshin shumë të gëzuar se ishin punësuar si policë në këtë ferr. Ata bënin shaka me njëri-tjetrin, me fuginët (mbushësit e minave) ose brigadierët e lirë duke thënë: “Rri mirë se të çuam në kooperativë që të hash dynjanë!”. Fëmijët e tyre përkraheshin nga shteti, merrnin bursa për shkollim pasi baballarët e tyre punonin në një sektor tepër të rëndësishëm, ruanin “armiqtë e partisë e të popullit”. Këta policë na shikonin me shumë urrejtje sepse ne të burgosurit kishim dashur të rrëzonim pushtetin popullor, por ishin edhe të kënaqur për ekzistencën tonë sepse po të mos ishim ne, nuk do t’i kishin këto vende pune. Kur na torturonin, bëheshin aq agresivë e të pamëshirshëm, sa drurin
e ndalnin vetëm kur lodheshin, por edhe kur ndalnin drurin nuk ndalonin të sharat duke na thënë: “Ju armiqtë, këtu e keni vendin brez pas brezi sepse vetëm vrer villni nga goja. Ju jeni të pabindur!”.
Puna e pandërprerë dhe në kushte tmerrësisht çnjerëzore e shtonte numrin e viktimave dita-ditës. Trupat e atyre që vriteshin nuk u jepeshin familjeve pa mbaruar dënimi, të cilin duhet ta kryenin ditë më ditë edhe të groposur buzë përrenjve të Spaçit. Shumë të burgosur të cilët trulloseshin në galeri nga helmi që u merrte mendtë, shtriheshin pa vetëdije në kanal apo anash shinave të galerisë, duke marrë plevitin brenda pak muajve. Në një rast kur dheu zuri dy të dënuar, njërin e nxorëm, të vdekur sigurisht, ndërsa tjetrin për ta nxjerrë, pasi na larguan ne të dënuarit që punonim aty, i prenë kokën me sëpatë sepse ishte e vetmja mënyrë për të nxjerrë kufomën prej andej. Atë që nuk e vriste dheu që shembej, ia merte jetën pleviti pak e nga pak, por kishte edhe nga ata të cilët nuk e përballonin dot punën e stërmundimshme dhe torturat sfilitëse, duke i dhënë fund jetës me vetëvrasje, apo gjymtonin veten duke thyer duar e këmbë që të mos futeshin më në galeri. Pranonim të mbeteshim sakatë për gjithë jetën, vetëm e vetëm të shpëtonin nga kthetrat e policisë. Po të ishe i gjymtuar ose sakat, mjeku të linte pushim, nuk të nxirrnin më në punë. Kush nuk humbte jetën, mbetej ulok. Ka pasur edhe ndonjë rast kur i dënuari i shpëtonte nga duart torturuesit dhe turrej vrap drejt rrethimit ku e priste ushtari i cili pasi ulërinte “Ndal!”, të dënuarin e ndalte me breshërinë e mitralozit. Më mirë të vdisje se të ishe nën thonjtë e policit që të rripte lëkurën. Ushtari i devotshëm që kryente “detyrën”, duke i marrë jetën një njeriu, shpërblehej me 15 ditë leje dhe pasi mbaronte ushtrinë mund të vishej polic me të dënuarit. Dimri ishte shumë i gjatë me dëborë mbi 2metra. Në Spaç u njoha me shumë djem e burra të guximshëm dhe intelektualë të cilët ishin nga e gjithë Shqipëria. Agim Hamiti nga Dukati i Vlorës, një djalë i qetë dhe inteligjent, kishte qenë ushtar në Tale të Lezhës, në brigadë pune bashkë me vëllain tim Vilsonin. Kishin studiuar bashkë po në Tale, në vendin ku kishin korrur misër e kishin bërë punë të tjera bujqësore, ishin njohur me një prift i cili i ndihmonte me literaturë të huaj. Sa herë që takohesha me Agimin, më dukej sikur flisja me vëllain tim, Vilsonin. Në ferrin e Spaçit pas meje erdhi edhe xhaxhai im, Hasan Blloshmi, i cili u dënua me 10 vjet heqje lirie. Atë e kishin arrestuar ditën e internimit të familjes pasi u dënuam Genc Leka e Vilsoni dhe unë. Gencin e Vilsonin i dënuan me vdekje (pushkatim) dhe i ekzekutuan natën e 17 korrikut të vitit 1977 te vendi i quajtur “Përroi i Firarit”. Xhaxhai ynë, Hasani, këtë e kishte dënimin e dytë. Në dënimin e parë ishte dënuar me 20 vjet heqje lirie nën akuzën takim dhe strehim “diversantësh” sepse sipas Sigurimit të Shtetit, ishte takuar me Bardho Lekën, dajën e tij, i cili ishte arratisur në Jugosllavi bashkë me dajën tonë Sabri Spahon. Xhaxha Hasani ndërroi jetë, i sëmurë shumë rëndë, në korrik të vitit 1982 në burgun e Spaçit.

Please follow and like us: