Çudia shqiptare me projektin “1 miliardë për rindërtim”, por bankat s’kanë dhënë asnjë kacidhe
Pas dy projekteve të mëdha në infrastrukturën shqiptare, qeveria në fillim të këtij viti ka propozuar ndërtimin e autostradës Thumanë – Fushë-Krujë – Kashar, si pjesë e e programit kombëtar “1 miliard për rindërtim”. Autostrada Thumanë – Fushë-Krujë – Kashar, pjesë e korridorit blu, lidh veriun e Shqipërisë dhe Kosovën me aeroportin “Nënë Tereza” dhe portin e Durrësit, me një gjatësi prej 21 kilometrash. Por investimi ka ngecur në procesin e garancisë së kredisë, për të cilën duket se ka një hezitim nga bankat në vend.
Në një intervistë për Televizionin Tema, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, liston disa arsye, mes tyre edhe mungesa e transparencës. Fakti që asnjë bankë tregtare në Shqipëri dhe jashtë nuk mbështet investimin e parave private në infrastrukturën publike përmes programit të shpallur “1 miliard euro”, tregon se këtu mungon së pari transparenca; së dyti eficienca sepse askush nuk di planet e biznesit, përveç biznesmenëve që fitojnë falë lobingjeve politike, përmes ofertës së pakërkuar. Oferta e pakërkuar është një avantazh i krijuar qëllimisht, është oferta më e kërkuar nga bizneset me fitimprurës. Mosbashkëpunimi i bankave është kompromentues për të gjithë programin, thotë Preçi.
Preçi shkon më tej, duke hedhur dyshime se përmes bankave po pastrohen para të pista, ndërsa akuzon qeverinë se po rrit borxhin publik.
“Investime të kësaj natyre janë kontrata, që qeveria duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që vetë ka ndërtuar, ligjin këta e kanë bërë, praktikisht krijon favore të caktuara për lobe të caktuara biznesi. Kjo është klima e përgjithshme. Këtu lulëzon oligarkia. Ka nevojë për më shumë kërkesë llogarie, ka nevojë për projekte fizibiliteti të kryera në mënyrë serioze, që merren në konsideratë. Ka nevojë t’i jepet përgjigje pyetjes që si shpjegohet që në vitet 2000, kur të majtët kanë qenë në pushtet, një km rrugë kushtonte 1 milion euro, kurse sot kushton 12 milionë euro”, shprehet ai.
Sa i takon rrugës Durrës-Kukës, eksperti i ekonomisë mbështet kërkesën e shoqatës së transportit rrugor të udhëtarëve të Kosovës për reduktim të taksës. Preçi shprehet kundër tarifave të njëanshme.
Preçi ka bërë thirrje për një marrëveshje mbështetëse me FMN-në, për të mbrojtur vendin nga borxhe të tilla.