Albspirit

Media/News/Publishing

Át Zef Pllumi, mendimtari i lirë dhe Shqipëria e burgosur

 

Ndue Ukaj
Kur e lexoj librin e kujtimeve të Át Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, përpara më shfaqen dy Shqipëri: një që përfaqëson autori i këtyre kujtimeve, i cili, ndonëse në burg e ndër tortura mizore, jetonte i lirë me mendimet e veta, dhe një tjetër e izoluar dhe e burgosur, në të cilën persekutoheshin dhe torturoheshin të gjithë ata që e donin lirinë e vërtetë. E, në vargun e madh, të atyre që e deshën këtë liri dhe sakrifikuan për të, ishte Át Zefi shembullor, dhe një varg klerikësh e laikësh të shkolluar, që atëbotë përbënin elitën më përparimtare të Shqipërisë.

Golgota e rrëfimeve të Át Pllumit e përfshirë në librin monumental, “Rrno vetëm për me tregue”, është historia e kujtimeve personale të autorit, por esencialsht dhe objektivisht, është edhe historia e komunizmit shqiptar, me gjitha tipologjitë dhe ngjarjet që e karakterizuan atë, me fytyrën reale të shëmtisë dhe të egërsisë, me të cilën regjimi brutal e shtypi lirinë e vërtetë njerëzore. Në këtë mënyrë, rrëfimet e tij personale, objektivisht, mbeten referenca të përhershme historike, për të kuptuar të vërtetën e dimrit të egër komunist në Shqipëri.

Át Pllumi i trishtuar, një ditë e lexon në murin e WC-së, ku vuante dënimin absurd: “Un Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet.”
“U tmerrova”, shkruan Pllumi dhe pyet: “A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha? Përgjatë gjithë librit, ku flitet për tema të ndryshme e përshkruhen situata dramatike, lexuesi i kujdesshëm e shtron të njëjtën pyetje me qindra herë.
Përgjatë rrëfimit të kujtimeve të burgut, relacionit të tij me autorë të tjerë, sidomos me sivëllezërit françeskanë, lexuesi ndesh skena makabre: sesi njeriu i gjallë rri i lidhur duar e këmbë tri ditë më të vdekurin, ndesh njeriun uritur e të etur, me minj nëpër trup, me morra në kokë, të përbuzurin, të pushkatuarin, dhe po ashtu, sheh heroin e rrëfimit, Át Pllumin, që asnjëherë nuk u përul dhe nuk hoqi dorë nga bindjet dhe nga natyra e vërtetë njerëzore. Ky është shembull për gjithë. Kjo është figura të cilën duhet ta ndjekin gjithë njerëzit që duan të vihen në shërbim të mirësisë, të drejtësisë dhe humanizmit.

Janë bërë dhjetë vite prej kur i mbylli sytë Áti i mëshirshëm, ndërkohë që, vepra e tij është bërë fanar drite, për të kuptuar mynxyrat e komunizmit. Ai i dhunuar dhe i burgosur, e deshi Shqipërinë dhe lirinë e saj, me plagë në shpirt dhe në trup, edhe pse ajo i dha tmerre, vuajte të pafundme dhe çnjerëzore. Përgjatë disa dekadave, nëpër burgje e kampe llahtarie, ai përjetoi në shpirt e në trup urrejtjen egër të diktaturës enveriste, por gjithmonë predikoi me besim të plotë se “dashnia nuk vendoset me dhunë.” Në këtë mënyrë, ai sot mbetet figurë shembullore- ndërgjegjja e Shqipërisë së lirë- dhe kundërpeshë hyjnore kundruall të keqes.
Át Marin Sirdani, autor i shumë teksteve të çmueshme për kulturën dhe historinë shqiptare, pjesëtar i shkollës françeskane, kësaj shkolle që u bë institucion i emancipimit kombëtar shqiptar, pasi zhvilloi një bisedë me Át Zef Pllumin, në formë urdhërore, i drejtohet atij: “Fra Zef, Un jam sot për sot Superjor: po të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!” Át Zefi nuk iku, por jetoi në burgje, kampe, i përbuzur dhe i torturuar, por asnjëherë nuk iu nënshtrua uraganit të totalitarizmit, që i tjetërsonte njerëzit dhe i bënte vegla të përdorshme të zgjatimit të utopisë së barazisë ndërmjet njerëzve dhe luftës së klasave, në emër të së cilës u bënë krime të shëmtuara. Duke e përshkruar kohën e tij në burg, Át Zef Pllumi thotë: “Unë tanë jetën e kam kalue në burg, por mendimtar i lirë.” Kjo liri e tij, ndërkaq, u mungonte shqiptarëve të tjerë, që kishin pushtetin total, dhe mundësitë për të bërë çka u shkonte në mendje: për të shpifë e trilluar kundër gjithsecilit, për të vrarë dhe për të përbuzë gjithsecilin, e sidomos të dobëtin.

Liria e Át Zeft nuk varej nga prangat ideologjike së urrejtës, por ishte thadruar në ndërgjegjen e formuar me parime njerëzore. Dhe, kjo liri, u bë esencë e veprës së tij madhore, si rrëfim personal i njeriut të përkorë, i cili, për të mos bjerrë shpirtëroren, burgoset, torturohet, poshtërohet, por nuk tjetërsohet. Sepse, liria e ndërgjegjes, është ontologjia e ekzistencës së njeriut që kapërcen ideologjitë, kombet, shtetet, fetë.

Secili që e lexon librin monumental të rrëfimeve “Rrno vetëm për me tregue”, nuk ka sesi të mos përlotet e të mos shtrojë pyetjen që e bënte një shkrimtar i madh, që po ashtu vuajti në kampet e përqendrimit, Primo Livi: “A është, vallë, njeri?”
Secili shqiptar i ndërgjegjshëm, kur lexon kujtimet e Át Pllumti, pyet: a ishte kund njeriu në atë humbëtirë komuniste, ku ndjenjat e dashurisë njerëzore ishin të pakta? Po, secili lexues, pasi të ketë mbyllë së lexuar librin e Át Pllumit, nuk mund të mos e shtrojë edhe një varg pyetjesh tjera, gjithsecila më komplekse se tjetra. Si është e mundur që ne emër të lirisë, një regjim të shtyp dhe ta qet në llogore popullin e vet?
Karakteret e veprës së Át Zefit, janë personazhe të njohura, shumica emra të dalluar të historisë së kulturës shqiptare, ndërkaq, tërësia e veçorive shpirtërore që përfaqësojnë ata rrezatojnë dritë në errësirën komuniste, ku qe katandisë Shqipëria. Në këtë mënyrë, rrëfimet e tij, sot e përherë, mbesin shkollë e dashurisë kundër dhunës, e humanizmit kundër urrejtjes, e mirësisë kundër të keqes, e udhës së drejt kundër paudhësisë.
Pas një dekade në amshim, ne e shohim sesi kujtimet e tij, janë domosdoshmëri për shëndetin kombëtar, porsi ajri, buka e uji. Sepse janë tregime kundër topitjes, batakçinjve, që nuk u pëlqen ndriçimi i udhës së një kombi, janë rrëfime kundër amnezisë historike dhe totalitarizmit të çdo forme.

Por, nga llogoret e një llahtarie të tmerrshme, Át Pllum, nxori rrëfime pa të cilat njohja jonë për atë epoke do të ishte shumë e mangët.

Kujtimet e Át Zefit janë shkollë për jetë e mote, ku ai tregon sesi njeriu, për ta shpëtuar ndërgjegjen dhe lirinë, bëhet mik me ujkun, dhe nuk do të bie në duar të njerëzve që ishin më të këqij se bisha e maleve. Po, Át Zefi në kujtimet e tij tregon sesi një njeri i fshehur në male, lidhi miqësi me ujkun, për të cilin mërzitet shumë kur e vrasin, dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e skemave të tmerrit, që tentonin tjetërsimin e njeriut. Skena e miqësisë së njeriut me ujkun, përbën njërin nga episodet më prekëse dhe më të makthshme të librit të kujtimeve, “Rrno vetëm për me tregue.” Atëbotë, tregon Át Zefi, kur u dëgjua një krisëm në mal, thotë, “mu duk se krisi dishka në zemër”, dhe vazhdon: “Pata një shqetësim. A thue, -thashë me vedi, -ma vranë ujkun tem? Personazhi për të cilin tregon Pllumi, pasi merr vesh të vërtetën për ujkun e vrarë, në dialog me çobanin, i thotë: “ai ujk ishte ma besnik se çdo njeri.”
Kjo përplasje kaq dramatike dhe kaq pazakontë, është filozofia e dy botëve të kundërta që ndeshën në këto kujtime: ajo e urrejtës pafund që regjimi ushtronte kundër njerëzve të vet, dhe po ashtu, e dashurisë pafund që tregonin kundërshtarët e kësaj të keqe për Shqipërinë dhe lirinë e njëmend të saj.

Kujtimet e Át Pllumit farkëtojnë një histori makthi e lirie, ku shprehet fuqia e tërbuar e njeriut që nuk do njeriun, e njeriut që për njeriun është ma pak besnik se ujku, dhe, atij që deri në maksimum lufton për lirinë e njeriut dhe të vendit të vet.
Këto dy botë e përshkojnë librin fund e krye, si refleksione të përplasjes së përhershme mes të mirës e të keqes, dashurisë dhe urrejtës. Në këtë përplase dhe në këtë botë të mbushur me urrejtje, ai në burgje e tortura, i përkorë, nuk u tundua asnjëherë nga joshjet e gjithfarshme, paudhësia, por deri në fund mbeti njeri. Dhe sot, ai na shfaqet si dielli që ndriçon errësirën, pasi një dimri të gjatë e të akullt. Po, ai sot është pasuri e madhe e gjithë atyre që duan të mësojnë të vërtetën për Shqipërinë komuniste dhe relacionet të saj me botën tjetër shqiptare dhe atë të huajën. Ai dhe vepra e tij, po ashtu, janë dëshmi se e keqja, pavarësisht sa e madhe të jetë, një ditë merr fund, dhe prapa mbesin mizoritë: një mësim për breznitë e ardhshme.

A fiton e mira kundruall të keqes? – kjo ndoshta është njëra ndër pyetjet më serioze me të cilat na ballafaqon fund e krye libri i kujtimeve të Át Zefit.
Përballë një aparati të egër e të tërbuar nga urrejtje, përballë një klase politike të paemancipuar, që mbyllte shkolla, revista, institucionet fetare, pushkatonte njerëz, shtypte nacionalizmin e vërtetë në emër të internacionalizmit utopik, sajonte gjithfarë marrëzish në emër të luftës së klasave, vetëm e vetëm që ta degradonte dhe ta poshtëronte njeriun, rrinte frati i urtë dhe regjistronte provat e idhëta të diktaturës, të cilat, pas lirimit, mjeshtërisht i përjetësoi në libër, për t’ia dhanë botës shqiptare dhe asaj të huaj, si dëshmi e përhershme e vuajtjeve të mëdha që shkaktoi komunizmi në Shqipëri.

Atëbotë, shkruan Át Pllumi, politika shqiptare planifikohej në Beograd dhe simbas parimit të komunizmit sllavo-shqiptar: Cartago delende est (Katargjena duhet të shkatërrohet!”) Komunistët shqiptarë donin të shkatërronin çdo gjë që lidhej me traditën dhe vlerat oksidentale, sidomos institucionet e kishës katolike, të inteligjencies shqiptare, dhe gjithë ata që nuk i bënin aminin regjimit çnjerëzor, që si ulkonja i hante bijtë e vet.

Pa dyshim, popujt që e lexojnë një vepër të tillë, e kanë vështirë të katandisen në mizerje morale. Sepse, rrëfimet e tij janë thnegla lirie, që ndërtojnë një diell tjetër mbi Shqipërinë e topitur: diellin e lirisë dhe të pavarësisë.
Át Pllumi mrekullisht shpëtoi nga kthetrat e komunizmit dhe shpëtimi i tij ka një proveniencë hyjnore. Ai është i predestinuar për të rrëfyer dhe për të nxjerrë nga harresa një kohë të pakohë. Dhe kështu, gdhendi fytyrën e egër të enverizmit shqiptar, dhe tregoi forcën rezistuese të një institucioni të madh që ndërtoi Provinca Françeskane në Shqipëri.

Át Zefi, si student, pati fatin të ishte edukuar e këshilluar nga figura të mëdha të kulturës shqiptare dhe nga ta mësoi gjërat të vlefshme. Dhe ato mësime i bëri pjesë të jetës dhe shkrimeve të tij.

Sot, një dekadë pas vdekjes, vepra e tij e vë në sprovë edhe njëherë ndërgjegjen tonë; na ballafaqon edhe njëherë me njeriun, në qenësinë e tij ontologjike.
Libri i kujtimeve “Rrno vetëm për me tregue” është kryevepër kundër totalitarizmit, ndërkaq jeta e autorit, një shëmbëllim i njeriut të mishëruar me humanizmin dhe dashurinë e krishterë- me atë dashuri që kapërcen caqet e çdo doktrine: për paqe e mirësi.
Një dekadë mes nesh, vepra e tij, ndonëse jo në mënyrë të dëshiruar, është bërë tempull i katarzës kombëtare, ku mund të mësojnë, të rrëfehen dhe të pendohen, të gjithë ata që jetuan dhe i shërbyen tmerrit e terrorit komunist. Në këtë vepër, po ashtu, mund të gjejnë prehje shpirtrat e etur për liri, drejtësi e paqe.
Mbi të gjitha, në dhjetë vjetorin e vdekjes së autorit, shoqëria shqiptare, më shumë se para dhjetë vitesh, ka nevojë të rikthejë autorin e madh në tavolinën e punës, që vepra e tij e vlefshme, të bëhet shujtë për shëndetin kulturor dhe politik të shqiptarëve.
Vepra e Át Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue” është vepër kapitale, që me tipologjinë e shkrimit, endet mes memoaristikës dhe historisë, letërsisë dhe filozofisë. Pa dyshim, ajo është vepër unike, e papërsëritshme në historinë e shkrimit, e shkruar me stil të jashtëzakonshëm dhe me një gjuhë kumbuese, ku tregohet fuqia intelektuale e autorit, talenti dhe dija enciklopedike e tij.
Pas një dekade të kalimit në amshim të autorit, ne e kuptojmë se disa libra janë më të vlefshëm se disa të tjerë, dhe se disa kryevepra janë më të dobishme se disa të tjera. “Rrno vetëm për me tregue” mbetet një nga kryeveprat më dridhmuese dhe njëkohësisht më edukuese kundër çdo forme të egër të pushtetit që e sfidon njeriun. Prandaj, sot e përgjithmonë shkruan shkrimtari Ismail Kadare: “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.”
Libri i kujtimeve të Át Zef Pllumit, sot e përherë, mbetet si heshtë që shporon zemrën e egër të komunizmit dhe të dishepujve të tij, që asnjëherë nuk u penduan dhe nuk kërkuan falje, për vuajtët e pafund që u shkaktuan shqiptarëve gjatë errësirës së gjatë komuniste, kur njeriu u degdis dhe u tkurr botën deri në nivel kafshe.

Vepra, “Rrno vetëm për me tregue” është libër autobiografik, që me karakteristikat dhe tipologjinë shkrimore, i përket shkrimeve memoaristike, ku ndeshim një galeri të tërë personazhesh realë të historisë së kulturës shqiptare. Autori, në këtë vepër, me çiltërsi tregon për raportet e tij me personazhet e kohës, me emra dhe mbiemra; tregon për spektaklet që bënte shteti që flinte në krim me drejtësinë, rrëfimet brenda qelive dhe në kampe pune; për Shkodrën dhe dashurinë e madhe të françeskanëve për kulturën shqiptare, si dhe për kulturën e vdekjes që mbillnin komunistët shqiptarë. Këto kujtime janë shkruar me një stil të lartë, me gjuhë të admirueshëm, ku nuk mungojnë metaforat e goditura, stilizimet mahnitëse, dhe një varg cilësish artistike, që këtë vepër e bëjnë kryevepër të historisë së kulturës shqiptare, dhe një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë kundër totalitarizmit.

(Sot është njëmbëdhjetë vjetori i vdekjes së kolosit të historisë së kulturës shqiptare, Át Zef Pllumit. Ky shkrim, është botuar në revistën Hylli i Dritës, Nr 2, 2017, kushtuar dhjetë vjetorit të vdekjes së tij.© N.U)

Please follow and like us: