Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Izet Shehu

 

ZJARRI

Jam zjarri i zjarrit tim,
Më i hershëm se Prometeu.
Mos më shihni si hutinë!
U ndeza
Kur u ngjiz dheu.

Jam ushtari,
Që i binte bririt
Rrotull zjarreve pagane.
Me Teutën verë kam pirë,
Vallen hoqa mes taulantëve.

Dolli ngrita me ilirin Bato,
Me suljotët isha tamburxhi.
Shpuz’ e flakë
Nëpër mote,
Gjersa mbërrita këtu tani.

Jam zjarri i zjarrit tim,
Më i lashti i këtij dheu.
Mos më shihni
Me habi!
Linda më parë se Orfeu.

Jam zjarri i Shqipërisë,
Purpuruar brez pas brezi,
Mbi këtë tempull,
Mbi këtë vis,
Prush si trëndafil kërrmezi.

 

HORIZONTI I NGRIRË

Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Dua, por jam i pafuqishëm!
Demi e rrëzon një mullar me brirë,
Era e detit në tërbim e shqyen pishën.
Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Sa dëshirë, sa dëshirë do të kisha,
Po duhen mijëra tërbime erërash,
Mijëra dema me brirë,
Mijëra shenjtorë dhe bisha.
Dua ta thyej këtë horizont të vjetër,
Ndërtuar ters me akull e hekur.
U gremis një shekull, trokon shekulli i ri,
Ngordhi një kuçedër, u ngjallën dy-tri
Dhe pyesim: ku vemi?
Dhe pyesin: ku qemë?
Nga Ferri dolëm a në Ferr vemë?
Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Dua, por kjo më mbeti dëshirë.

 

LULEBORA

Këtë mëngjes
Lulebora e virgjër
U zgjua e trembur, e zbehtë e dridhur.
Kujt t’i ankohej, s’i gjegjej njeri
Veç vezullimit të vesës mbi barin e ri.

Këtë mëngjes
Lulebora e përgjumur,
Diç donte të shprehte me zymtësinë e bukur.
Një yll i shuar, një zë i mekur,
Në myshkun e mesnatës e kishte humbur.

Këtë mëngjes,
Ah, këtë mëngjes,
U zgjua e trishtë lulebora e brishtë!
Me ngut kërkonte pushin e ëndrrave
Thellë, diku thellë, nën kaçubet e dendura.

 

KËNGA

Unë zën’ e dytë e bëja mirë,
Babai bënte zën’ e parë,
Në mes të barit në çair,
Ku iso mbante plep i bardhë.

Dhe trembesha mos binte kënga
Si zog i kaltër përmbi bar,
Unë zën’e dytë e thekja mirë,
Babai thekte zën’ e parë

Eh, kur një ditë m’i morën të gjitha:
Babanë, çairin, plepin e bardhë,
Unë zën’ e dytë e qava mirë
Po s’gjeja dot zërin e parë.
​* * *

Mbaj mend
Nga mesi i muajit maj
M’u bë sikur një melodi:
Zërin e parë bënte babai
Dhe ishte krejt si zë i tij.

Dhe unë pas zën’ e dytë,
Një zë të dridhur si në vaj.
Me lotë krejt m’u mbushën sytë,
Këndoja unë dhe babai.

Kënduam këngën e përjetësisë,
Se s’duhej lënë përgjysmë kënga.
Ah, dheu ynë! Më i shtrenjti vis,
S’të ndamë asnjë çast nga zemra!

Please follow and like us: