Albspirit

Media/News/Publishing

Policia e Shtetit: Taulant Balla s’ka qenë në komisariatin e Fushë Krujës

Policia e Shtetit sqaron akuzat mediatike të oficerit Emiljano Nuhu, i cili ka denoncuar ndërhyrjen e deputetëve të PS-së për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të Krujes, Rrahman Rraja, i akuzuar për përdhunimin e një vajze. Po kështu nënkomisari i policisë ka thënë se është kërcnuar personalisht, madje ishte porositur vrasje e tij, vetëm sepse tentoi t’i merrte denoncimin vajzës dhe të arrestonte djalin e deputetit. Më poshtë deklarata e plotë e Policisë së Shtetit.

Lidhur me deklarimet në media të një oficeri, Policia e Shtetit sqaron se: Shtetasi Emiljano Nuhu është rekrutuar në Policinë e Shtetit në vitin 2009. Ai ka qenë së pari, efektiv i rolit bazë në Policinë e Tiranës.

Në maj 2017, pasi fitoi gradën “Nënkomisar” u emërua në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Në këtë detyrë ka qëndruar vetëm 4 muaj, deri në shtator 2017, pasi iu drejtua me kërkesë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për transferim, me pretendimin se “ndihej i rrezikuar për shkak të detyrës”.

Në shtator 2017 është transferuar në Komisariatin e Krujës, ku ka qëndruar deri në Gusht 2018. Nga muaji Janar deri në Korrik 2018, ai ishte i shkëputur nga marrëdhëniet e punës, pasi ishte në Akademinë e Sigurisë, në vitin e dytë.

Me kërkesë të tij, në datë 15.08.2018, me pretendimin se “ndihej i kërcënuar për shkak të detyrës” është transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë në Berat.

Në këtë detyrë ka qëndruar deri në datë 13.09.2018 dhe më pas nuk është paraqitur, por ka braktisur detyrën duke mos dorëzuar sipas procedurës standarde armatimin dhe materialet operative.

Nga verifikimet policore dhe në bashkëpunim me agjencitë homologe, ky shtetas ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme drejt Kosovës, pa u regjistruar në sistem dhe duke braktisur detyrën. Në datë 15 shtator 2018 ka udhëtuar me avionin e linjës Prishtinë–Verona, Itali.

Në datë 21 korrik 2018, oficeri Nuhu nuk ka qenë fare në detyrë, ashtu siç pretendon në intervistë. I gatshëm në datën 21 korrik 2018 dhe që ka kryer veprimet ka qenë një tjetër punonjës policie, me iniciale G.Ç.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se asnjë nga shtetasit e pretenduar në deklarimet mediatike të oficerit Nuhu, se e kanë kërcënuar, nuk kanë hyrë në ambientet e Komisariatit siç pretendohet prej tij.

Takimi mes oficerit Emiljano Nuhu dhe shtetasit e pretenduar R.Rr. dhe R.Rr. në një lokal në Tiranë ka ndodhur. Por nga verifikimet e kryera pas kallëzimit të bërë nga Emiljano Nuhu në Komisariatin nr. 6 në Tiranë dhe më pas referuar në Prokurorinë e Tiranës, rezulton se ata njiheshim shumë më herët, që në kohën kur Nuhu ishte me detyrë në Policinë e Tiranës. Komunikimet e kryera midis tyre përmes aplikacionit ‘Whatsapp’ kanë qenë miqësore dhe pa kërcënime. Këto komunikime gjenden të administruara në dosjen hetimore.

Gjithashtu në kallëzimin e tij, ku pretendon se është kërcënuar, Emiljano Nuhu i referohet vetëm 2 shtetasve të lartpërmendur, të cilët sipas tij, i janë prezantuar si të afërm të autorit të dyshuar që ka kryer përndjekjen, por nuk përmend asnjë prej emrave që deklaron sot në intervistën në media. Emra, të cilët në asnjë rast nuk i ka përmendur në komunikimet me eprorët e tij.

Pavarësisht të gjitha deklarimeve, bëjmë me dije se Komisariati i Policisë Krujë pas marrjes së kallëzimit nga e dëmtuara Xh.M. materialet i ka referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila ka regjistruar procedimin penal nr. 372/2018 dhe po drejton hetimet.

Ndërkohë, SHÇBA po kryen verifikim dhe hetim të thelluar për gjithë pretendimet e ngritura nga oficeri Emiljano Nuhu në letrën e bërë publike si dhe në intervistën e dhënë prej tij. Në përfundim të këtyre hetimeve do të ketë një njoftim publik.

Please follow and like us: