Cikël poetik nga Sadik Bejko
Loja
Jam ulur në fundin e fundit tim
te një amforë e njomë balte.
Mjeshtri nën tryezë luan gishtat.
Thelloma hupët hapet
e flakem pa adresë
letër poste në kuti fshati,
në të humbët, Tibet a Siberi.
Mjeshtri me shputa lot çikrikun.
Në valixhen pa fund hedhur,
Firuar e rrjedhur gjithëkundit
as hiri nuk i mbeti rrugës.
Fakir indian me fyell e qyp
qenkam kthyer, në shtëpi,
në sheshe flirtoj me kobra.
Fund amforës me baltë të njomë
(Mjeshtri në hije lot çarkun)
lidhur pisk nga kobrat,
buzët e holla,
belin prej gruaje të qypit lakmoj.
Plot helmët e thellë në gëzim jam
si bujk gjer te gjunjët ngjeshur
me drithin e ri te lëmi.
Rrak e shtrak çarkun…
Reja mbi mal
Prapa një reje mbi mal jam,
mbi mal e mbi ag
ku erërat e flakën
E ç’ta bëjnë nuk dinë.
Mëngjesi ka dalë. Si kalë rend para
hundësh shfryn ngrica, acar e borë,
fshatra, qytete me dhembë akulli kullot,
prej jelesh shkund e shkund terror.
Nuk i ndiej gjëmat hata
të kalit mbi botën ngrirë.
Një çelës është kthyer
në zemërekun e botës,
më ka flakur në ag te reja mbi Dajt
të mpirë.
Jam në hone pasmëngjesi
tek hënat rrëzohen në golle
tek diejt thyhen në errësirë
tek netët udhëhumbura firaksin
si beduinët në shkretëtirë;
Me sy reje jam
me fytyrë reje
me gjymtyrë reje
somnambul hëne
gremisur në qiell –
në dhera mjegulle.
Errësirat në mua marrin qiell,
marrin trup, frymojnë, grinden,
më shkulin mishrat, sytë,
më grimcojnë re më re
e më hedhin prapë në rrugë.
Jam re si filxhani plot kafe
mbetur pa pirë.
E pangrohur nga gishta e buzë
në disk akulli, agu
re që josh me errësirë.
Një çelës është rrotulluar në botë,
Shtjellë erërash me poshtë lart.
Një kalë dimri
botën ha rrafsh me tokën gjer në baltë.
Për ditë eci në rrugë, punoj, flas,
ulem ndër njerëz… të gjitha rutinë.
….dhe kaçube reje mbi Dajt,
mjegull në rrëpirë,
Re… mbase nga truri im e mbirë.
Shkurt 2014
Fletë ditari
Kam bërë shumë gabim
që nuk i kam shkruar letrat
Që ndër mend gjithmonë i thur për ty…
Skrupujt më frenojnë dhe ajo:
do tallen,
do të qeshin…
të lartën, sublimen…
letrën tënde do ta plluqin në baltë
e fuqi nuk ke t’i ndalësh.
Sot, pas dy sms-ve, ndërsa prisja një tel nga ti,
– për dreq asnjë përgjigje –
u shtrova në të pirë me miq.
Një zot e di sa e kemi tepëruar,
prapë telefoni mbi tryezë sinjal, sms priste.
Më kot. Fare shkoqur një mospërfillje mizore.
Ah, mizore? Me mizori këndej jemi regjur.
Hommo ballkanikus. Mospërfillja, moskuptimi,
mohimi, mosi i mosit të mosit, janë të lashta
sa dhe shumë e shumë moderne.
Kyçe të degdisura në abys,
Errësi të së panjohurës…
Prapë duhet të ruash mëtimin e shijes
që me rast, a në një çast dhe mund të quhet,
po, pak si me zor, mund të quhet
komunikim i mungesës a i refuzimit.
Në ngopjen me kuptim moskuptimi a në daç
në këtë arratisje në anën e pasme të hënës
rob i kërkesës për një kuptim,
ti sigurisht nuk je i vetmi budalla i pandreqshëm…
Në se ende mëton të gjesh një kuptim
kur nuk ka asnjë kuptim,
ti, një burrë me mend, kaq gjë,
këtë grusht me errësi turinjve, nuk e meriton…
E burgos veten më thellë se në vetvete.
Lotin në cepin e syrit e kafshon me qerpik
e merr në gishta, kripën lëpin. Kaq.
Sado e zezë, fantazia e arratisjes në anën e pasme
të botës si kërkesë për një kuptim,
gjallërinë e së munguarës dot nuk e turbullon….
Mugullirën e pijes e pllenojmë me pije,
për të vazhduar prapë e prapë,
e, nëse jashtë është minus gradë, ne kemi vapë…
nëse këto nuk kanë asnjë kuptim,
pse duhet ta kërkojmë një kuptim…
Si nëpër asfalt thyer, copëtuar nga një tërmet
nëpër kësi vije gjymtyrët mbase na çojnë sot
në tragën e atij që quhet shtrat,
ku njeriu si një dhomë me pasqyrat thyer, copëtuar
ngulur në brinj
dhe mund të qetësohet në pak gjumë.
2013