659 shqiptarë që ja “hoqën vetes” dhe asnjë politikan i vetëvrarë
Kristo Mërtiri/
-Na dëgjo pak, o miku ynë ! Sinqerisht, ne nuk e kemi ditur që 10 shtatori është Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes. Madje në fillim edhe dyshuam pakëz. Por kur u njohëm zyrtarisht me shifrën tronditëse 659, na u ngjeth mishtë e trupit. 659 fatkeqë ia hoqën vetes dhe shkuan në atë botë, duke lënë prapa shumë dhimbje, plagë e lotë, sy të patharë e shpirtra trokë. Dhe ferri ulet këmbëkryq kur humbet cdo besim e shpresë! Nuk thonë kot, ndonjëherë humbja e një shprese është më e dhimbshme se humbja e një të vërtete, është perëndia e fundit. Konkretisht, pa llogaritur vitin 2018 për të cilin nuk paska ende shifra zyrtare, 659-ta u takon tre viteve të fundit. Një rrokullimë ulërimë që më tepër të shastis e të shokon pa pikë mëshire.
Ore babam, përse i shkoi keq filli asaj kërkesës tënde me shkrim si gazetar profesionist në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ? Ti doje të dije jo thjesht numrin e saktë të njerëzve që përmbytin qelitë e vjetra e të reja, por edhe shkallën e arsimimit, gjendjen e tyre sociale, sa nga fshati e sa nga qyteti, sa të papunësuar e sa të padënuar më parë, sa të varfër e sa të kamur, sa të rinj e sa të moshuar etj. Qysh në qeverisjen e parë rilindiste dhe sot e kësaj dite, ti nuk paske marrë asnjë përgjigje (?!). Apo pret xhevap nga ata drejtues sojsëzë që përfunduan vetë në pranga, pas vrapimit për të rrëmbyer si pushta e hajna ? Dhe tani kacafyten “qënce” në salla gjyqesh e qyqesh. O Perëndi, nëse ke veshë e na dëgjon, në Shqipërizën tonë edhe të burgosurit vidhen në ushqime, ilace, leje e transferime me pagesa kesh nën dorë e mbi dorë !…
Së pari, fukarenjve më shpesh u mpihen dhëmbët mga thartira(skamja), ndërsa politikanëve nga ëmbëlsira(pasuria), mund të shprehej vetë Saadiu i famshëm me mencurinë e tij therëse e aspak cjerrëse, rrëmbyese e blerëse. Këtë hendek të madh nuk e shikojmë vetëm në burgje, por edhe në Administratën e lartë e të ulët; në punësime e mjekime; në arsimim e në ushqim; në xhepat pa portofolë e pa njollë; në dollapët e frigoriferët ku mund të bjerë miu e të thyejë kokën; në catirat kuqërreme të vilave milionere; në fuoristradat fodulle e pa pikë mulle; në pushime sheikësh me para të pista e punë të zeza, duke iu bërë karshillëk e maskarallëk pa doreza shumicës së ndershme që lëngon e dridhet në tryeza etj. Domethënë jetë qeni që të hedh gurë pa mëshirë, në dritë e na errësirë dhe jo kundër politikanëve të palyrë. E tha bukur edhe Dine vlonjati, e tha publikisht e sinqerisht :”-Mes territ e sherrit, mes zhurmës shurdhuese dhe përplasjeve, mes hipokrizisë dhe maskave patriotike të tyre, me lotët e krokodilit për gjendjen e vendit dhe fatet e popullit, njerëzit e thjeshtë ngrysin ditët pa kuptim, plot strese, u vreroset shpirti. Vetëvrasjet janë dëshmi rrënqethëse e kësaj batërdie. Këtu e kanë bazën edhe përpjekjet që me cdo mundësi të ikin nga sytë këmbët. Kujt nuk i mjafton bota, i mjafton varri. Kur qelbet kripa, c’mund të thuash për peshkun !”…
Së dyti, daullet e Polit(h)ikës pa moral e pa din e imam, hutuan e shushatën një popull të tërë. Ato kanë gati 3 dekada që kanë zënë për gryke Shtetin e së Drejtës dhe e mbajnë larg njerëzve të thjeshtë e pa shpatulla të ngrohta në partira e qeverira. Përshembull, skandal më i dukshëm e që të lë pa gojë janë mjaft vendime të formës së prerë në disa fusha, që presin me vite zbatimin konkret në praktikë ! Pra, dergjen në prehërin e pushteteve ekzekutive që shkojnë e vijnë kaluar dhe betohen për Drejtësi Sociale. E tmerrshme, jo pak prej atyre hallexhinjve që besuan vetëm te Drejtësia dhe jo te X politikan, ministër, deputet a përmbarues privato-shtetëror, sot i gjen në varreza (?!). Të tjerë të mbetur ende gjallë e të pakallur i janë sulur shpresës së fundit, Gjykatës së Strasburgut. Zhgënjimi është bërë sa një mal. Sepse njeriun e thjeshtë, politikanët as që e kanë në refene hic. Këtyre u nevojitet vetëm për një ditë : 12 orët e votimeve për pushtetin qendror e lokal, më saktë në ditën e pazarit të madh për kolltuqe prapanicash e magjistricash në zyrat luksoze e me plot favore të shtetit ! Dhe pastaj përcjellin gjakftohtë statistikat zezona me vetvrasje e vrasje… Mirëpo vjelja e votave të rreme nuk është gjithcka në këtë botë të trazuar. Dhe sic na mëson mencuria e lashtë, “në qoftë se njeriut të urtë s’i bën fjala dritë në një rreth zuzarësh, mos u cudit se zëri i ëmbël i lahutës s’ia del dot gjëmimit të daulles dhe era e parfumit mbytet prej kundërmimit të hudhrës”. Dhe kjo sëmundje shekullore po leqendis edhe ca institucione shtetërore. Nuk mbetet pa shpiegim gjumi i Prokurorisë së Përgjithshme. Madje dikush më tha se është shumë afër “gjumit të vdekjes”, por unë nuk dua ta besoj plotësisht. Vecse opinioni publik pret. Ja, pak ditë më parë, Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të pasurive na bëri me dije se qenkërkan paditur dhjetra zyrtarë hajdutë e mashtrues gjatë 5 viteve të fundit. Por për fatin e atyre padive, Prokuroria e mban gjuhën lidhur(?). Ose më tej. Sa dosje kanë bërë varavingo nga Ministritë në Prokurori dhe anasjelltas ? Po ato të ministrave fringo për paraardhësit e tyre, ku dergjen e gërrhasin vallë ?…
Së treti, vërtet 659 shqiptarë fatkeqë ia hoqën vetes, por asnjë politikani e zyrtari të lartë nuk i hyri gjemb në këmbë. Dhe qyrkun e fajit përpiqen t’ua hedhin të tjerëve, psikologëve, neurologëve, sociologëve, vetë viktimave që i mundi stresi e depresioni për mbijetesë. Dhe i flakën pas krahëve problemet e rënda ekonomike, fjalimet e premtimet lumë. Askush nuk i bie kambanës së alarmit qytetar e kombëtar. As kur shikojnë e dëgjojnë se kjo gjëmë paska mbërthyer edhe ca adoleshentë ! Plagë të pambyllura e që do pikojnë gjatë. Por jo për politikanët barkngopur e zemërgur që gogësijnë në rehatin e tyre personale e familjare dhe shesin përditë demagogji e hipokrizi me okë. Bëjnë kryq e tallen nëpër kisha e xhamira si “shërbëtorë” të Perëndisë dhe mosmirënjohës arrogantë të vegjëlisë ! Pacipëria nuk ka brirë, bashkë me ligësinë e pashoqe. Asnjë seancë a interpelancë e posacme parlamentare; asnjë studim i thellë shtetëror a privat; asnjë prognozë mjekësore serioze, akademike e shkencore rreth kësaj gjëme. Po Shërbimi Social Shtetëror, përse e ka vulosur gojën ?
Apo i ka larë duart pas pastrimit mizor të ca kafshatave mjerane mujore nga goja e rreth 30 mijë familjeve të këputura ?! Ose fjala vjen, po të krahasosh në monedhë nevojat emergjente të shqiptarëve të varfër në fshat e qytet, me miliona eurot e derdhura nga qeveritë “në rrugë që nuk duken” (pemë autostrade; pedonale e pordhale; mbledhje qeverie nëpër rrethe me shpenzime kolosale; harxhimet marramendëse nëpër zyrat sa herë ndërrohen funksionarët; milionat e biletave me avionë; lopa pjellore e Koncesioneve dhe PPP-ve famëkeqe etj). Sepse hajdutët nuk i shkurtojnë vetë duart e tyre. Na rrofshin “liritë civile” përballë të papunëve e njerëzve me barkun firë ! Mjaft prej tyre kanë humbur dhunshëm edhe ndonjë të drejtë elementare kushtetuese: dritën elektrike dhe ujin e pijshëm të kohës së Enverit ! Për cilën demokraci mesjetare bëhet fjalë ?! Apo do vazhdojmë me poturet e varura dhe t’i biem me shkopinj mediatikë asaj teneqesë së turpshme e tepër fyese të 5 mijë lekëshit në fund të vitit për pensionistët…
Së fundi, janë mijëra vetë që duan t’i lenë shëndenë Shqipërisë, por nuk cajnë dot për arsye të ndryshme. Kjo është e vërteta lakuriq, e hidhur e dëshpëruese. “Polit(h)ika” vazhdon të shalojë mbi kurrizin e hallexhinjve, të cilët nuk po i shikon as me dylbi. Ndërsa familjeve dhe fëmijëve të tyre të lindur si me këmishë të mira, u paska pjellur edhe mushka nëpër vila e orgjira. Vila të ngritura e selitura me rrogat e borderosë shtetërore ?! Shkurt, të ashtuquajturin luks të Amerikës apo të Kanadasë, e kanë siguruar këtu, në mëmëdheun e sfilitur nga horrat e djeshëm e të sotëm. Duke vjelur egërsisht e poshtërsisht taksapaguesit më të varfër në Europë. Asnjeri nga këta nuk ia ka hequr vetes gjer më sot. Dhe mërmërijnë me cinizëm se ky popull kështu i do drutë(!). Jo më kot anëtarët e kabineteve qeveritare të majta e të djathta ngjajnë më tepër me ca kukulla që nganjëherë të dhimbsen kur i shikon në atë derexhe. Shumica e tyre shqyejnë sytë kur u ofrohen majat e pushtetit ekzekutiv, tamam si ai fanti spathi dhe u ikën goja nga “emocionet” e befasishme. Dhe erdhi dita të pëshpëritet ai postulati i mirënjohur: Ata që janë të pazotë, nuk i shikojnë dot në sy njerëzit e zotë. Ata janë si qentë e pazarit. Shohin zagarët e gjahtarit, lehin prapa tyre, pa guxuar që t’u dalin përpara… Duke medituar për paranë e pistë dhe “pronarët” e saj që drejtojnë shtetin e miletin, pardje mu faneps një nga rrëfimet e shkurtra të mikut tim të vecantë gazetar e shkrimtar humorist, që qesh e tall politikanë si në monizëm dhe në pluralizëm : “ Dy deputetë, të dy partive parlamentare, po luanin bixhoz . Njëri arriti të fitojë dhe i kënaqur iu drejtua kolegut :
-E, po, le të vazhdojmë.
-More, mirë e ke, po unë nuk kam më asnjë lekë në xhep !,-u përgjigj tjetri.
-Vër në dispozicion elektoratin tënd, atëhere !,-këmbënguli fituesi.
-Si ta vë, kur nuk e di, se kush më ka zgjedhur !?,-ngriti supet tjetri i hakërryer”…