Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Bllosmi: Rrëfimi i Luan Burimit për Revoltën e Spaçit

 

 

Luan Burimi, njëri nga të dymbëdhjetë të arrestuarit e grupit të parë, rrëfen se si ndodhi revolta e ferrit të Spaçit, me 21-23 maj 1973. Sipas aktakuzës, në këtë grup të dënuarish katër prej tyre u dënuan me vdekje(pushkatim):

  1. Skënder Daja – Fier
  2. Dervish Bejko – Pogradec
  3. Pal Zefi – Durrës
  4. Hajri Pashai – Tepelenë

Ndërsa tetë të tjerët u dënuan të gjithë me nga njëzetë e pesë vjet heqje lirie.

Mirëdita! Ç’përshëndetje e bukur! T’i thuash tjetrit: Të vaftë mbarë dita. T’i urosh tjetrit shëndetin e gëzimin për gjithë atë ditë. E le pastaj sa krenari! Kur mendon se këtë përshëndetje mbarënjerëzore, e mban emër krahina jote, (ndoshta krahina e vetme në botë që mban për emër këtë përshëndetje nga më njerëzoret).

Po për të ardhur keq!…Në vitet ’70-të, Mirdita qe shndërruar mesnatë, mesnatë e thellë mesjete…Ajo Mirditë, që dikur për të këndoheshin legjenda bujarie e besnikërie, tani ofshante pa fuqi e gjithë maraz! Me aq dyer të kyçura e pa bij…Me aq dyer që s’dihej në qenë gjallë të zotët, në qenë në atë Tepelenën-Llahtar…apo groposur honeve të saj, Mirdita qe pa gojë e pa ndjesi. Ashtu siç do të qe çdo krahinë tjetër, sikur në gjoksin e saj të mbante atë plagën e madhe: Spaçin shfarosës…

Në gjysmën e Prillit të ’73-it, pothuaj i gjithë kampi, disa dreka e darka, e derdhi me ndërgjegjie, atë ushqim të keq edhe për derra. Po as operativin, as komandantin e komisarin, s’i shqetësoi fare veprimi i atyre njerëzve që po dilnin të unshëm nga kampi e po ktheheshin të unshëm në kamp. Përkundrazi, ajo treshe hibride,(si përherë) sajoi lloj-lloj pretekstesh dhe ku katër një mbasdite, ku shtatë mbasditen tjetër, i mbushi plot birucat. Po ajo përplasje e gjithë të dënuarve me komandën, sikur i dha ca ndryshime. Jo në ushqim, që mbeti i neveritshëm si gjithmonë, po në sjelljen e policëve. Ata përnjëherësh nga bisha të egra sikur u zbutën. Gjë që na bënte të qeshnim me ta, të hidhnim e të prisnim qyfyre…kështu u mbyll ai Prill i ’73-it.

Në mëngjesin e herët të 21 majit të ’73-it, turni i parë rreth dyqind e pesëdhjetë burra, që priste i heshtur t’i hapej dera e jashtme që e lidhte me galeritë e frikshme, nga birucat e veçuara ngjitur me rrethimin e kampit, dëgjoi i shqetësuar dyer që përplaseshin, zëra të shumtë, e atë zhurmën e mbytur që nxjerr zorra e gomës mbi trupin e zhveshur, dhe, sa hap e mbyll sytë, pa Z.Palin të larë në gjak, që vinte turravrap nga birucat, e një lukuni djajsh e ndiqnin. Kushdo që do ta shihte atë skenë makabre, po të kishte gjak e jo baltë, do t’i dilte krah atij njeriu, që i qe shndërruar fytyra në një maskë të kuqe!…

Ky dhe vetëm ky qe çasti që ata njerëz të përgjumur, të ngritur me çangë nga ëndrrat e turbullta, pa kuptim si jeta e tyre, u zgjuan plotësisht. Dikush mjaft në hall po i kërkonte ndihmë ndërgjegjies së tyre të fjetur. Pak të dënuar, për të mos thënë fare, s’e kanë provuar të rrahurën me seanca në birucat e Spaçit. Të paktën janë edhe ata që me duar të lidhura prapa, s’janë rrahur gjer në sakatim!…Po ama si kudo, qoftë tek kafshët, qoftë tek njerëzit, paska një kufi që u soska durimi. Paska një kufi që u harroka nëna, gruaja, fëmijët. U harroka të ritë e veta, jeta, kur s’ka të ngjarë as me jetën as me vdekjen… E ajo maskë e kuqe…që ju kërkonte ndihmë, jua sosi më në fund durimin. Patjetër që ajo ndodhi e vazhdueshme mesjete…solli 21 majin e ’73-it.

Ata burra, si t’i shtynte një forcë e mbinatyrshme, u kthyen njëherësh në oborrin e kampit dhe e futën në mes tyre njeriun që s’I dalloheshin tiparet nga goditjet e rënda në fytyrë. Më pas, gjithçka ndodhi si në një film me lëvizje marramendëse. Hibridë, që përplaseshin me njëri-tjetrin kush të dilte më parë jashtë rrethimit! Hibridë, që as ju shkonte ndërmend në kishin patur ndonjëherë kapele me yll mbi qafat e tyre! Hibridë, që ai vrap lepujsh i zhveshi ashtu siç qenë.

Kaq mund të them për incidentin e mëngjesit të asaj dite, në mund të quhet incident një ballafaqim dy botësh. Që aty u ndesh heshtja, por besoj që secili nga të dënuarit, duke njohur mirë me ç’lloj kafshe kishte të bënte, do të ketë pyetur veten çfarë ndodhi e ç’mund të rridhte prej saj… Jashtë kampit, nuk dallohej asnjë shenjë se diçka kishte ngjarë. Madje, pas ngrënies së drekës dy brigada të nëntokës dolën si zakonisht në punë.

E heshtja vazhdonte, po ama ajo qe një heshtje që fliste shumë… Secili e dinte mjaft qartë tani, se atje, matanë atyre telave, po mbarsej ora e tyre katran…

Ishte ora 20:00 kur oficeri i rojes (me gojën e tellallit të kampit) kërkoi të vinin në zyrën e tij katër të dënuar për disa “sqarime të vogla” dhe cilësoi emrat e tyre. Dy nga ata u ngjitën, por mbas pak minutash u panë nga mjaft sy, tek dilnin të lidhur e të përcjellë në biruca. Tellalli thirri përsëri dy emrat e kërkuar, buçitën si gjëmim, buçitën njëherësh qindra burra, që pa u ndjerë ishin afruar në atë pak shesh pranë birucave.

Ata, njëherë i kërkonin komandës të zbrazte birucat me të dënuar të pafaj, e herën tjetër u thërrisnin shokëve të tyre:

-Thyeni! Ç’prisni? Thyeni dyert!

Në ato pak minuta të atyre zërave irritues tej çdo mase, e kuptova qartë më në fund, se ç’qe orteku njerëzor… E u bashkova i ndërgjegjshëm me ata djem të mrekullueshëm, a thua po shkoja dasmor.

Shumë shpejt, shpërtheu nga menteshat një derë biruce, e ata që dolën prej saj, me atë ngutje, shpërthyen edhe birucat e tjera, por tek teli që sikur i fshinte birucat nga barakat, i përgjakën edhe duart edhe shpinën, po që andej dolën të gjithë. Po kur ata të ngratë po jepnin e merrnin tek telat, nga zyra e komandës dikush që s’u pa, i thirri me egërsi ushtarit:

-Qëllo mor dreq! Qëllo! Qëllo!

Ushtari aq pranë turmës nuk qëlloi, se po të kishte qëlluar e sidomos me mitrolozin që qe në gatishmëri atje, gjysma e asaj turme do të qe shfarosur. Ai edhe kur qëlloi, qëlloi gjoja i nxitur e jo në shenjë. Pas breshërisë së tij, një zë tjetër thirri për ndalim zjarri. Kur po villte gjuhëflakë karakolli, unë mendova se ata njerëz do të shtypnin shoku-shokun nga vrapi për t’ju fshehur goditjeve vdekjeprurëse, por dola shumë i gabuar dhe më erdhi rëndë nga ai mendim. Ata qëndronin të gjithë atje, përballë karakollit-vrasës, njëlloj siç qëndrojnë statujat e mermerta në një muze të madh. Sapo qenë kthyer të palarë, të shqetësuar e plot ankth, dy brigadat që kishin dalë pasdite, e tani të gjithë të dënuarit i ngjasonin një koshereje vigane bletësh të ngacmuara, që s’i mbante vendi, që flisnin si në kllapi, që flisnin pa e dëgjuar se ç’thoshte tjetri, që bënin fjalë për diçka të pamundur, apo këshillonin maturinë. Nuk kishte më të shtëna, po të shtënat e para kishin ushqyer flakët e një zjarri, që mund të shuhej vetëm me gjak…

Ora po i qasej 21:00, kur nga zyra e oficerit të rojes, një oficer I panjohur nga ne, e rreth tij lukunia e Spaçit, me portavoçe, lëshoi ultimatumin:

-Në orën nëntë fiks të gjithë në shtrat. Asnjë jashtë. Asnjë në tarracë. Një sekondë pas orës nëntë, ushtarët kanë urdhër të qëllojnë.

Nëpër kampe, orë mbanin vetëm ata të dënuar që punonin nëpër zyra teknike, e kur u dha ultimatumi, ora qe 21:00 pa katër minuta. Përherë, kur bëhej apeli, kush qe brenda në barakë, lajmërohej nga shoku, po atë mbrëmje nuk u lajmërua kush. Atë mbrëmje të gjithë ishin jashtë e të gjithë nga dy e nga tre bashkë, po i drejtoheshin tarracës me atë moskokëçarje, siç ktheheshin nëpër kampe nga ridënimet “edukuese!…”.

Po në orën 21:00 asnjë karakoll nuk hapi zjarr, e asnjë i dënuar për disa orë s’u kujtua se kishte një palo shtrat ku mund të çlodhte gjymtyrët e lodhura tej mase. Nja dy orë më pas, ushtarët e karakollëve, ngado ku nxinin e sterronin ata karakollë, u zëvendësuan me policë të ardhur nga Rrësheni!.

E shkakun e atij zëvendësimi e dinin mirë tani të dënuarit. Se kishte mjaft prej tyre që dëgjuan të vëmendshëm e të emocionuar këtë dialog ndërmjet Skënder Dajës e ushtarit të karakollit, përbri tarracës:

– Ç’po shikon me kureshtje, ushtar?

– Shqetësimin tuaj!

– Të bëka përshtypje?!

– Po të mos më bënte, do të të kërcënoja si disa të tjerë, po ja që unë po flas me ty, si me vëllanë tim.

– A e di ti dhe shokët e tu përse ka ndodhur kjo revoltë?

– Për rrahjet çnjerëzore në biruca, atë dimë shkakun kryesor!

– Rrahjet ishin fundi, ato vetëm sa na sosën durimin, që duroi një mijë e një të zeza: s’ta lus fatin tonë vëllai im, po për një gjë të lutem: mos harro kurrë as ti, as shokët e tu ç’terror patë këtu! Je “daut”?

– Po “daut”, por “daut” i keq, derisa ruaj me pushkë njerëz si veten.

– Edhe shokët e tu kështu si ti mendojnë? Vërtet kështu?

-Njëri nga ata sapo e dha provën…kur shokët tuaj shpërthyen birucat…

Dikush nga të dënuarit e moshuar (për të mos rrezikuar atë ushtar fisnik) ngadalë, diçka i foli Skënderit, e ai e ndërpreu në cast atë dialog të papritur!

Po ai dialog, në qetësinë e improvizuar të asaj nate plot shqetësim, besoj është dëgjuar (ndoshta jo qartë) edhe nga ndërtesat ku rrinin në pritë…ata meshkuj të një race tjetër…që po lodheshin aq shumë me arkivolet tanë…

Ai bisedim, më tepër i shikuar se i dëgjuar, frika e tyre prej diçkaje më të madhe e dyshimi i përjetshëm tek ushtarët e tyre, që i trajtonin aty-aty me ne, ai bisedim pra, i zëvendësoi ushtarët (që po ndjenin e po shikonin diçka të paparë…) me policë pa sy e pa veshë… Në atë ambient jo njerëzor ku jetonim, ai shuante çdo shkëndijë që mund të shndërrohej në zjarr të madh. Ai ndodhej përherë atje ku kërkohej patjetër fjala e një burri të urtë. E në çdo tubim klandestin, përpara e n’ato tre ditët e revoltës, atë e dëgjonin të rinj e të moshuar dhe kryenin gjithçka që shihte të drejtë ai. H.Sokoli qe shpirti i asaj ngjarjeje të domosdoshme e të paevituar. Ai qe koka e atyre djemve të rrallë. E siç qe në të vërtetë, unë e njoha në gjyqin e Spaçit, në gjyqin “shembullor” që kishte kuar e fryrë regjimi hybrid i atij shekulli.

Po tani le të kthehemi te zjarri që u ndez atë natë, e që villte tym të zi si asnjë zjarr tjetër, kudo ku ka rënë, gjersa hynë pas tri ditësh me një mijë e njëqind pranga dhe një mijë e njëqind kyçe “triumfatorët!…”. ata, që gëzimin e atij “triumfi” legjendar, e ndanë me Korpusin famëmadh të Burrelit!!!

Sikur të mos mjaftonte ai stërmundim i pathënë… nëpër ato galeri të lemerishme, e të mos mjaftonte ajo pasiguria e përhershme e ridënimeve masive, në oborr e përreth barakave të tij, madje gjer në gjysëmdyert e WC-ve, ngriheshin me mburrje lloj-lloj stendash “dacibao” ku meshkuj të mençur nga tanët bënin moralin e kohës… Prandaj djem të matur e të nxituar bashkë, zemërimi i hodhi me urrejtje mbi ato stenda paçavure. Pashë unë në atë mori djemsh Q.Demirin që po shkulte njërën nga ato stenda dhe ashtu si jo me paramendim, e pyeta ç’po bënte? Ai qe shumë i sjellshëm, po atë natë jo të zakonshme, m’u përgjigj ashpër:

-Nuk po më sheh ç’po bëj?

Po unë i mbytur nëpër derte sa për dhjetë Q.Demirë, bëra sikur s’e dëgjova dhe shpreha një mendimin tim pothuaj monolog:

-Sot qenka e freskët nata, sa do të qe me mend një zjarr…

-Pse gjithë këto rrangalla s’mjaftokan vallë?

-Jo, jo, edhe këto mjaftojnë, po pse t’u hidhni përsipër edhe ato plehra bibliotekës, s’do të bëni keq. Do të kalonim një natë të paharruar.

Kaq mbaj mend se fola me të, e ngadalë iu drejtova tarracës. Po disa vite më pas, kur fati katran na bashkoi në Burrel, e u soll biseda rreth asaj nate aq të tensionuar…ai më tha se kishte shkuar me vrap në baraken e shokëve të tij, e po ashtu me vrap i ishin drejtuar bibliotekës, mirëpo ishin tepër të vonuar!

Atje, sapo qe shpërthyer dera, e mjaft duar që dridheshin më tepër se kurrë…mjaft duar, që flisnin më tepër se kurrë…flaknin në terrin e asaj nate, diçka më të zezë se vetë nata e çdo nate Ferri. Kështu u dogjën në zjarrin e asaj nate, ata meshkuj hibridë, që kishin djegur e përvëluar më tepër se gjysmën e Globit…

Në dritëhijet e tij u përgatit (me një respekt e qetësi të habitshme!… për një mijë mendje) edhe Flamuri ynë i vërtetë. i sjellë e i përcjellë nga duart e Atit të kombit tonë, Skënderbeut. I sjellë e i përcjellë nga duart e Burrit të vetëm të një shekulli, Gjergj Kastrioti.

Pa çekiçin, që na shembi brinjët, pa drapërin, që na preu krahët, pa yllin, që u shofshin po qenë të atillë. Për dy ditë e dy net, u ngrit lart e rrahu flatrat si asnjëherë, shqiponja e Kastriotit, shqiponja jonë…

Të gjithë burrat e atij “arkipelagu…” qëndronin atje në këmbët e saj dhe e shihnin të heshtur tek rrihte flatrat me ritmin e zemrave të tyre, e vazhdonin të heshtnin, a thua mos e trembnin e ju ikte, ju ikte pa u parë mirë e pa u ngopur me hirin e saj!… M. Vlashi, që i dha jetë asaj shqiponje e gëzim të papërshkruar atyre djemve që e meritonin atë gëzim. M.Vlashi, që për penel kishte një lopatë me peshën e trupit të tij, përnjëherësh u rrit si vigan, pa një vigan me sy të përlotur…se diçka kishte bërë vërtet, diçka kishte thënë…

Me sy të përlotur nga ai çast i papërfytyruar e sublim, ishin edhe ata djem burra, që po qëndronin krenarë te këmbët e saj. E një erë e lehtë si përshëndetje, ledhatonte edhe flamurin e shqiponjën, edhe ata burra që i dhanë frymë nga fryma e tyre.

Përshëndeste ai fllad M. Vlashin, S. Dajën, pushkatuar! D. Bejkon, pushkatuar! H. Sokolin, L. Kokën, vëllezërit Çoku, G. Medollin, Gj. Kadelin, N. Kolecin, R. Lazrin, F. Dushkun, H. Pashain, pushkatuar! Z. Palin, pushkatuar! H. Benën, Y. Merdanin, U. Pashollarin, D. Pojanin, B. Fishtën, Sh. Seitin, L. Burimin e mjaft e mjaft të tjerë, sikur ta dinte se po përshëndeste për herë të fundit katër zambakë: Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain e Zef Palin, që s’do ta ndjenin më kurrë as puhinë e acarin e moteve, as ligësinë pa fre të krijesave hibride…

Ishte mëngjesi i datës 22 maj, i gdhirë me drita të shuara, po jo pa dritë. Atë natë, gjithë ditën e gjithë natën tjetër, unë them se Qielli i Mirditës mund të ketë ndriçuar aq shumë vetëm kur digjeshin me gjakftohtësi barbari, kullat fatzeza mirditore!

Stendat e shumta e veprat e panumërta të “gjenive të Marksizëm- Leninizmit” të përziera e të shumuara edhe nga “dy luanët” e botës në vitet ’70-të, kishin bërë atë zjarrin e madh që kemi treguar tani e që përreth tij s’po lihej qyfyr pa u thënë…kur nga ora e drekës, po tek ajo zyra e oficerit të rojes, u thirr me portavoçe një përfaqësi të dënuarish, për të shtruar kërkesat e tyre (që sipas mashkullit të portavoçes, nuk shihte asgjë anormale për të kërkuar) e të merreshin vesh njëherë e mirë.

Pikërisht në fundin e asaj ligjërate qëllimzezë, u përmbys maturia e habitshme e asaj bashkësie në hall. Shumë prej atyre djemve që i kisha parë shpesh ato ditë të aprovonin këshillat e matura të H. Sokolit, L. Kokës e S. Dangëlliut, pas asaj ligjërate-benzinë…nuk kishte njeri t’i frenonte. Dhe kishin hak.

Si mund t’ju thoshe atyre njerëzve fatzinj se s’ju kishe bërë asgjë të keqe?! Kur mjaft prej tyre u kishin vrarë babanë e vëllanë, e kur me gjakun e mjaft të tjerëve, me njerëzit më të dashur të tyre, kishin sajuar aq kampe çnjerëzore internimi…sa ç’ kishte dhe vila e rezervate personale gjuetie!!! Po ata, ata vetë, a s’i kishin varrosur për së gjalli? E t’ju thoshe pastaj se ata qenkan revoltuar më kot! Ato fjalë ishin të paturpshme si goja që i villte. Ato fjalë ngacmonin çdo

durim…

Që atë çast vdiq arsyeja e palës sonë, se nga ana tjetër e telave, ajo kishte vdekur shekuj e shekuj më parë. U thanë aq marrëzira nga të dyja palët në atë ballafaqim, sa unë do t’ju mërzisja edhe juve, edhe veten po t’jua përshkruaja hollësisht ato marrëzi. Shkurt, nga të dyja anët e telave, për dy orë e ca, atë ditë, u fol njëlloj gjuha harbute e kuqe…

Pas asaj përplasjeje, mbasditen e ditës së dytë, natën, e gjithë ditën e natën e tretë, kosherja vigane gumëzhinte nga mijëra gjykime, nga më të guximshmet, nga më të çuditshmet e nga më të pamundurat! E kush ishin ata “rebelë” që përbënin atë “rreth Dantesk”, që “pa arsye ngrinin zërin e tyre”, unë do t’ju tregoj për njërin nga ata, e ju do të merrni vesh gjithçka të ngjashme, tepër të ngjashme me akuzën e “dënueshme” të tij, edhe për secilin nga ata “armiq të rrezikshëm!…”. L. Kokën e njoha në tharjen e kënetës së Skrofotinës, në ’69-ën. Të dy ishim të rinj atëherë, e do t’na duhej të ecnim bashkë në terrin e asaj nate të thellë… nga Skrofotina në Spaç e nga Spaçi në Burrel, për njëzetë e dy vite të akullt e pambarim, ku si mijëra të tjerë, lame ëndrrat, rininë e shëndetin. E njihja jetën e L. Kokës sa nuk njihja as jetën time aq. Dija edhe akuzën sa të pabesueshme aq edhe qesharake të tij, e cila më mirë t’i kishte marrë kokën sesa t’i merrte ato vite që s’kthehen më kurrë! E ç’di unë për jetën e gjymtuar të tij, pak a shumë do ta mësoni edhe ju. Në vitet ’50-të, s’më kujtohet saktë në ç’vit, i qe arratisur një djalë i tezes. Po ku qe arratisur e a ishte gjallë? Asnjeri s’dinte gjë. Tezja e tij kishte një vajzë të martuar dhe atë pikën e vetme, të humbur nga sytë për së gjalli!… . Në shtëpinë e saj kishte vite që s’degjohej jo gazi, që nuk bëhej fjalë për gaz, po në atë shtëpi nuk dëgjoheshin as dyert, në hapeshin a mbylleshin. Atje mungonte pika e vetme, atje mungonte jeta.

Gjallërinë e asaj qyqeje (në mundem ta quaj kështu) e mbanin e bija dhe motra e saj me dy djemtë, L. me të vëllanë. Në fillim të vitit ’60-të apo ’61, kushëriri i tij, i djegur nga malli e meraku për nënën, motrën, tezen me djemtë e gjithë të dashurit, një mesnatë pus, fare papritur, hyri në Vlorë, në shtëpi, e drejt e në krahët e nënës, gati të çmendur nga ajo e papritur e bardhë, që me dorën që i dridhej, shtrëngonte gojën të mbante gulçet, të mbante klithmat, se dëgjohej jashtë, e vinin ata të paudhët… e ia merrnin. N’ata vite – shekuj tek ne, paniku ia kishte kaluar edhe një epidemie të pathënë kolere…Qe në lagje paniku, në udhë, në dyqan e në shtëpi. S’i besohej shokut, gruas, motrës e vëllait! S’i besohej askujt! Se jo goja që nuk duhej kurrë të hapej…po edhe mimika duhej nën kontroll, sikur edhe tek një gomar që hasje në udhë, se ku i dihej ç’fshihej në ata veshë?

Ky lloj paniku me gjymtyrë, i kish pushtuar krejt qënien edhe asaj nëne të gjorë, që i flisnin vetëm duart shkarpa, mbi kryet e të birit. As motra, motra e dëshiruar për të, s’e pa dot. Atë natë të lume, nënë mjera qëlloi vetëm në shtëpi dhe s’i ndau as me vajzën ato orë të paharruara, që i dremiste në prehër ai, i vetmi, i miri, drita e syve të saj. Ëmë e bir u takuan në mesnatë, kur s’ndjehej asnjë zë njerëzor, asnjë lehje qensh me katër apo me dy këmbë… ata u takuan kur edhe nata në mos flinte, kotej. E po ashtu natën u ndanë… Ç’më ka treguar L. për atë ndarje rrënqethëse, vetëm një penë HYGOI do t’jua thoshte, dora ime s’mundet. Kishte marrë në xhep, ai “diversant” i përbindshëm, nja dy a tre fotografi të nënës e të motrës, një revistë “Hosteni” që e kishte harruar L. tek tezja e tij, një mbrëmje, e pasi kishte marrë edhe puthjet, ngashërimin e bekimin e së ëmës kishte humbur në terrin e asaj nate.

Pesë ditë më pas, kur i përmbysën shtëpinë gjatë kontrollitgrabitje… ata ia thonë me “partishmëri” e mburrje vrasjen e të birit dhe u tallën me të edhe kur ajo qyqe ju ra pa ndjenja te këmbët. U tallën me të, se ajo grua ishte nëna e një “diversanti” që do të hidhte në erë gjithë industrinë e rëndë të Vlorës, e po t’i ecte mbarë aty, ashtu do ta pësonte edhe industria e rëndë e Fierit dhe “nga burime të sigurta…” kishte të dhëna për të, se paska patur me vete disa kg helmi jashtëzakonisht të fortë, që do t’i hidhte në shumë stacione uji të pijshëm!… Hajde pastaj mos u tall me të ëmën, hajde mos e vrit atë diversant!

Edhe në familjen Koka qe heshtje varri. Pak ditë nga thyerjet e shkatërrimi, në shtëpinë e diversantit të vrarë, L. qe zhdukur sikur s’kish qenë kurrë. Për gati shtatëmbëdhjetë muaj nuk pati nga ai asnjë gjurmë sikur edhe të hamendshme! T’i lemë tani ato dy motrat qyqe në plagët e papërshkruara të mijëra e mijëra qyqeve si ato, n’ato vite –shekuj… e të ndjekim L. mes muresh të përgjakur e memecë, ku edhe drita hynte e sakatuar e për të ardhur keq. Ama do t’ju lutem, do t’ju lutem që për një çast mos mendoni ju se L. qe më kot atje. Për një çast mos mendoni se organet e policisë e kishin arrestuar padrejtësisht!!! Zotërinjtë hetues, gjyqtarë e prokurorë të atyre shekujve…(kjo dihet tashmë nga të gjithë njerëzit që përjetuan atë kohë të ndritur…) ishin “shërbëtorët e popullit” që nuk gabuan kurrë! Po si mund të gabonin ata meshkuj që vetë populli i kishte zgjedhur në ato detyra aq delikate? Si mund të gabonin ata meshkuj aq të kompletuar “Kllase…” . Dyshime të tilla të padrejta ka patur përherë vetëm armiku i kllasës, vetëm ai.

Në revistën “Hosteni”, që ju gjet në xhep “diversantit”, u gjet edhe emri e mbiemri i L. Kokës, i shkruar diku në një faqe, që do të thoshte: U gjetën inicialet…U gjetën gjurmët e një “rrjeti të madh terroristësh” që kapo të tyre kishin keqbërësin e deklasuar, “armikun e betuar të kllasës” L. Kokën. Tmerrin e Vlorës e më tutje, që në revoltën e Spaçit, pasi kishte bërë me shpirt ndër dhëmbë mbi njëmbëdhjetë vjet burg (do t’i fshiheshin siç fshin stuhia gjethet e rëna), do të niste nga e para një dënim të “merituar” dy dekada e gjysmë edukuese…

Kjo ishte akuza e dënimit të njërit nga ata “keqbërësit e betuar” e ngjashme me akuzën e të gjithëve, siç ngjasojnë dy pika uji. Mbasditen e datës 23 maj, tridhjetë e nëntë makina me ushtarët e Korpusit të Burrelit, tre autoblinda e një makinë gazi, zbarkuan në atë pus mirditor, ku një grusht “anormalësh” kishin patur guximin e çmendur të ngrinin zërin kundër qeverisë së tyre, që jo vetëm ndiqte një doktrinë nga më parimoret e Globit!… , por po përdorte për ta, metodat më edukuese e më efikase…për formimin e “njeriut të ri…”. Po ata jo vetëm që nuk e çmonin, po ngrinin edhe krye! Mos humb arsyen pastaj!

E rezultantja e atij zbarkimi, qe dy ushtarë kundër një të burgosuri! Dy gryka zjarri kundër një kufome! Ç’paradoks i gjetur! N’atë frymë “mirëkuptimi” , agoi 24 maji 1973. Kushdo, kushdo nga shokët e tyre, po t’i shihte ata dymbëdhjetë burrat e atij “gjyqi shembullor” të dalë nga ajo lloj hetuesie…s’do të kishte mundur t’i njihte!… . Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashai e Zef Pali s’ishin gjë tjetër veçse një maskë gjaku që çuditërisht qëndronte me këmbë. Po nuk kishte ndonjë ndryshim të dukshëm edhe tek tetë të tjerët, të plagosur e të larë në gjak, që u imponohej me egërsi përgjigja jo ose po, në atë gjykim të inskenuar, të paturp e shtazarak, që u mori jetën katër shqiponjave, e gjymtoi përjetësisht ata të tetë që u kurseu plumbin!… e pesëdhjetë e gjashtë të tjerëve, që përjetuan hetuesinë barbare të kryeqytetit tonë…

Please follow and like us: