Albspirit

Media/News/Publishing

Poetë botërorë nën shqipërimin e Arqile Garos

Image result for Artur Rembo

 

Artur Rembo: ANIJA E DEHUR

 

 

Tek po lundroja mengadalë lumit që ish qetuar,

bëja sehir ca renegatë, ca karagjozë për hall:

Që nëpër hunj shumëngjyrëshe i kishin të gozhduar,

dhe merrnin shenjë lekurëkuqtë drejt e në mish të gjallë.

 

I lirë tashmë, pa ekuipazh, pa mall, pa marinarët,

me grurë flamand e stof anglez ngarkuar në hambar.

Sa përfundoi kjo aventurë e ndyrë me tradhtarët,

mora vendim që nëpër lumë të bridhja mbrapsht e mbarë.

 

Ku rreh batica egërsisht, nga vorbullat qarkuar,

në shkulmet ngricë e akullnajë u krodha si fëmijë,

shqiten gadishujt tutje, larg, si ledhe të mërguar,

mbushur pasion triumfator që hiç nuk do t’ ja dijë.

 

Zgjimet e mia i bekon veç era dhe stuhia,

mbi dallgë lëkundem lart e poshtë a thua jam sfungar,

si kur të mbyturit pluskojnë çdokush në punë të tija,

netë pa mbarim e plot llahtarë, pa busull e pa far.

 

Siç, kur kafshon një mollë të sertë shpërthen lëngu furishëm,

dhe uj’ i blertë dërrasave prej bredhi gurgullon.

Të vjella e njolla vere lan me vrullin e rrëmbyeshëm

dhe unë luftoj me tërë fuqinë mbërthyer mbi timon.

 

E që atëherë i lumtur bredh mes Poezisë së detit,

shtëllungë bardhoshe e yjeve që rreth e qark vibrojnë,

në faunën e pafundësisë notoj në mes rrëmetit,

mbytem mes ëndërrimeve, enigma vezullojnë.

 

Aty ku ngjyhet në ngjyrë blu delir’ i mrekulluar,

nën ritmet e rrëqethëshme të ditës që shkëlqen,

më dehës se alkooli vetë, nga lira më e shquar,

ku vlon e kuq’ e erosit, farmak që shkon e s’ vjen.

 

Gëzova qiejt ndën rrufe, me vetëtimë qëndisur,

stuhitë e detit gjithë tërbim, mbrëmjes, tek perëndon,

agime të harbuara në krahë pëllumbash stisur,

dhe pashë ato që asnjë njeri dot nuk i fantazon.

 

Pashë diellin ulur pajdash, njollat e tij mistike,

me flokë rreze – praruara që ndrijnë në mjegullnajë,

porsi aktor që vjen nga larg, nga lashtësitë tragjike,

me hapat që i dallgëzojnë tek shkon tutje, në pllajë.

 

Shijova natën gjithë blerim nën bardhësinë e borës,

dhe putha sytë e errëta të detit thellë n’ humnerë,

ku rreh pasioni në damarë e ngjizet dora – dorës,

një zgjim verdhan fosforeshent i ndritur si ylber.

 

Muaj të tërë dëgjoja që: si buajt e nahijes,

dallgët hungërijnë edhe kafshojnë një ishull koralor,

dhe nuk besoja kurrsesi se këmbët e Marijes,

kishin pushtet të bënin zap vrullin oqeanor.

 

Oh! Florida në ngjyra larë, pejsazhe ekzotike,

nga kokën ngrenë me sy pantere lulet dhe vështrojnë,

ylberët varin pellgjeve reflekse enigmatike,

porsi litarë në një kope dallgësh që udhëtojnë.

 

Pashë në moçalet e pa fund kurthe me erë të rëndë,

ku kalbej Leviathan’* i gjorë mes pirgjeve me zhukë,

erën e marrë që mbi liqen ngrinte bunacën pendë,

tymnajën katarakteve të lehtë porsi pambuk.

 

Male me akuj të argjendtë që ndrijnë si rreze drite,

gjinj grabitqarë ku veç pluskojnë skeletë anijesh thyer,

gjarpërinj gjigandë që i sulmojnë insektet parazite,

rrëshqasin degëve tëposhtë, bien lëkurë gërryer.

 

Pashë dhe diçka që me gjithë qejf fëmijëve do t’ ua thoja,

peshq pendë – artë përkundeshin mbi valët në lundrim,

ngjanin mbi shkumën si vegim prej lulesh ndër sheboja,

dhe ndjeja se dhe unë me ta ngrihesha fluturim.

 

Më ndodhte shpesh që lodhesha me polet, koordinatat,

atëherë vetë dallgët zbuteshin kundroja thellësinë,

prej nga bahçetë e errëta të mbjella nga shtërngatat,

m’ ofronin lule plot aromë, zambakë e trendelinë.

 

Zogj të shëmtuar, grabitqarë që çirren mbi pëlhura,

me sy të turbullt, vëngarashë që zorrët të trazojnë,

dhe plot të mbytur të pastrehë gëlojnë aty ndër ura,

bien për gjumë hambarëve, grinden dhe ëndërrojnë.

 

Në cektësinë e gjirëve s’ më mbajnë dot tentakulat,

pse uragani më degdis në qiejt pa lejlekë,

skeletin tim bërë tapë në kripë nuk do ta gjejnë kësulat

që ngasin jahte Monitor e Hansen pa direkë.

 

 

Si tym i lehtë po fluturoj mbi mjegullën kaluar,

shpërthej çatinë e qiellit, kulmin hemisferik,

mbaj për poetët një dhuratë të ëmbël, të bekuar,

lotë që më rrjedhin faqeve me ngashërim epik.

 

Rendja në një aureolë shkëndijash i qarkuar,

thellë oqeani uturin si hipokamp i zi.

Korriku me topuz rrënon kupolën i tërbuar,

dhe ferri në mes flakëve gulçonte me furi.

 

Shtang i tmerruar dhe në sy më ngrin një lot i shuar,

kur Behemuthi* zë gërhet, Maelstromi*, një mallkim,

unë i përjetshmi pelegrin me udhën dashuruar,

nis për Europën e ndjej mall, dhe qaj me pikëllim.

 

Pashë yllësitë n’ arkipelag dhe ishuj me livadhe,

që si pejsazhe mjeshtërorë ngjanin pafundësisht,

netë romantike që ofrojnë mistere punë e madhe,

dhe tufa zogjsh që flatërzojnë në t’ ardhmën madhërisht.

 

Oh, sa trishtim! Agimet janë burim’ i pikëllimit,

diell idhnak dhe hëna ngjan sikur pikon farmak,

erosi që në shpirt gulçon, vajton prej dëshpërimit,

në djall karena le të vejë, të mbytem e kam hak!

 

Malli më merr për ty Europë, për dallgën e bekuar,

rri të sodis nga bregu lart në gjysmë perëndim,

siç një fëmijë rri e vështron tërë frikë, i ngazëlluar,

anijezën që lodërzon si flutur gjithë shkëlqim.

 

Nuk e duroj më plogështinë dallgëve dorëzuar,

nuk do shkoj pas varganëve ngarkuar me pambuk,

as nën flamujt plotngjyrëshe ndër kombe të lëvduar,

vështrimit të pontonëve* të egërsuar?!… Nuk!

 

Leviathan* – dragua biblik që jeton në ujë.

Behemuthi* – kuçedër mitologjike që ka pamjen e një hippopotami në përmasa gjigande.

Maelstromi* – stuhi e tmerrshme detare që shkaktohet nga zbatica.
ponton* – varkë e sheshtë që drejtohet me një rrem, kanoe, kajak.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, qershor 2018.

 

 

Image result for Edgar Allan Poe

 

Edgar Alan Poe: ANNABEL LI

 

 

Shumë vite e shumë kohë më parë,

në një bregdet gjithë bukuri,

një vajzë na ish porsi lastar,

emrin e kish Annabel Li,

më dashuronte si e marrë,

e doja unë me çmenduri.

E vogël ish e unë fëmijë,

n’ atë bregdet plot bukuri,

por duheshim sa për njëmijë,

unë dhe e imja Annabel Li

vetë Zoti me ëngjëjt e tij,

lakmonin atë dashuri.

 

Them për këtë, me siguri,

n’ atë të bukurin bregdet,

fryu një erë e një stuhi,

një re e zezë, një kiamet,

fisniken time Annabel Li,

ma mbyllën thellë në varr të shkretë,

mbeta i vetëm në vetmi,

n’ atë shkreti, n’ atë bregdet.

 

Ëngjëjt nga qiejt na vunë synë

edhe zilinë s’ e fshehën dot,

erdhën ma morën dashurinë,

n’ atë bregdet njomur me lot,

dërguan ngricë e suferinë,

e më lanë vetëm përmbi botë.

 

Veç ishte dashuria jonë,

si asnjë tjetër dashuri,

mbi tokë s’ e kishte parë njeri,

ndaj serafimët qiellorë,

tok me demonin më të zi,

s’ ma shqitën dot nga shpirt’ i gjorë,

të bukurën Annabel Li.

 

Pse hënë e zbehtë më vjen në gjumë,

në ëndërr, si Annabel Li

dhe yjet e ndriçojnë më shumë,

të bukurën Annabel Li.

 

Ndaj unë kaloj netët i shtrirë

pranë vajzës sime në rrëpirë,

pranë varrit që deti e lan,

ku dallga vjen, shpërthen dhe qan.

 

 

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, maj 2018.

 

Image result for Fridrih fon Shiler

 

 

Fridrih fon Shiler: DORASHKA

 

 

Në parkun e tij me luanë gjakësorë,

në pritje të ndeshjes, me skeptër në dorë,

ish ulur perandori Franc.

Pranë tij, trashëgimtari i fronit,

oborrtarë, në shkallët e ballkonit,

zonja përreth, gjithë elegancë.

 

Shenjën e fillimit Perandori dha,

u hap derë e hekurt me krisëm hata,

me hapin e rëndë, madhështor,

një luan u shfaq në oborr.

Hijerëndë, dinjitoz e serioz,

pak kurioz,

hodhi rreth e qark një vështrim,

gjithë përtim,

shkundi krifën e tij gjithë bezdi,

gromësiu dhe u shtri.

 

Perandori jep shenjë dhe njëherë,

kërciti sërish e hekurta derë,

dhe një tigër

u shfaq befasisht.

Hedh vëngër një sy

nga luani gjithë frikë

hungërin butësisht,

rreh ijet me bisht,

zbulon dhëmbët e mprehta si thikë.

I qaset luanit e vjen rrotull tij,

a thua se bluan

që mendjen t’ ia dijë,

pret pak se mos ngrihet,

nxjerr gjuhën, lëpihet,

e sheh që nuk luan,

pranë tij shkon e shtrihet.

 

Perandori jep shenjën për herën e tretë,

dhe shfaqen n’ arenë dy pantera krenare,

egërsira fine, kafshë gjakatare,

kërcejnë ato bisha me hapin e lehtë.

Tigrit i afrohen.

Kjo e fundit ngrë putrën e rëndë,

luani skërmitet,

të ngrihet gatitet,

si mbreti vrastar,

i çmendur, i marrë,

tulaten panterat dhe shtrihen nën tendë.

 

E ndërsa publiku pret të shohë spektakël,

një dorashkë e bardhë, e lehtë si një ashkël,

bie mes luanit dhe tigrit si fletë,

aty pret.

 

Kalorësin Delorzh me shpoti shikon zonja,

buzëqeshja dinake shpërfaqet me hov:

“Delorzh, miku im, sa shumë do të donja,

betimet e tua t’ i vija në provë.

Në më do siç përgjërohesh,

ti, fisnik që kurrë s’ ankohesh,

kthemë dorashkën, pa… do shohësh”.

 

Nuk foli Delorzhi por veçse u nis

të hyjë në arenë i mbushur guxim,

ndër bishat kalon, përkulet e merr,

dhe kthehet i qetë pa tutje*, pa tmerr,

drejt zonjës fisnike që mbeti pa frymë.

 

 

E ndjen admirimin shkallëve tek ngjitet,

i dëgjon lëvdatat, thirrjet, brohoritjet!

I thonë që s’ njeh frikën, që është trim i marrë,

me dorashkë në dorë turmës do kalojë,

në këmbë e pret tjetra që ta përqafojë,

t’ i thotë sa e do, sa është i paparë…

 

Ndalon para saj, e sheh drejt në sy,

dhe ja hedh dorashkën mu përmbi fytyrë.

“Zonjë, nuk paski qënë veç një zuskë e ndyrë

dhe shpërblim nuk pres kurrsesi nga ty!”

 

tutje* (djalektore) – frikë

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, qershor 2018.

 

Image result for robert berns

Robert Bërns: VASHËZA QË MË SHTROI JATAK

 

 

Rrugës malore seç u err,

dëbora dëndur binte,

një erë e ftohtë, kallkan e tmerr,

e rreth e rrotull nxinte.

 

Por fati nuk më la në baltë,

një vashëz më dërgoi,

që me një zë të ëmbël mjaltë,

në kthinë të saj më ftoi.

 

Thellë u përula para saj,

falenderova gjithë merak,

prapë u përula para saj,

iu luta të më shtrojë jatak.

 

Më çoi në një krevat të gjerë,

më hapi një çarçaf bardhosh,

në buzë afroi një gotë me verë,

më tha: – “Natën e mirë djalosh!”

 

Kori – një vashë më shtroi krevat,

jatak më shtroi me gjithë dëshirë,

s’ do ta harroj kurrë atë natë,

në një konak kaq erëmirë.

 

Ajo u bë gati të dalë,

më erdhi keq po s’ bëra gëk,

veç pëshpërita mengadalë:

“Ju ndodhet ndoshta një jastëk”?

 

Ma pruri dhe ma shtroi ndën kokë,

me buzëqeshje nazetare,

i shkova dorën përmbi flokë,

o po më iku mendja fare.

 

“Mbaj dorën larg, i miri djalë!”

i ndritën sytë e pikëlluar,

“se jam e virgjër, e padalë,

ti s’ do të ndihem e lënduar!”

 

Ish floku i saj porsi mëndafsh,

faqet e  bardha si zambakë,

kish një aromë e kish një afsh,

vashëza që më shtroi konak.

 

Kishte dy gjinj të rrumbullaktë,

si dy pëllumba në çardhak,

një kurm të hedhur e të flaktë,

vashëza që më shtroi jatak.

 

I jepja puthje pa pushim,

nuk tha një fjalë, u dorëzua,

dhe kur u zgjua në agim,

andej kish murin, këtej mua.

 

Ra rrez’ e parë, u bë mëngjes,

nisa t’ i flas i mrekulluar.

Ajo ma pret fjalën në mes:

“Tani unë jam e shkatërruar!”

 

E zë prej beli një thërrime,

i puth dy lot në ato sy.

I them: “po ti je vajza ime,

që shtron jatak për ne të dy!”

 

Ngrihet e merr merr pë e gjilpërë,

kopsën ma qepi përmbi jakë,

mëngjes janari ish atëherë…

unë e ajo në një jatak.

 

Kori – një vashë më shtroi krevat,

jatak më shtroi me gjithë dëshirë,

s’ do ta harroj kurrë atë natë,

në një konak kaq erëmirë.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, qershor 2018.

 

Image result for Sharl Bodler

 

 

Sharl Bodler: ALBATROS

 

 

Ndodh që detarët n’ udhëtim, në orët e mërzisë,

për të dëfryer plogështinë, kapin një albatros,

zog madhështor i detrave, simbol i krenarisë,

që ndjek anijet n’ oqean, prej shekujsh doemos.

 

Ashtu zhgërryer mbi kuvertë, rrethuar nga vandalët,

mbret i përdhosur, perandor, që lartësitë sundon,

krahët bardhosh i hiqen zvarrë, tek qeshin kanibalët,

ngjajnë me lopata në një skaf të vjetër që lëngon.

 

Para një çasti qiejve shtrinte flatrat krenare,

ndërsa tani i pa takat, i zhgalur, zhelemel,

një marinar i shfryn në sqep tymin nga një cigare,

tjetri e tall, gajaset, shan e përmbi puplat shkel.

 

Kështu qenke dhe ti Poet, hyjni që çan rrebeshet,

në lartësitë ku plumbi s’ mbrrin, mbi retë kur fluturon,

sapo që shkel këmbën në tokë edhe ty vetë të qeshet,

krahët gjigande të pengojnë, dhe s’ ecën dot, çalon.

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, qershor 2018.

 

Image result for Sergej Esenin

 

 

Sergej Esenin: VARGJET E FUNDIT

 

 

Lamtumirë mik i shtrenjtë, mirupafshim

thellë në zemër përherë do t’ të mbaj.

Ndarj’ e shkretë na ish shkruar nga fati,

por së shpejti do piqemi, ndaj:

 

Dorën nuk ta jap, nuk të them gjë tjetër,

mos rri vetullvrenjtur, mos u nxi si re.

Vdekja brënda jetës qënkej punë e vjetër,

po dhe jeta vetë s’ qënkej gjë e re.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, qershor 2018.

 

 

Please follow and like us: