Albspirit

Media/News/Publishing

Oficeri i policisë: Më vendosën pistoletën në kokë në sy të Ballës

Një ngjarje e paprecedent është raportuar sot në media. Ish-oficeri i policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu ka rrëfyer se i kanë vendosur pistoletën në kokë në prezencë të Taulant Ballës (kryetar i grupit të PS), Artur Bushit (kryetar bashkie Krujë) dhe Rrahman Rrajës (deputet i PS, Krujë).

Tre zyrtarët e lartë kanë hyrë në zyrën e oficerit të policisë për ta detyruar të lirojë Rexhep Rrajën, i cili është djali i deputetit të PS, Rrahman Rraja. Djali i deputetit akuzohet se ka përdhunuar shtetasen Xhensila Maloku nga Nikla e Krujës.

Emiljano Nuhu, me gradë nënkomisar deklaroi se ngjarja ka ndodhur më 21 korrik 2018, pasi kishte marrë në pyetje djalin e deputetit Rraja. Zyrtarët në fjalë i kanë shkuar në zyrë dhe në prezencë të tyre, vëllai i deputetit i ka vendosur pistoletën në kokë.

Ekeftivi tregon se deputeti socialist Rraja e ka kërcënuar: “Nuk ke shanse të arrestosh djalin tim, nuk del gjallë që ketu”.

Në pjesën e dytë të intervistës për Shijak TV, oficeri Emiljano Nuhu rrëfen se grupet kriminale janë ato që vendosin për emërimet në policinë e shtetit ndërsa akuzon deputetin Taulant Balla si të lidhur drejtpërdrejt me një grup kriminal në Elbasan. “Taulant Balla mori 3 mln euro në fushatë elektorale nga një grup kriminal”, tha ai.

Pjesë nga rrëfimi i nënkomisarit Emiljano Nuhu për gazetarin Basir Collaku:

EMILIANO NUHU: Kjo shtetase ka shkuar në disa komisariate për të bërë kallëzim por nuk është marrë kallëzimi nga oficerët e policisë gjyqësore për shkak të ndikimit dhe influencës së madhe që ka pasur babai i tij, Rrahman Rraja që është deputeti i Partisë Socialiste në zonën e Krujës dhe miqve të tij si Taulant Balla dhe Artur Bushi.
Shtetasja Xhensila Maloku para Vitit të Ri ka shkuar për të bërë kallëzim në komisariatin nr 6 në Tiranë për djalin e deputetit.

Gazetari: Dhe i komunikuat që do të ndalohej dhe të njoftonte avokatin

Emiljano Nuhu: Po, i kam komunikuar që ti sot do të arrestohesh për këto vepra penale dhe do të njoftosh avokatin. Në rregull më tha. Kam marrë në telefon babain e tij, shtetasin Rrahman Rrahja ku I kam thënë hajde në stacionin e policisë në Fushë Krujë se kam një problem. Për rreth 30 minuta ka ardhur aty prezent babai i tij te zyra ime Rrahmani i cili është deputet i Partisë Socialiste i shoqëruar nga kryetari bashkisë Artur Bushi, i shoqëruar nga deputeti Taulant Balla që është kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i shoqëruar nga vëllai i tij Xhelal Rrahja.

Gazetari: Në cilën datë kanë ardhur…

Emiljano Nuhu: Ata kanë ardhur në datën 21 korrik të vitit 2018 rreth orës 19:30 në zyrën time.

Gazetari: Pra kanë ardhur këta persona që ju përmendët?

Emiljano Nuhu: Po, personat që përmenda më sipër.

Gazetari: Balla dhe Bushi përse erdhën. Mirë babai i deputetit?

Emiljano Nuhu: Nuk e di ishin aty shumë shpejt, janë shumë miq, kanë lidhje miqësore shumë të ngushtë me deputetin e Krujës. Erdhën në zyrën time, nuk kam arritur ta mësoj se si erdhën aq shpejt në zyrën time.

Gazetari: A mund të futeshin në zyrën tuaj persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen?

Emiljano Nuhu: Ata ishin persona me imunitet dhe janë njohur nga punonjësit e policisë në ambientet e jashtme dhe kanë hyrë pa thënë asnjë … ata nuk kanë nevojë për urdhër …

Gazetari: Mund të hyjnë në zyrën tuaj këta persona?

Emiljano Nuhu: Ligjërisht ata ndalohen, personat që s’kanë dijeni për veprën penale kur oficeri i policisë gjyqësore nuk i thërret, por imuniteti dhe fuqia që kanë ata nuk kanë nevojë për urdhër për të hyrë në zyrën time.

Gazetari: E kuptoj. Erdhën këta persona, po persona të tjerë që i shoqëronin kishte?

Emiljano Nuhu: Kishte nja 10 persona që i shoqëronin, këta qëndruan në ambientet e poshtme të korridorit të komisariatit, të stacionit të policisë së Fushë Krujës se quhet stacion, jo komisariat.

Gazetari: Po këta persona çfarë ishin, ketë të 10 që e shoqëronin?

Emiljano Nuhu: Nga informacioni që mora nga punonjësit e policisë që i njihnin si elementë me precedentë kriminalë të zonës të një grupi kriminalë shumë të fuqishëm në zonën e Niklës. Këta qëndruan në ambientet e stacionit, nuk u futën në zyrë, vetëm personat e lartpërmendur u futën në zyrë. Gjatë kohës që u futën këta unë isha në zyrë me shtetasin Rexhep Rrahja, ishin dy punonjësit e patrullës së përgjithshme me uniformë. Dhe në momentin që këta persona kanë hyrë, Rrahman Rrahja u ka thënë punonjësve të policisë dilni jashtë se kemi ne punë në zyrë. Unë kam ndërhyrë dhe i kam thënë që nuk pse të dalin punonjësit e policisë jashtë, të flasin në prezencën e tyre. Ua ka bërë me shenjë punonjësve të policisë dhe punonjësit e policisë nuk kanë reaguar dhe kanë dalë përjashta për shkak të influencës që ka ai.

Gazetari: Ata janë larguar dhe në zyrë mbetët ju, 2 deputetët dhe kryebashkiaku i Krujës?

Emiljano Nuhu: Po, edhe vëllai i deputetit Xhelal Rrahja.

Gazetari: Nuk kishit eprorët tuaj në zyrë?

Emiljano Nuhu: jo jo. Për fat të keq atë ditë ishte e shtunë dhe i vetmi që ishte në zyrë isha unë I gatshëm nga oficerët isha në drejtim punonjës të tjerë. Shumica kanë qenë me leje për shkak të muajit korrik dhe të gjithë ishin vetëm nga telefoni kontakti me eprorët.

Gazetari: Çfarë ndodhi pasi ngelët vetëm në zyrë?

Emiljano Nuhu: Pasi ngelëm vetëm në zyrë, unë i komunikova Rrahmanit, i thashë që djali juaj do të arrestohet për shkak se është kallëzuar nga shtetësja Xhensila Maloku dhe akuzohet për disa vepra penale. Aty u hodh dhe më tha: nuk ke shanse të arrestosh djalin tim. Gjatë kësaj kohe hidhet dhe flet shtetasi Xhelal Rrahja i cili është i vëllai dhe më thotë: Nuk ke shanse ta arrestosh, nuk del i gjallë nga zyra…

Gazetari: Ju thotë juve?

Emiljano Nuhu: Po. Po. Nuk del i gjallë nga zyra në qoftëse ti arreston nipin tim. Une i gjendur në këto kushte i thashë kam marrë urdhër nga prokurorja ta arrestoj në të kundërt shkoj unë në burg. Me të thënë këtë fjalë ai është irrituar jashtë mase, ka kapur nipin për krahu dhe i ka thënë dil përjashta. Në këtë moment unë kam ndërhyrë dhe i kam thënë prit të flas me prokuroren dhe pastaj merre dhe nxirre përjashta. Në këto momente ka nxjerrë një pistoletë dhe ma ka vënë në kokë dhe më ka thënë hiqi duart dhe s’do flasësh me asnjë njeri në telefon dhe këto gjëra do të mbeten vetëm këtu në zyrë përkundrazi do të zhduk.

Gazetari: Në prani të këtyre të tjerëve që ne përmendëm?

Emiljano Nuhu: Në prani të vëllait të tij, Rrahman Rraja, deputetit Taulant Balla, dhe kryetarit të bashkisë, Artur Bushi. Këta me ironi I kanë thënë hiqe pistoletën nga koka e oficerit se është djali i mirë oficeri nuk i bën ato gabime.

Gazetari: Kush e tha këtë?

Emiljano Nuhu: Njëkohësisht e tha Taulanti me Arturin në qetësi absolute. E thanë, nuk ishin as të irrituar, asgjë. I irrituar vetëm me kërcënime ishte Xhelali, vëllai i deputetit i cili nxori armën. Në këto kushte e hoqi pistoletën e futi në brez dhe tha e mbyllëm këtë muhabet këtu dhe do të ngelet këtu askund tjetër në asnjë moment nuk do të hapet se çfarë ndodhi këtu se ti ke …

Gazetari: Xhelali armën me leje apo pa leje e kishte?

Emiljano Nuhu: E kishte pa leje. Edhe djali e kishte pa leje gjatë kohës që ishte në zyrë dhe këtë e deklaron edhe shtetësja e dëmtuar gjatë kohës që i është ushtruar presion në zyrën e oficerit tjetër. Dhe në këto kushta këta dolën nga zyra ime, e morën dhe unë ngela i vetëm nuk dija çfarë të bëja.

Gazetari: Edhe të akuzuarin e morën me vete?

Emiljano Nuhu: Po, po. Unë ngela i vetëm, nuk kisha çfarë të bëja kundër atyre personave. E vetmja rrugë ligjore që kisha unë ishte të njoftoja eprorët e mi dhe prokuroren.

PJESA E DYTE:

EMILIANO NUHU: Ky grup kriminal shumë i fuqishëm në zonën e Elbasanit, drejtohet dhe mbështetet nga Taulant Balla.

GAZETARI: Këtë e keni për shkak të punës?

EMILIANO NUHU: Për shkak të punës i kam mësuar dhe dua ta tregoj me detaje këtë pjesë. Kur Policia e Shtetit në vitin 2017, Drejtoria e Elbasanit, ka shoqëruar dy persona me precedentë kriminalë të theksuar në zonën e Elbasanit, nuk dua t’i përmend me emra. Në makinën e policisë, këta persona kanë marrë Taulant Ballën dhe i kanë thënë “Ç’na ke sjellë këta policë këtu që na hapin punë?” Dhe mbas disa ditësh nga drejtori i Policisë vendore të Qarkut Elbasan, te shefat e sektorit, te zëvendësdrejtori, rreth njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë oficera, janë liruar direkt nga policia e shtetit.

GAZETARI: Pra listën që u dhanë personat e inkriminuar, deputetë të nderuar e ekzekutuan?

EMILIANO NUHU: Gjithë listën që e kërkoi krimi i organizuar, e zbatoi direkt deputeti Taulant Balla. Me fuqinë e vetë si deputet në rrugë institucionale, i shkarkoi.

GAZETARI: Përdori pushtetin e tij që të gjithë e njohim, për të..

EMILIANO NUHU: Për të çuar në krye të policisë ose në drejtimin e policive lokale, oficera që do grupi kriminal i zonës.

GAZETARI: Pra janë këta grupe që vendosin emërimet e oficerëve?

EMILIANO NUHU: Këta grupe në të gjithë Shqipërinë vendosin emërimet e oficerave të policisë, oficerave madhore, për shkak që të mos të hetohen dhe ta kenë çdo gjë nën kontroll.

GAZETARI: Për shkak të detyrës pra, informacionin që ju e keni, mendoni që këto grupe kriminale i kanë lidhjet e tyre për të vendosur në polici njerëzit e tyre siç është rasti i Elbasanit, siç është rasti i Krujës? Këta përdorin ndikimet e tyre politike dhe bëjnë emërime?

EMILIANO NUHU: Kjo tashmë është e provuar dhe i kanë dhënë provat që grupet kriminale kanë autoritetin për të vendosur drejtuesit e policisë dhe për të vendosur deputetët në Parlamentin e Shqipërisë. Ku në një përgjim telefonik i grupit kriminal në zonën e Elbasanit i kanë thënë Taulant Ballës që “Të kemi dhënë për fushatë 3 milionë euro dhe duhet të na i kthesh urgjentisht!” dhe ka vajtur i ka takuar. Këto janë edhe në raportet e vëzhgimit që ka Policia e Shtetit.

GAZETARI: Sa milionë euro i kishin dhënë?

EMILIANO NUHU: 3 milionë euro i kanë dhënë për fushatën e tij të 2017.

GAZETARI: Kishte investuar?

EMILIANO NUHU: Po.

GAZETARI: Dhe tani kërkonte bakshishin, kërkonte..?

EMILIANO NUHU: Kërkonte rikthimin e lekëve në mënyra të tjera.

GAZETARI: Dhe këta janë pjesë përgjimesh, pjesë e punës hetimore që është e dokumentuar besoj diku?

EMILIANO NUHU: Këto ndodhen në dosjet që janë krijuar për këto grupe kriminale në drejtoritë përkatëse por është e pamundur që të çohen para drejtësisë.

GAZETARI: E pamundur sepse?

EMILIANO NUHU: Për shkak të influencës që kanë, për shkak se mbështeten nga deputetët ose nga ministrat. Unë kam shumë informacione për grupet kriminale që kanë veprimtari të theksuar në zona ku kanë mbështetje ose të deputetëve ose të ministrit. Por nuk mund t’i them në media nëse do të më kërkohet. Do t’i them para organeve të drejtësisë por në media nuk mund t’i them.

GAZETARI: Të ministrit aktual apo të ministrit të mëparshëm?

EMILIANO NUHU: Të ministrit aktual dhe të deputetëve. Në çdo zonë. T’i them me emra çdo zonë, çdo grup kriminal dhe kë kanë mbështetje të deputetëve ose të ministrit.

GAZETARI: Pra është qarku i mbyllur me deputetë e ministra, i kanë caktuar? Emiliano, a kemi një grup parlamentar paralel në këtë mënyrë?

EMILIANO NUHU: Grupi parlamentar që i mbron ligjërisht nga Kuvendi dhe grupi tjetër që vepron në terren.

GAZETARI: Këto janë Parlamenti, këto grupe kriminale në terren.

EMILIANO NUHU: 70% e deputetëve, nga informacionet e mia, janë të lidhur me grupet kriminale. Vetëm kështu mund t’i marrin votat. Është e pamundur në mënyrë tjetër.

GAZETARI: Dhe ata pastaj vendosin se për çfarë u kanë shërbyer paratë dhe ndajnë mendjen?

EMILIANO NUHU: Kërkojnë t’i rikthejnë mbrapsht, t’i 10-fishojnë ato para.

GAZETARI: Nga puna juaj në të gjithë vendin, mund të themi se grupet kriminale kanë fituar terren ndjeshëm ndaj policisë?

EMILIANO NUHU: Kjo është e vërtetë që kanë fituar terren ndjeshëm, që ata i emërojnë drejtuesit e policisë. Normalisht që i kanë nën kontroll, çfarë thotë grupi kriminal bën grupi i policisë lokale. Dhe disa grupe kriminale që janë bërë mediatike që janë goditur, hetimet kanë ardhur nga shtetet e Bashkimit Evropian, nuk ka bërë hetime policia shqiptare. Policia shqiptare ka bërë vetëm ekzekutimin e urdhërave ndërkombëtare.

GAZETARI: Vetëm në rastet kur policitë e BE kanë marrë pjesë në operacione, vetëm atëherë nuk kanë pasur mundësi këta që të mos veprojnë?

EMILIANO NUHU: Po, nuk kanë pasur mundësi dhe janë detyruar të veprojnë. Kanë bërë edhe rrjedhje informacioni kur kanë pasur interesa të mëdha, duke mos i arrestuar.

GAZETARI: Në rastin e trafiqeve për shembull?

EMILIANO NUHU: Në rastin e trafiqeve ndërkombëtare të drogërave, të armëve, trafiqeve të qenieve njerëzore që kanë goxha të ardhura.

GAZETARI: Në këto raste, sipas asaj që ju keni dokumentuar, ka pas dekonspirime jo të pakëta?

EMILIANO NUHU: Ka pasur dekonspirime nga pala jonë për t’i dhënë mundësi pjesëtarëve të grupeve kriminale të largohen që të mos të arrestohen.

GAZETARI: Jeni larguar tashmë nga Shqipëria pas këtyre kanosjeve dhe mendoni se për gjithë atë punë që keni bërë këtu, ndjeheni i braktisur dhe i kërcënuar njëkohësisht.

EMILIANO NUHU: Kam 10 vjet në Policinë e Shtetit dhe nga këto, 6 vjet kam në sektorin e agjentëve të mbulimit të infiltruar, ku kam bërë shumë operacione si agjent i infiltruar dhe kam goditur shumë grupe kriminale.

GAZETARI: Këto janë momente delikate dhe ekspozimi ndaj grupeve është me risk. Titullarët e policisë e Policisë së Shtetit nuk gjenden në shërbim të ligjit, nga ajo çfarë ju keni përjetuar tashmë? I shihni më shumë në shërbim të këtyre kanosësve dhe kërcënuesve?

EMILIANO NUHU: Në shërbim të punonjësve të dëmtuar apo të kërcënuar siç jam unë, nuk gjenden drejtuesit e policisë, por duan t’i mbyllin gjërat privatisht me politikën.

GAZETARI: Ka një moment Emiliano. Ju keni bërë një dosje që acaroi për shkak të ndikimeve. Mendoni se tashmë fati i kësaj dosjeje është i humbur?

EMILIANO NUHU: Kjo dosje me numër 372 ndodhet në Prokurorinë e Krujës. Nuk e di si po vazhdojnë hetimet por është regjistruar si proçedim. Mund t’i zhdukin provat, mund t’i mbulojnë por proçedimi është i regjistruar. Paralelisht është regjistruar edhe një dosje që ka ardhur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Prokurorinë e Krujës që vërteton këto çfarë thashë unë në lidhje me ngjarjen.

GAZETARI: Po kallëzimi juaj?

EMILIANO NUHU: Kallëzimi im është në Prokurorinë e Tiranës. Është regjistruar mbasi ka pas tentativa që të mos të referohej fare në Prokurori. Por në datën 1 gusht ka dalë në media dhe në portale që unë jam kërcënuar me jetë dhe e gjendur në këto kushte, policia e Komisariatit nr. 6 ka qenë e detyruar dhe e ka referuar rastin në Prokurori.

GAZETARI: Po kallëzuesja, nëse keni hetuar apo investiguar ju, a mendoni se është e kërcënuar sërish dhe rezikshmëria është më e lartë?

EMILIANO NUHU: Ajo vazhdon të jetë e kërcënuar sepse është pa mbështetje nga familja. Është pa baba, jeton vetëm me nënën dhe jeton në afërsi me zonën e Niklës dhe kërcënohet gjatë gjithë kohës nga këta persona. Kanoset, rrihet në çdo kohë dhe nuk i ofron asnjëri mbrojtje, në këtë rast nuk kanë për t’i ofruar mbrojtje.

GAZETARI: Ata nuk ju ofruan mbrojtje juve si oficer policie, jo më një denoncueseje..

EMILIANO NUHU: Është normale, jo më t’i ofrojnë asaj.

GAZETARI: A mendoni se jeni më të sigurtë atje dhe e keni vështirë pa u larguar ky grup aksioner i përbashkët me krimin në polici?

EMILIANO NUHU: Unë këtu ku ndodhem jam i sigurt, po aty nuk mund të kthehem pa u shfarosur këta grupe kriminale se jam shumë në rrezikuar. Janë grupe kriminale shumë të fuqishme me përkrahje politike dhe ekonomike të fuqishme.

GAZETARI: Pra janë grupe me shumë pasuri, me shumë pushtet, me shumë krim brenda, edhe me vrasës?

EMILIANO NUHU: Po.

GAZETARI: Atëherë, të paktën t’u përcillje një mesazh drejtuesve të Policisë apo ministrit të Brendshëm që kjo ‘Forca e Ligjit’ na trumbetohet sikur po bën namin.

EMILIANO NUHU: Mesazhi që mund t’i përcjellë është që ata pak oficerë të ndershëm që punojnë të mos t’i katandisë siç më katandisi mua. Ky është mesazhi!

GAZETARI: Beson tek ajo që thotë ministri i Brendshëm tek ‘Forca e Ligjit’ që thotë se “Kemi identifikuar 40 banda dhe nuk i quajmë të 40 përtej hekurave.”

EMILIANO NUHU: Faktet flasin ndryshe që ‘Forca e Ligjit’ nuk po godet asnjë grup kriminal. Thjesht janë të identifikuar si grupe kriminale po s’po goditen.

GAZETARI: Ndërkohë që informacionet për to janë dmth?

EMILIANO NUHU: Grupet kriminale janë të identifikuar nga agjensitë ligjzbatuese të huaja por ‘Forca e Ligjit’ nuk po vepron, nuk po arrin dot t’i godasë. Thjesht bëjnë propagandë në televizor për të informuar njerëzit që nuk arrijnë ta kuptojnë.

GAZETARI: Po a mendoni se policia e vendeve të BE që merr pjesë bashkërisht në operacione, mund të ndikojë që të goditen disa grupe?

EMILIANO NUHU: Nuk jam unë personi kompetent për të dhënë një shpjegim të tillë. Ka të tjerë të cilëve mund t’u kërkosh një informacion të tillë. Unë jam një oficer i Policisë Gjyqësore i nivelit të mesëm, nuk jam drejtues.

GAZETARI: I cili do ta bëjë punën ndershmërisht dhe nuk e lënë?

EMILIANO NUHU: Është e pamundur të zbatosh ligjin.

GAZETARI: Emiliano, unë besoj se kemi ezauruar pyetjet dhe gjërat dhe ndërkohë besoj që do shkëmbejmë edhe dokumentacionet që i kemi dhe shkresat e nevojshme.

EMILIANO NUHU: Do t’ju vë në dispozicion gjithçka kam për të provuar atë që kam thënë. I kam me dokumenta të gjitha.

Please follow and like us: