Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Mato: Këshilla praktike për punësim në shtet

Siç e dimë të gjithë, punësimi në shtetin shqiptar sa vjen e po bëhet më i vështirë, edhe për shkak të vendeve të pakta të punës, ndaj e ndjejmë të nevojshme dhe për detyrë të jap disa këshilla praktike në ndihmë të të rinjve që pasi mbarojnë fakultetet, madje pajisen me diplomë masteri, të mund të gjejnë një punë në shtetin tonë të dashur. Në fakt, këshillat praktike ndryshojnë sipas gjinisë dhe moshës. Ju mund të mendoni se punësimi në shtet sot ka ndryshuar, nuk është më ai i pari, që bëhej me miq e me pagesa nën dorë… Miku nuk vdes kurrë, por unë mund t’jua vërtetoj se jo vetëm nuk ka ndryshuar asgjë, por si miku, ashtu edhe paraja që jepet nën dorë është bërë më i vështirë dhe më e sofistikuar.

Që ta sqarojmë më në detaje këtë problem të rinisë sonë pasuniversitaree të papunë, por edhe të asaj rinie që nuk ka pretendime të shumta për të punuar nëpër ministri e institucione të larta, për shkak të arsimimit të mesëm që kanë, duhet të nënvizoj se këtu ka një dallim të rëndësishëm gjinor. Nëse dikur kërkesat ishin të barabarta si për femra, ashtu edhe për meshkuj, tashmë kërkesat janë kryesisht për femra. Është e vërtetë që përzgjedhjet bëhen me aplikime Curriculum Vitae, ‘online’ dhe me konkurse të hapura, ashtu siç ç’është e vërtetë se Curriculum Vitae, që dërgohen ‘online’ nëpër ministri dhe institucione bëhen posaçërisht për të krijuar idenë që shteti funksionon sipas ligjeve të vendeve më të qytetëruara, ndërkohë që, i dashur mik ose mikeshë, …në qoftë se e merrni seriozisht këtë punën e aplikimeve me konkurse ‘online’ do të zhgënjeheni shumë shpejt. Ose jeni zhgënjyer dhe vazhdoni të zhgënjeheni… Në fakt, kjo që ju them unë nuk është ndonjë gjë e re dhe as e paditur nga ju dhe nga prindërit tuaj.

Nga eksperienca e tyre mund të mësoni më shumë nga sa ç’përpiqem t’ju mësoj unë. Nuk ka student e studente që pas mbarimit të fakultetit përkatës dhe pas mbarimit të masterit të mos ketë pasur një përvojë të tillë të hidhur. Vendet e punëve në shtet janë kaq të vështira sa ç’është e vështirë të hyjë një luan në vrimën e miut. Dëgjojmë shpesh nëpër biseda të pëshpëritet hidhur fraza tashmë e njohura: “Po s’pate mik të fortë e para nuk futesh dot në punë shteti”. Shto këtu edhe që vajzat që pretendojnë për sekretare apo në shërbim publik duhet të jenë edhe të pashme, ndërsa djemtë duhet të jenë të përkulur, të ndrojtur dhe pak natyra servile… Po as këto karakteristika nuk mjaftojnë, të dashur miq e mikesha, që vazhdoni të ëndërroni një punësim në shtet… Ju jini shumë kuadro të dë nga bankat e universiteteve, ndërsa vendet e punës janë me kërk…

Në disa raste, nuk e di, por nuk pi ujë as paraja, as miku dhe as bukuria femërore. Kanë dalë ca kërkesa të tjera, të fshehta, të cilat kanë mbetur enigmatike. Një mëngjes takova një mikeshën time, deputete… Iu luta në konfidencë për të më marrë përsipër e të më gjejë një punë për vajzën e një mikut tim. I qava hallin miqësisht. I tregova që vajza në fjalë kishte mbaruar Fakultetin Ekonomik, madje kishte mbrojtur edhe masterin e që dinte katër gjuhë të huaja… Për më tepër, familja e saj me pesë persona mbahej vetëm me rrogën e të atit të saj. Ndërkohë që unë i flisja, deputetja më pa me çudi, sikur t’i flisja për ca alienë që kishin zbritur në tokë… “Të keqen motra, dëgjo mua… Mos u merr me këtë punë. Janë shumë të vështira.Do të bëhesh armik me atë që i ke premtuar. Kështu më ndodhi dhe mua që, siç e di, jam deputete dhe më dëgjohet fjala. U futa si mik për vajzën e një kushëririt tim. Nuk bëra dot gjë dhe tani më mbajnë inat, jo vetëm kushëriri, por edhe e shoqja…”. “Kaq e vështirë qenka”, – i thashë. “Kaq”, – ma priti ajo, duke u ndarë me mua sikur ta kisha ofenduar…

Megjithatë, ju miqtë dhe mikeshat e mia që kini aplikuar diku për një vend pune, ose prisni të aplikoni, mos i humbni shpresat. Doni t’ju tregoj edhe për një rast tjetër… Një ish-student, me disa gjuhë të huaja aplikoi për një vend pune në një ministri. “Kam biseduar unë me atë të kuadrit – i tha ndërhyrësi. – Do t’ia çosh curriculumin në dorë, vetë sekretares së ministres”. Kështu ndodhi, por në fakt pas një muaji mori vesh se në atë end pune ishte futur një tjetër, madje që vinte nga rrethet… Më e çuditshmja… Currikulim Vitae i saj kishte humbur… Emri i saj nuk figuronte në konkurim… Doni një rast tjetër? Madje edhe me mik, edhe me para. Le që çfarë t’ju tregoj unë raste kur ju, po të doni mund të bëni një konkurs me rastet e shumta që dini nga eksperienca juaj dhe e miqve tuaj. Madje, mund të botohej një libër guines.

Megjithatë, ju miq e mikesha që prisni të hyni në një punë shteti, pasi i kini përmbushur të gjitha kërkesat për një vend pune, mos i humbni shpresat. Më poshtë po ju rendis disa këshilla të tjera, praktike, që t’i kini parasysh… Duke ditur që vendet e punës janë vërtet me kërk dhe përzgjedhja bëhet nga vetë ministrat dhe titullarët e institucioneve, kini parasysh diçka “nëse është ministër, dijeni që kërkesat janë për femra… Në një nga ministritë që njoh unë e që kanë kaluar shumë ministra, secili nga ministrat ka futur sipas shijes së tij preferenciale një duzinë me femra. Ato e kanë joshur me pamjen dhe u kanë rritur shpresat, sa i kanë punësuar, pastaj… Kur ministrat kanë çarë ferrën, ato kanë mbetur nëpër ministri. Dua të them që dhe koketëria në disa raste hyn në punë, sidomos kur titullarët e institucionit janë meshkuj. Nuk jam fort i sigurt dhe nuk kam fakte të di nëse dhe koketëria e meshkujve në disa raste u ka hyrë në punë, në rastet kur titullarët e institucioneve janë femra.

Përsa u përket parave që duhet të jepen nën dorë, dijeni mirë dhe duhet të jeni të sigurt, se ky është një ligj i vjetër, i pashkruar. Madje edhe shuma e parave që duhet të jepet nën dorë është e saksionuar ekzaktësisht, nga specialistë të fushës, sipas vendit dhe rëndësisë së punës… Kam dëgjuar, mos ma merrni për fakt, me të dëgjuar e kam… vendet e punës variojnë nga pesëmijë euro, gjer në pesëqind mijë euro… 250 mijë euro janë për prokurorët. Por ka edhe çmime për shoferë ministrash dhe pastruese, që dëshirojnë të punojnë në shtet… Kam dëgjuar, e kam sigurisht me të dëgjuar, se çmimet e atyre që pretendojnë për t’u punësuar si sekretare shefash nuk janë në para…

Preferohen misse ose modeliste. Pranohen edhe nga ato që kanë marrë pjesë në konkurse bukurie… Për të gjitha profesionet e tjera, kërkesa bëhet me euro, pasi paraja shqiptare nuk ka stabilitet. Mund që dikujt kjo gjë t’i duket çudi? Atëherë le të bëjë një sondash në “Facebook” dhe do të dalin qindra dëshmitarë që do t’i tregojnë për tregun e zi të punësimit në shtetin shqiptar. Mos harroni që kush punon në punë shteti, sidomos ata ose ato me profesion ekonomiste që kanë të bëjnë me tendera… duhet të jenë të kuptueshëm dhe të heshtur. Nëse kërkohet nga shefi i tenderit firma e tyre për të plotësuar komisionin e tenderave të paracaktuar dhe të paravlerësuar, ata duhet ta hedhin pa hezitim. Të tjerat i di shefi… Nëse nuk e plotësojnë këtë kusht, shumë shpejt do ta gjejnë veten jashtë dyerve të institucionit. Ka edhe persona që e bëjnë këtë punë, siç ka persona që kundërshtojnë përkohësisht… Me një fjalë, shteti kërkon të punësojë persona të devotshëm, kokulët e pa fjalë edhe kur shohin që shkelen ligjet e shtetit…

Ka edhe një kërkesë tjetër jo më pak e rëndësishme: bindja politike. E lashë për në fund këtë kërkesë themelore, pasi nuk do shumë mend për t’u kuptuar se, kur janë socialistët në pushtet, pushteti u takon socialistëve… Vetëm ata e ndjejnë veten zot të shtetit. Vetëm ata kanë gojë të ankohen për një punë në institucione, pasi vetëm ata gëzojnë privilegjet e pushtetit. Kjo gjë dihet. Në shtet duhet të punësohen vetëm ata që quhen “tanët”. E pra, e shihni se sa kërkesa dhe labirinte ka për të gjetur një vend pune? Ndaj, ju që nuk keni as miq, as para, madje jeni edhe me bindje të djathta, mos shpresoni për një vend pune, o të pashpresë. Aplikoni për punësim në një shtet tjetër dhe mbathjani nga sytë këmbët, pasi ky pushtet nuk është juaji. Le që ç’tju them dhe unë, gjëra që i dini dhe vetë ju, ndryshe nuk ka se si vitin që shkoi të aplikonin për lotari amerikane jo më pak se 350 mijë të rinj shqiptarë, ndërkohë që aplikimet për punësim në Gjermani, Zvicër e Itali e tejkalojnë shifrën e të gjithë të punësuarve në shtetin shqiptar… /Gsh.al/

Please follow and like us: